Gazetari me porosi: Nuk kanë fakte, vetëm muhabete çajtoresh

Recension Visar Ganiu
Recension Visar Ganiu

Screenshot nga lajmi që recensohet

Teksti që po e recensojmë është shembull se si nuk duhet të duket një produkt gazetaresk, sidomos kur u adresohet politikanëve. Mediat duhet të kërkojnë përgjegjësi nga bartësit e funksioneve politike dhe institucionet duke përdorur argumente ndërsa të dëshmojnë me video dhe foto të dokumentuara. Teksti në fjalë nuk ka argumente. Teksti në fjalë nuk ka fakte ndërsa e tërë qasja është krejtësisht e gabueshme dhe aspak objektive.

Link deri te artikulli origjinal: Qytetari: Çairi vazhdon të mbetet si Kandahari, edhe pse kaluan 1 vjet nga ‘’Kontrata’’ e Visar Ganiut

Data dhe koha e publikimit: 29.10.2018

Data e recensionit: 08.11.2018

Recensues: Xhenis Sulimani

Kur lajmi nuk ka argumente, mediаs nuk mund t’i besohet

Teksti fillon me “Kaluan 1 vjet nga “Kontrata” e parealizuar e Visar Ganiut, Çairi si në Kandaharë!”. Përpos që ka gabime gjuhësore që në fjalinë e parë: fjala “Kandahar” shkruhet pa ë, autori pohimin nuk e mbështetë në asnjë argument të vetëm. Nuk ka asnjë foto e dokumentuar, që do të bindte opinionin dhe do të pasyronte gjendjen reale sa i përket infrastrukturës. Lexuesi duhet ta dallojë që ky shkrim nuk ka informacion të saktë dhe të plotë. Nuk shkruan më gjatë dhe më thelbësisht për gjendjen në komunë.

Opinioni ka të drejtë të dijë prej nga buron pohimi se komuna në fjalë i ngjanë një qyteti në Afganistan dhe se kryetari aktual nuk ka realizuar asnjë pikë nga premtimet e tij elektorale.

Vëreni nëse tekstit i mungon pala tjetër

Në vend që paragrafet autori t’i shfrytëzojë për të numëruar fakte mbi atë që mëton të na bindë, ai citon qytetarë të cilët mbeten anonim dhe që janë shprehur mbi punën e kryetarit Visar Ganiu.

“Si ishte para 365 ditëve, ashtu vazhdon të jetë edhe sot, turp për këta pushtetarë’’, thotë një qytetar nga Çairi.”

Kjo për ne që recensojmë lajmin, është argument se autori përdor qasje selektive kur denoncon të pabërat e kryekomunarit. Qasja selektive është teknikë manipulimi e cila zakonisht përdoret për të veçuar vetëm një aspekt, i cili i konvenon autorit.

Madje, më keq është situata me këtë shkrim, se banorët janë anonim. Në mediat e shkruara nuk mund të kemi banorë anonim. Në televizion ku ka pamje, banorët mund të mos emërtohen, por në mediat e shkruara kjo është e papranueshme sepse ka gjasa që deklaratat të trillohen!

Pastaj, janë argumentet për t’i forcuar ankesat e qytetarëve?! Supozojmë, foto parku i papastruar, foto nga infrastruktura e dobët, video nga premtimet për të cilat është zotuar se do të përmbushen brenda një viti qeverisje, … e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, kur raportohet për këso rastesh, gazetari është i detyruar që palës së përfshirë t’i jepet mundësia për t’u sqaruar. Nuk duhet të mungojë në këtë tekst deklarata e Visar Ganiut rreth akuzave e aq më pak “Kontrata”- programi politik i kryekomunarit.

Nëse hasni tekste të tilla, dijeni që nuk janë produkt i mirëfilltë gazetaresk

Opinioni ka të drejtë të informohet saktë, dhe në mënyrë objektive. Në tekst, mungon argumentimi, mungon pala e dytë, mungon “Kontrata”, … Lexuesi duhet të ketë informacion të plotë mbi ngjarjet dhe rrjedhat politike me qëllim të formimit të mendimit kritik. Që një lexues të jetë edhe votues i drejtë ka nevojë për argumente të verifikuara dhe jo selektive me qëllime propagandistike. Media duhet ta ndihmojë lexuesin. Duhet që bashkë me shkronjat në produktin gazetaresk të renditë edhe fakte, burime, … e përsëris prap, sidomos kur kihet parasysh përgjegjësia e politikanëve dhe kapja për fjalën e dhënë publike.