Dorëheqja e Dimitrovit duhej të verifikohet nga së paku dy burime

 

Informata e rrejshme për dorëheqjen e ministrit për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, jehoi si bombë në publik, duke e pasur parasysh faktin se u publikua një ditë pas mbajtjes së referendumit, në të cilin nuk u arrit pjesëmarrja e nevojshme dhe lehtë mund të besohej në vërtetësinë e saj.

Informata për dorëheqjen e ministrit Dimitrov u publikua më 1 tetor në orën 17 në lajmet e televizionit “24 Vesti”, ku ky televizion iu referua një shkrese me shkrim, që kishte ardhur në redaksi, e për të cilën më vonë u konstatua se ishte falsifikat.

Media nuk është dashur ta publikojë këtë informatë, para se paraprakisht ta vefirikojë vërtetësinë e kësaj shkrese. Shkresa deri te e cila ka ardhur media, do të duhej të ishte vetë[m pikë fillestare, nga e cila pastaj do të duhej të verifikohej ajo që është shkruar aty. Gjegjësist, është dashur të verifikohet nga disa burime të besueshme, siç është Ministria për Punë të Jashtme, në krye të së cilës është ministri i apostrofuar dhe qeveria ku duhet të deponohet dorëheqja.

Në këtë rast kjo nuk është bërë dhe një informatë e rëndësishme në momente të ndjeshme politike për vendin prezantohet si “lajm i fundit”.

Televizioni “24 Vesti” më vonë publikoi se lajmi është i rrejshëm dhe u kërkoi falje shikuesve dhe ministrit.

Me këtë lajm të televizionit “24 Vesti” u mashtruan edhe media të tjera, të cilat pastaj informatat i fshinë që të mos dezinformohet publiku. Ndërsa demantet me shkrim të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe vetë ministrit Nikolla Dimitrov, mbetën.

“Ministria për Punë të Jashtme në mënyrën më të ashpër i dënon tentimet dashakeqe për përhapjen e lajmeve të të rrejshme dhe në mënyrë decide e demanton dezinformatën se ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, ka dhënë dorëheqje. Bëjmë thirrje për t’i marrë në përgjegjësi ata që e kanë bërë këtë falsifikim të vrazhdë, i cili edhe përkundër përpjekjes amatore, tepër dëshpëruese për prodhim të rrejshëm të aktit zyrtar të ministrit në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, bën dëm të madh duke plasuar në mënyrë tendencioze një të pavërtetë të madhe”, thuhet në demantin e MPJ-së.

MPJ-ja ka dorëzuar edhe denoncim në Ministrinë për Punë të Brendshme dhe në Prokurorinë Themelore Publike për falsifikim dhe për keqpërdorim të mundshëm të një institucioni të caktuar.

“Pasi ta pranojmë denoncimin do të fillojmë me punë, me rëndësi është të konstatohet gjendja faktike. Lajmet e rrejshme dhe gjuha e urrejtjes u bënë gjëra mbi të cilat bazohen informatat”, tha ministri Oliver Spasovski.