Gazetari të hulumtojë kush e shtroi rrugën dhe jo të komentojë!

Një anshmëria në lajm është vrasësi i objektivitetit. Në fakt, në qoftë se ka njëanshmëri nuk mund të ketë informim të drejtë dhe objektiv. Pasqyrimi i qëndrimit të vetëm njërës pale nuk e plotëson mozaikun e informacionit dhe publikut mund t’i transmetohen informacione të shtrembëruara. Teksti që e recensojmë nuk është objektiv.

Lajmi qe recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Bekim Memeti: Arben dil në “siret” por trego kush asfalton

Data dhe koha e publikimit: 21.06.2019

Data e recensionit: 24.06.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Çfarë trajton lajmi?

Kreu i Komunës së Gostivarit Arben Taravari ka publikuar në rrjetin social “Fejsbuk” disa fotografi me mbishkrimin “Filluan punimet për asfalltimin e rrugës Llakavicë- Sërmnovë”.

Postimi i tij ka ngjallur reagimin drejtorit të ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë” – dega në Manastir, Bekim Memeti. Kjo është “një betejë” klasike mes dy personave në funksione të caktuara, për marrjen e meritave për një punë të caktuar. Zakonisht gazetarët merren me këto lloje “përplasjesh”. Problemi këtu është që lexuesit i ofrohet mendimi i vetëm njërës pale.

 “Arben, ti mundesh me dal foto me rrugët e asfaltuara, por jo edhe të mashtrosh opinionin, ne do të vazhdojmë edhe më tej të investojmë në Gostivarin tënd sepse ata janë qytetarët tanë dhe investimet tona në këto vise nuk do të ndalen. Projektet e Np” Rrugët e Maqedonisë” janë për të gjithë qytetarët pa dalluar simpatitë e tyre partiake,e veçanërisht në Gostivar, por duhet që në të ardhmen të jesh më burrë dhe tua tregosh të vërtetën qytetarëve” thuhet në reagimin e drejtorit të Np “Rrugët e Maqedonisë” – Manastir, Bekim Memetit

Pak më poshtë në tekst shkruan se “Sipas Memetit, Np “Rrugët e Maqedonisë” do të vazhdojnë edhe gjatë vikendit të punojnë intensivisht që punimet të përfundojnë sa më shpejtë që qytetarët të jenë të kënaqur me investimet kapitale”.

Çfarë mendon pala tjetër?

Në lajm nuk sqarohet se pse nuk është siguruar edhe qëndrimi i Taravarit meqë ai është personi që akuzohet për mashtrim. Nuk dihet nëse gazetari ka tentuar ta kontaktojë, nëse ka marrë ndonjë sqarim nga ai ose jo. Vetë Taravari mund të kishte sqarim tjetër për rastin, mund të kishte kundërakuzë ose pranim të asaj që ka thënë Memeti. Tek e fundit, edhe në postimin e tij në rrjetet sociale, Taravari askund nuk e potencon qartë se bëhet fjalë për investim të institucionit me të cilin ai udhëheq.

Kodi etik i gazetarëve:

Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

Teknikat e manipulimit

Gazetari ka përdorur dëshmi selektive. Kemi vlerësimin dhe akuzat e njërës pale por nuk kemi mbrojtjen ose kundërakuzat e palës tjetër. Gazetari e ka marrë edhe si përfundimtar dhe të pamohueshëm pohimin e Memetit duke e plotësuar atë edhe me të dhëna të tjera për punën në institucionit që drejton ai. Këto të dhëna janë për ta ndihmuar dhe përforcuar mendimin më lart.

Çfarë duhet të dinë lexuesit?

Është e rëndësishme t’i dëgjojmë ose lexojmë mendimet e të gjithë aktorëve të përfshirë në një zhvillim me qëllim që të krijojmë një pasqyrë sa më të qartë të situatës reale. Vetëm kështu gjykojmë se kujt mund t’i japim të drejtë.
Nëse do ta kishim edhe vlerësimin e Taravarit ose të Komunës së Gostivarit, të siguruar dhe të publikuar nga gazetari, do të dinim se pse Taravari e ka bërë atë postim; a është komuna kompetente për atë rrugë; nëse po, pse nuk ka investuar më herët, nëse jo, si i komenton akuzat se po mashtron qytetarët?
Në rast se ndodhej në një udhëkryq pretendimesh kontradiktore ku palët do të vazhdonin të fajësonin njëra-tjetrën për mashtrim dhe do të tentonin të merrnin mbi vete meritat për rrugën, gazetari duhet ta kishte hulumtuar më thellë ngjarjen për t’i siguruar lexuesit të vërtetën për investimin. Në të kundërt, lajmi është i njëanshëm dhe jo i plotë.