EUvsDisinfo: Trendet kryesore të dezinformimit për vitin 2018 janë propaganda kundër Ukrainës, NATO-s dhe përhapjа dyshimeve në lidhje me vaksinimin

Fushata e Bashkimit Evropian kundër dezinformimit (EUvsDisinfo) publikoi një pasqyrë të trendeve kryesore në fushën e dezinformimit për vitin 2018, duke e lidhur përhapjen e gënjeshtrave për një spektër gjithnjë e më të gjerë çështjesh me aktivitetin e trollëve dhe mediave ruse.

Falë presionit të qeverive perëndimore ndaj kompanive të teknologjisë informatike, gjatë vitit të kaluar ata kanë vënë në dispozicion publik të dhëna që e tregojnë ndikimin e dezinformatave në rrjetet sociale.

Duke e shpallur vitin 2018 si “vit të mirë për troll-et“, pasqyra i potencon të dhënat kryesore statistikore nga Twitter-i, sipas të cilave dezinformatat në këtë platformë përhapen 6 herë më të shpejtë se sa e vërteta.

Qëllimi kryesor i kompanisë ruse “Internet Research Agency” (IRA), e cila shërben si fabrikë për troll-e e Kremlinit, gjatë vitit të kaluar ka qenë manipulimi i votuesve në SHBA. IRA në vitin 2018 është zgjeruar aq shumë sa është dashur të transferohen në hapësira të reja prej 12,000 metrash katrorë, të cilat janë tri herë më të mëdha se sa selia e deritanishme.

Qëllimet kryesore: Zgjedhjet, Ukraina, NATO dhe vaksinat

Senati i SHBA-ve ka konstatuar se regjimi i Putinit përdor kombinim të “sulmeve konvencionale ushtarake, atentateve, fushatave për dezinformim dhe sulmeve kibernetike” me qëllim që të ndikojnë në zgjedhje dhe në përgjithësi në politikën e SHBA-ve.

Fokus kryesor i fushatave qëllimkeqe ruse për dezinformim ka qenë situata në Ukrainën lindore dhe në Krime, me qëllim që autoritetet legjitime të Ukrainës të prezantohen si agresorë ose diskriminues të popullatës që e flet gjuhën ruse.

Dy qëllime tjera kryesore të këtyre përpjekjeve në vitin 2018 kanë qenë ishin diskreditimi i NATO-s dhe rreziqet e pretenduara nga vaksinimi.

Sa i përket përpjekjeve për t’i minuar pozicionet dhe përhapjen e NATO-s, pasqyra tregon se përveç troll-eve në internet, rola aktiv kanë luajtur edhe mediat ruse, për shembull nëpërmjet raportimit të rremë në lidhje me hetimin për aeroplanin e rrëzuar të pasagjerëve MH17, përhapjes së gënjeshtrave se 7 pilotë gjermanë kanë dhënë dorëheqje në shenjë proteste për shkak të “fushatës ushtarake të NATO-s kundër Rusisë” dhe për rastin Skripal.

Analiza e 1.8 milion tweet-eve tregoi se ndërmjet viteve 2014 dhe 2017 93% e tweet-eve për vaksinimin janë bërë nga profile qëllimkëqia, ndër të cilat kanë qenë profilet e trollëve rusë.

Studimi i Universitetit “Xhorxh Uashington ka konstatuar se çështjet e shëndetit publik kanë qenë cak i “përpjekjeve për të shpërndarë informacione të gabuara dhe të rreme nga forcat e huaja”, në mesin e të cilave edhe nga profilet e fabrikës ruse të trolleve – IRA. Ata kanë promovuar edhe porosi “për” dhe “kundër” vaksinimeve, me qëllim që të shkaktojnë huti te publiku dhe për ta zvogëluar besimin te institucionet.

Mark Dredze, një nga autorët e këtij hulumtimi, tha se qëllimi i trolleve ruse është të shkaktojnë mosmarrëveshje dhe mosdurim duke i nxitur të dyja palët në debat, me rezultat përfundimtar të “zvogëlimit të besimit në vaksinim, me çka të gjithëve na vë në rrezik nga sëmundjet ngjitëse”.

Reagimet e autoriteteve perëndimore

Si përgjigje ndaj këtyre ndikimeve, institucionet e vendeve të NATO-s kanë ndërmarrë një sërë masash, duke filluar nga SHBA-të duke ngritur aktakuza kundër IRA-s dhe 13 shtetasve rusë për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016.

Njëra nga të akuzuarat, Maria Bogaçova, ka punuar edhe në Maqedoni në vitin 2015, sipas një hulumtimi të pavarur gazetaresk të “BuzzFeed” dhe Projektit për raportim për krimin e organizuar dhe korrupsionin (OCCRP).

Me zgjidhjet e reja ligjore në Francë, platformat në internet kanë për obligim të publikojnë të dhëna për burimet e financimit për reklamimin politik. Sipas ligjit të ri në Gjermani, kompanitë që nuk i heqin përmbajtjet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes ose dezinformata nga platformat e tyre brenda 24 orëve, mund të marrin gjoba deri në 50 milionë euro.

Si reagim ndaj këtyre zhvillimeve, Facebook-u në vitin 2018 e ka rritur numrin e të punësuarve që janë të angazhuar për zbulimin dhe heqjen e përmbajtjeve të paligjshme. Vetëm gjatë muajit maj dhe qershor, Twitter-i ka mbyllur 70 milionë profile të dyshimta.