“Facebook gazetaria”, nuk është gazetari

Me përdorimin masiv të rrjeteve sociale për komunikim, ka nisur edhe faktorizimi i personave që nuk kanë vend në një sferë, apo post me të cilin do të ishin “të thirrur” për të bërë deklarata ose komente në fushën politike. Kështu, një mori përkrahës të ndonjë strukture politike apo kundërshtarë të ndonjë politike tjetër, publikojnë “statuse” Fejsbuku ose Twitteri për të komentuar fenomene politike. Por, nuk është problematike ajo që shkruhen statuset, por që përcillen si lajm me relevancë në mediat e internetit.

Linku deri te artikulli: Bela e ‘godet’ Blerim Rekēn

Data e publikimit: 11.03.2019

Data e recensionit: 20.03.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

I tillë është rasti në tekstin që po recensojmë. Një tekst i tërë gjoja informativ, i është kushtuar një statusi në Fejsbuk të Valon Belës, që përveç postit të drejtorit ekonomik në spitalin gjinekologjik në Shkup, ku është vendosur së fundmi, nuk ka ndonjë post tjetër politik. Të paktën aq sa din publiku.

Mos humbi kohë me “lajme” nga statuse Fejsbuku, ato i lexoni edhe vetë!

Autori i tekstit e ka faktorizuar duke i lejuar hapësirë në kategorinë e lajmeve, për të kritikuar një elektorat të tërë që përkrah politikat e Aleancës për Shqiptarët dhe Besës, pasi ata janë përkrahësit e kandidimit të profesorit Blerim Reka për president.

”S’mund të themi se Sela & Kasami po imitojnë Menduhin dhe PDSH-në sepse edhe Menduh Thaçi nxjerrte kandidat shqiptar, por ndryshe nga Sela e Kasami, ai e nxirte nga të tijët. Këta tjerët shkuan dhe e nxorën një kandidat që 17 vite kishte pirë nga gjiri i BDI-së”, shkruhet në tekstin që po e recensojmë.

Lëre që autori i statusit në fejsbuk ka ofenduar partitë, por ka shkuar edhe më tej, duke e quajtur kandidatin për president Blerim Reka si njeri të BDI-së, për çka nuk ka ofruar asnjë fakt.

Për lexuesit: “Facebook gazetaria, nuk është gazetari”!

Ju lexues nuk duhet të lodheni duke lexuar tekste ose statuse fejsbuku, të cilat ua zbukuron ndonjë medium. Nëse dëshironi të informoheni, edhe ju sigurisht se bëni pjesë në përqindjen e madhe të qytetarëve që përdorin Fejsbukun dhe kështu me një klikim të vetëm keni gjithçka para vetes. Por edhe po të mos jetë ashtu, nuk duhet të merrni gjithçka gati së bashku edhe me intepretimin e autorit të tekstit, pasi ju jeni ata që vetë duhet të nxirrni konkluza, bazuar në lajmet që lexoni e njerëzit që njihni.