Edukimi mediatik – digë mbrojtëse nga manipulimet

Фото: Truthout.org, 2010

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik.

Përdoruesit e përmbajtjeve mediatike duhet të zhvillojnë aftësi kritike të vetat dhe njohuri që do tu ndihmojnë që t’i lidhin idetë komplekse, t’i dallojnë përgjigjet e duhura, t’i identifikojnë lajthimet dhe t’i vlerësojnë në mënyrë kritikuese përmbajtjet mediatike. Me një fjalë, kjo nënkupton një arsimim mediatik dhe posedim të aftësive kreative që të zbulohen manipulimet tek produktet mediatike.

 

Shkruan:Aleksandar Pisarev

 

Sipas definicionit, mediet janë mjete për informim masiv, por edhe mjeti më i fortë për formimin e sistemit të vlerave shoqërore me të cilin ndikohet në formimin e opinionit publik. Megjithatë, në epokën e globalizimit mediet gjithnjë e më shumë bëhen edhe një „mjet i interpretimit masiv”, dhe sipas kësaj, gjithnjë e më shumë humbet funksioni i tyre i komunikimit dhe edukimit, dhe gjithnjë e më shumë e marrin rolin e manipulimit me qytetarët.

Për këtë shkak, prej në vitin 2007 Këshilli i Evropës rekomandoi edukim të qytetarëve në lidhje me pozicionimin dhe riorganizimin e tyre nga përdorues pasiv të informacioneve mediatike dhe komunikimeve me konsumatorët aktiv të produkteve mediatike, të cilët me vetëdije, në mënyrë aktive dhe me përgjegjësi marrin pjesë në perceptimin e asaj që ofrohet. Në të njëjtën kohë, rekomandojnë një edukim të fuqishëm dhe masiv të qytetarëve për aftësimin e tyre që ta vlerësojnë në mënyrë kritike secilin produkt mediatik, në mënyrë sociale të mobilizohen në drejtim të aktivizmit shoqëror, duke vlerësuar se qasja e këtillë ndaj medieve është bazë për një shoqëri demokratike.

 

PLURALIZËM I RREJSHËM MEDIATIK

James Potter, profesor në Universitetin e Santa Barbaras në Kaliforni, studimin e tij për edukimin mediatik e fillon me një konstatim se numri më i madh i njerëzve sot u lejojnë medieve që t’i programojnë shprehitë e tyre dhe këndvështrimin e tyre për botën. Prandaj është me rëndësi që me edukim mediatik të njerëzve tu mundësojmë atyre jo vetëm t’i „fshijnë” ato rreshta dhe të dhëna që mediet i kanë programuar në mendjen e tyre, por edhe t’i zëvendësojnë me mendim personal dhe idetë për epilogjet shoqërore. Ai thotë se sot, kur ka gjithnjë e më shumë medie, është shumë vështirë që të dallohet informacioni i plotë objektiv nga ai manipulues, i shtrembëruar dhe gjysmë i vërtetë. Edukimi mediatik, sipas teorisë së tij, me një fjali nënkupton aftësi për tu lexuar, kuptuar, hyrë në thelbin e informacionit dhe të shqyrtohet, analizohet, vlerësohet mesazhi mediatik dhe të selektohet manipulimi. Sipas tij, qytetarët në numrin më të madh të shteteve në aspekt sasior kanë pluralizëm mediatik, por në aspektin cilësor pa dyshim që nuk e kanë. Bëhet fjalë për një pluralizëm mediatik të rrejshëm.

