“Facebook gazetaria”, parajsë për lajme të paverifikuara

Fotografia e huazuar nga Pixabay

Shkruan: Ferikan Iljazi 

Në kohën kur rrjetet sociale kanë marrë hov në shumë sfera, përfshi edhe sferën e informimit, është zhvilluar edhe një dukuri negative e cila e dëmton gazetarinë cilësore dhe profesionale. Media dhe gazetarë të caktuar gjithnjë e më shumë i përdorin përmbajtjet e postuara në rrjetet sociale si burim informacioni të mirëqenë dhe pa nevojë konfirmimi. Kjo ndikon në përhapjen e lajmeve të paverifikuara, që shpesh rezultojnë të jenë të pasakta, pjesërisht me gabime, ose propagandë e pastër qëllimkeqe.

Anashkalimi i verifikimit të informatës në terren

Pavarësisht nëse burimi vjen nga rrjetet sociale, nga denoncimet e qytetarëve apo burime të tjera që në shikim të parë edhe mund të duken relevante, detyrë e gazetarit është që të verifikojë çdo informacion që mund të verifikohet në terren. Standardet e gazetarisë profesionale kërkojnë verifikime të shumëfishta në terren, pavarësisht burimeve. Sidoqoftë kjo praktikë gjithnjë e më shumë po anashkalohet nga gazetaria moderne.
Mediet po mjaftohen me gjithnjë e më pak burime, ose burime gjithnjë e më të dobëta e të pa verifikuara. Për këtë shkak gjithnjë e më shumë gabime po arrijnë të shohin “dritën” edhe në ballinat e medieve që vlerësohen si më serioze.

Për shkak të valës së këtyre teksteve që janë shkruar shpejt e shpejt, vetëm sa mediat të dalin të parat me lajmin, po prodhohen tekste të cilave u mungon standardi i mirëfilltë i gazetarisë, dhe frikësohem se në të ardhmen, gjërat e gabuara ose “të ndaluara” në gazetari, do të bëhen praktikë, pasi do të bëhemi imun ndaj tyre.
Edhe gjatë recensimit të teksteve në projektin “Crithink”, keni pasur mundësinë të hasni një mori tekstesh që kanë të bëjnë me dezinformin, ose mungesë informimi të mirëfilltë, shkaku i përcjelljes së lajmeve në formën e “telefonit të prishur”. Secili e transmeton lajmin e secilit, dhe në fund as nuk dihet se kush e ka bërë gabimin, pasi të gjithë publikojnë të njëjtën gjë.

Teksi “Së pari vërtetohet, e më pas publikohet lajmi” i projektit tregon më së miri se çfarë shkakton dhe si duket shpejtësia në lajme të paverifikuara, sidomos kur bëhet fjala për tema të ndjeshme, si ajo e aksidentit me rrokullisjen e autobusit në fshatin Llaskarcë. Vetëm një tekst i një mediumi, shkaktoi një valë lajmesh të shpejta për atë se nga aksidenti u shënuan 15 viktima, edhe pse në momentin që publikohej lajmi, ende nuk kishte një gjë të tillë.

Një shembull tjetër që do ilustronte problemin me lajmet e paverifikuara, është edhe teksti për gardhin rreth Qeverisë. Nga shpejtësia për të njollosur Qeverinë dhe nga dëshira për të nxjerrë gjoja informacion, është përcjellë informacion se gardhi kushton 7 milion euro, ndërsa nuk e ka marrë mundimin për të bërë verifikimin e kësaj informate.

Gjatë kohës kur bëheshin tekste masive për punësime të familjarëve të funksionarëve të LSDM-së në institucione shtetërore, shiteshin një mori tekstesh të pavërteta ose gjysmë të vërteta sikurse teksti për punësimin e djalit të deputetit Goran Misovski. Pa marrë mundimin për ta verifikuar lajmin nga dora e parë, autori ka publikuar tekst në të cilin ka shkruar pretendime serioze, ndërsa verifikimin ose argumentet i ka zero.

Teksti tjetër “Vajza e humbur, e cila kërkohet nëpërmjet “Facebook”-ut, nuk është nga Shutka, por nga Serbia” i cili poashtu është recensuar në projektin tonë, shpërfaqë seriozitetin e publikimit të lajmeve të paverifikuara që shpesh nxisin edhe panik tek qytetarët siç është rasti me dyshimet për kidnapim fëmijësh. Vazhdimisht lëshoheshin tekste që gjoja po kidnapohen fëmijë në vende të caktuara, por pa patur asnjë konfirmim nga MPB-ja.

Ndarja mes “interesit publik” dhe “gazetarisë përtace”

Është e vërtetë se në raste të caktuara, për shkak të interesit publik, mediet mund të ngritin çështje të cilat nuk janë lehtë të verifikueshme, me qëllim që të nxisin debat publik dhe reagim nga institucionet. Megjithatë ajo qasje është e pranueshme vetëm kur interesi publik është shumë i madh, ndërsa gazetari përkundër të gjitha përpjekjeve në terren, nuk ka arritur ta verifikojë lajmin. Pra, e nënvizojmë, përkundër të gjitha përpjekjeve në terren. Publikimi i informacionit pa shterjen e këtij kushti, nënkupton tendencë dhe nuk mund të kamuflohet me interes publik.

Demanti nuk mbulon dëmin e dezinformatës

Publikimi i çdo informate që merret si e gatshme pa bërë përpjekje për ta verifikuar, përveç që e dëmton rëndë kredibilitetin e medies dhe gazetarit protagonist, dëmton edhe vetë qytetarët. Për shkak se çdo vendim i qytetarëve, jo vetëm në politikë por edhe në çdo sferë tjetër të jetës së përditshme, bazohet në informacion. Shpërndarja me shpejtësi e lajmeve të rreme krijon perceptime që nuk janë të bazuara në fakte dhe në realitet.
Pastaj, lajmi edhe mund të demantohet nga institucione përkatëse apo persona ose organizata që trajtohen me atë lajm, por në të shumtën e rasteve dezinformata shpërndahet shumë më shpejtë dhe prek tek shumë më shumë lexues se sa demanti për të njëjtën. Kjo ndodh për shkak se dezinformatat rëndom kanë karakter sensacioni, përmbajnë tituj bombastik ose trajtojnë çështje që janë aktuale ose u interesojnë lexuesve në momentin dhe kontekstin në të cilin janë shkruar. Prandaj, kur lexojmë artikuj të tillë bombastik, duhet të shohim se çfarë burime ofron gazetari. A janë burimet relevante dhe a janë të pavarura dhe pa asnjë lidhje interesi nga tema e cila trajtohet? A janë burimet e verifikueshme në terren dhe a ka bërë gazetari përpjekje të mjaftueshme për t’i verifikuar ato? Nëse vëreni se përgjigjeja e shumicës së këtyre pyetjeve është JO, atëherë me shumë mundësi artikulli në fjalë është dezinformatë.