Prandaj, konsumatorët e përmbajtjeve mediatike duhet të zhvillojnë aftësi dhe njohuri të vetat kritikuese që do tu ndihmojnë të bëjnë lidhjen e ideve komplekse, t’i dallojnë përgjigjet e drejta, t’i identifikojnë lajthimet dhe t’i vlerësojnë në mënyrë kritikuese përmbajtjet mediatike. Me një fjalë, kjo nënkupton edukim mediatik dhe posedim të aftësive kreative që të zbulohen manipulimet tek produktet mediatike. Këto aftësi mundësojnë që të kuptohet roli i duhur i medieve, qytetarët të lirohen nga stereotipet dhe me kujdes dhe në mënyrë kritikuese t’i ndjekin përmbajtjet nëpër medie. Nuk duhet të lejojnë që dikush t’i spinojë dhe të informohen nëpërmjet medieve në të cilat i vetmi informacion i saktë janë nekrologjet. (…„VMRO DPMNE është një parti e organizuar në mënyrë moderne në të cilën çdo anëtari, pa dallim të stazhit partiak…i jepet mundësi e barabartë… nuk është mit se Gruevski dhe ekipi rreth tij punojnë 24/7. Mund t’i imagjinoni fodullat e LSDM nga mëngjesi deri në mesnatë në Qeveri, ato më shumë preferojnë të pinë kafe”… (Lider)

Pas pesë shekujsh të një lloji edukimi, duhet të përgatitemi për një lloj të ri të edukimit, sepse mediet me veprimet e tyre zënë një pozitë të rëndësishme në formimin e kodeve shoqërore dhe gjenerimin e mënyrës së zbatimit të diskurseve të rëndësishme publike. Ato shndërrohen në faktorin më sugjestiv në formimin e mënyrës së mendimit të qytetarëve dhe sjelljes së tyre.

 

RECIKLIMI I INFORMACIONEVE

Siç paralajmëron teoricienti Kanadez Marshall McLuhan, performansat teknike të medieve në „fshatin global” ndikojnë në mënyrën se si do të formohet mesazhi mediatik dhe si ai do të përcillet deri tek konsumatori (lexuesi, dëgjuesi, shikuesi) dhe cila „ideologji” do të gjendet në nëntekstin e mesazhit. Ndikimi e zmadhon mënyrën e transmetimit të mesazhit nëpërmjet teknologjive më të fuqishme të informacionit dhe të komunikimit: interneti, TV, radio, billbordet dhe nivele të tjera të komunikimeve të marketingut. Në rastet konkrete edukimi mediatik na mëson se si të zhvillojmë aftësi për të kuptuar, lexuar, pranuar, arkivuar dhe fshirë-recikluar, numrin jashtëzakonisht të madh të mesazheve, përmbajtjeve, fotografive… Me një fjalë, edukimi mediatik na mundëson dhe na ndihmon në situata të tejngopjes shoqërore që ta dallojmë interesin publik tek informacionet dhe mediet. Të dallojmë format e përcjelljes së informacioneve, konceptet redaktuese dhe stilet që ndikojnë tek formimi i informacioneve.

Qytetarët duhet të mësojnë që t’i dallojnë mesazhet dhe t’i filtrojnë informacionet në kërkim të atyre më relevante, sepse në fund të fundit kjo është pyetje më e rëndësishme lidhur me dallimin dhe mbrojtjen e interesit publik.   („dy kunata nuk kanë mundur të merren vesh për rendin e varjes së teshave në oborr… kështu që janë rrahur me kavanoza, qeramidhe“... (Кanal 5/recenzion).

 

DESHIFRIM I MASHTRIMEVE

Shumica e reagimeve të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të qytetarëve rrjedhin nga „aroma” të cilën paraprakisht e krijojnë mediet.

Me ndihmën e edukimit mediatik, analizojmë, kuptojmë, interpretojmë dhe dallojmë ndikimin e medieve mbi jetën tonë personale dhe shoqërore. Informacioni objektiv është e drejta themelore e njeriut, baza e jetës demokratike nëpërmjet së cilës qytetarët e formojnë mendimin kritik dhe objektiv për gjendjen dhe fenomenet në një shoqëri.

Informacioni në kohë, i saktë dhe objektiv është themeli i kulturës politike pjesëmarrëse nëpërmjet të cilës qytetarët gjithmonë se përsëri do të vërtetohen si subjekte të bashkësisë shoqërore. Edukimi mediatik u ndihmon të gjithë anëtarëve të shoqërisë në mënyrë të barabartë që më lehtë t’i definojnë burimet, dedikimin dhe qëllimin e informacionit, t’i zbulojnë dhe t’i dallojnë interesat, t’i deshifrojnë mesazhet dhe karakterin e informacionit të ofruar në kontekstin e dhënë të ambientit shoqëroro-politik, socio-ekonomik dhe kulturor. Kjo është posaçërisht e rëndësishme në kohë dhe në momente të ndryshimeve turbulente shoqërore ku informacionet që i plasojnë mediet mund të jenë shtylla e stereotipeve, diskriminimit, diskualifikimet… me një fjalë, modelet negative shoqërore dhe teknika e informimit bardhë e zi.  (…„Zaevi është në panik se pas humbjes së zgjedhjeve të ardhshme, do ta humbë legjitimitetin edhe si kryetar i komunës së Strumicës”…)  (Sitell).

Edukimi i vazhdueshëm mediatik jo vetëm që është përgjigje ndaj fenomeneve të këtilla shoqërore dhe mediatike, por është edhe përgjigje ndaj hiperproduksionit të informacioneve të cilat shpesh paraqesin konfuzion për përdoruesin (lexuesin, shikuesin, dëgjuesin) ose sipas modelit të mendimit të fabrikuar, ja mpijnë refleksin kritik-objektiv të interpretimit të mesazheve mediatike dhe shoqërore. Në kohë të një gare të pakursyer të medieve në pozicionimin për hapësirë reklamuese dhe përfitim, që t’i tërheqin shpallësit e madhej, konsumatorët tërhiqen që të bien pre e pasioneve të ulëta dhe turbofolkut, rreziku është i madh nëse media çdo ditë informon për ndonjë ngjarje e cila nuk është aspak me rëndësi, ndërsa fitohet përshtypje se është shumë me rëndësi vetëm për faktin se mediet pa ndalë flasin për atë. Atëherë, roli i edukimit mediatik është edhe në ngritjen e nivelit të ndjeshmërisë të qytetarëve për domethënien e gazetarisë në shoqëritë demokratike. Përzgjedhja e përmbajtjeve të cilat i përcjellin mediet masovike dhe ne ato i pranojmë me ose pa vetëdije, ndikon tek ne që të marrim qëndrim se informacioni i tillë është me rrezik për jetën, edhepse ajo nga këndi i logjikës së shëndoshë është në nivel të incidentit ose informacionit periferik dhe argëtimit të lirë.

 

SPINI

Si krijesa bashkëkohore që jemi nuk mundemi të bëjmë dot pa mediet, po kjo nuk do të thotë se doemos duhet ta gëlltisim fotografinë e shtrembër të realitetit, të gënjehemi me fotografitë ngjyra ngjyra dhe të kemi frikë prej ndonjë farë fatkeqësie të supozuar. Me një fjalë, të mos lejojmë që mediet të na programojnë.

Shembull më eklatant i manipulimit me qytetarët, ose spinimit, është kur media e kthen tregimin në dobi të dikujt, por e kthen edhe mendimin publik në dobi të atij që e ka plasuar informacionin. Kjo është një taktikë mashtruese dhe jo e sinqertë për të arritur ndonjë qëllim të caktuar. Në spinim nuk përdoret gënjeshtër, por plasimi i informacionit nuk dallon shumë nga përmbajtjet e rrejshme, faktet shfaqen në mënyrë selektive, ndonjë ngjarje tejzmadhohet, tiparet dhe vlerat e një personi ose grupi të caktuar zmadhohen dhe theksohen gjërat e parëndësishme që të fshihen ato të rëndësishmet (…„Zoran Stavrevski lajmëroi një stimulim të mëtejshëm të ekonomisë nëpërmjet më shumë masave, është planifikuar që të investohen 100 milionë euro “… (RTM).

Edukimi mediatik sot është i domosdoshëm me qëllim që të mbrohemi nga manipulimet që e pengojnë mendimin kritik individual dhe vendimmarrjen e pavarur të qytetarëve. Prandaj, edukimi mediatik në disa shtete paraqet një lëndë obligative që në shkollë fillore që fëmijët të mësojnë si t’i dallojnë, analizojnë dhe krijojnë mesazhet mediatike.

Në rrethinën tonë, Mal të Zi, Bosnje dhe Serbi, në kuadër të Fakulteteve të Shkencave Politike dhe nëpër shoqatat e gazetarëve bëhet një fushatë e madhe për zhvillimin dhe popullarizimin e edukimit mediatik midis qytetarëve (fushata „Mos lejo të të spinojnë”, e cila udhëhiqet nga këto organizata: www.mediskapismenost.netwww.nuns.rswww.uns.rswww.ndnv.org). Çdo individi i ofrohet mundësi që të mbikëqyrë punën e medieve, si arrijnë gazetarët deri te informacionet dhe si i organizojnë ato në tregime të kuptueshme. Edukimi mediatik nuk është mjet për lexim ndërmjet rreshtash, por për ndjekje të veprimeve të gazetarëve me të cilat ato e formojnë produktin mediatik në formë të shtypur, audio ose vizuale. Ky është mjeti kryesor që qytetarët tua bëjnë me dije gazetarëve se angazhimi i tyre profesional nuk mund të konsistojë vetëm në publikimin e deklaratave partiake ose shtetërore, ose deklaratave të politikanëve dhe funksionarëve shtetërorë, si dhe as ndjekjen e konferencave për shtyp si një mënyrë më e lehtë nëpërmjet të cilës subjektet shoqërore i interpretojnë ngjarjet dhe i plasojnë në publik, madje edhe në ato situata kur gazetarët nuk kanë mundësi të parashtrojnë pyetje.

Qytetarët janë ato që kanë të drejtë të kërkojnë prej gazetarëve që t’i rishikojnë rutinat e tyre profesionale, të shihen në pasqyrë dhe t’i kontrollojnë standardet dhe kodet profesionale të sjelljes.

 

CILËSI E DYSHIMTË

Në të gjithë procesin duhet të kyçen mediet elektronike publike si promovues dhe mbrojtjes të edukimit mediatik dhe të kenë një përzgjedhje të rreptë të cilësisë të përmbajtjeve mediatike që do t’i plotësojnë të gjitha standardet e profesionit të gazetarisë dhe kodet e gazetarisë. Në këtë mënyrë me një përgjegjësi të dyanshme – edhe të atij që i transmeton dhe të atij që i pranon informacionet – mediet dhe qytetarët mund t’i realizojnë bashkërisht qëllimet e zhvillimit shoqëror të qetë, stabil dhe përparimtar, të shkarkuar nga ekstremizmi, padurimi, urrejtja, nacionalizmi, segregacioni, diskriminimi….

Sidomos duhet të theksohet rëndësia e serviseve publike në proceset demokratike të cilët në një kulturë multimediatike dhe multikorporative do tu mundësojnë qytetarëve njohuri dhe aftësi të nevojshme me të cilat do të jenë pjesëmarrës aktiv në proceset demokratike. 

Pyetja me të cilën në dekadën e fundit komunikologët po merren intensivisht janë pikërisht programet e serviseve publike të stacioneve radio dhe televizive që duhet të jenë shembull për rezistencë kundër ndikimit global multikorporativ të këtyre medieve, të cilët fuqinë e vet e masin me imponimin e dhunshëm të informacioneve, nëpërmjet të cilave u sugjerojnë/urdhërojnë qytetarëve se çka duhet të mendojnë, në vend që tu ndihmojnë për ta ndërtuar mendimin personal. Të mos harrojmë se televizioni për shumicën e qytetarëve ende është dritarja e vetme drejt botës dhe ai ua formon shijen, ndërgjegjen, vetëdijen, mendimin dhe në mënyrë direkte ose indirekte edhe reagimet progresive ose destruktive.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).