Hidhërimin e mbështetësve të ASH dhe Lëvizjes Besa ndaj kandidatit Blerim Reka, nuk e shohim në tekst

Foto nga teksti qe recensohet
Foto nga teksti qe recensohet

Në prag zgjedhjesh, “lufta” mes partive politike reflektohet lehtë edhe te mediat, edhe te opinion. Është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme që, edhe në këtë periudhë, media të arrijë të ruajë balancin, informimin profesional, pa anuar publikisht për ndonjërin nga pjesëmarrësit në zgjedhje. Lajmi i recensuar është shembull i animit politik, duke diskredituar palën tjetër.

Foto nga teksti që recensohet
Foto nga teksti që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: “Aktivistët e Aleancës dhe Besës refuzojnë të votojnë për Blerim Rekën e BDI-së?!”

Data dhe koha e publikimit: 17.04.2019, 09:42

Data e recensionit: 18.04.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Titulli paralajmëron ndonjë zbulim nga ana e medias se mbështetësit e ndonjë partie politike nuk e mbështesin kandidatin e kësaj partie për president të vendit. Kjo nënkupton përçarje brendapartiake, gjë e cila ngjallë interesimin e opinionit. Në tekst, nuk thuhet asgjë për këtë “zbulim” të medias. Aty vetëm hapet pyetja se si mundet që votuesit e këtyre dy partive të votojnë kandidatin Blerim Reka.

“Në rrjetet sociale kanë shpërthyer fotografi te kandidatit opozitar per president te shtetit Blerim Reka qe pretendojne anetaresine e Rekes ne Bashkimin Demokratik per Integrim. 

Shtrohet pyetja, si aktivistët dhe votuesit e Aleances se Seles dhe Beses se Kasamit do te votojne per nje kandidat qe nuk rrjedh na arradhat e tyre dhe a po ballafaqohet Reka me nje hidherim nga strukturat e partive qe e mbeshtesin ate pas publikimit te fotove dhe paralajmerimit te publikimit edhe te videove qe deshmojne përkatësinë e Blerim Rekës në BDI?!” shkruhet në tekstin që e recenzojmë.

Lajm mbi parime, i domosdoshëm

Përpjekje për të manipuluar me opinionin dhe për ta shpërqëndruar, kështu mund të përshkruat lidhshmëria që është tentuar të bëhet mes titullit dhe përmbajtjes së këtij teksti. Dilemat hidhen në opinion por nuk është bërë as përpjekje minimale për t’i trajtuar ata siç duhet. Aty mund të lexohet qëndrimi i kreut të BDI-së Ali Ahmeti për ish postin e ambasadorit për Blerim Rekën por nuk gjendet askund qëndrimi i Rekës për këtë gjë.
Pyetjet e shtruara nga autori janë komentuar nga vetë ai.

Kodi etik i gazetarëve

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.

Manipulimi me informacionet

Informacionet e përdorura për të ndërtuar lajmin janë “dëshmi selektive”. Fotografia që publikohet nuk është fakt i mjaftueshëm për të dëshmuar se Reka ka qenë anëtar i BDI-së. Reagimet në rrjetet sociale janë vetëm “argumente rrethanash” ose tentim për të treguar se diçka është e vërtetë vetëm duke supozuar se ashtu duhet të jetë. Hidhërimin e mbështetësve të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, ndaj kandidatit Blerim Reka, nuk e shohim askund në tekst.

Lexuesit duhet të dinë se…

Lajmi duhet të ishte bazuar në argumente, të vërtetohej nëse Reka ka pasur ndonjëherë librezë partiake të BDI-së (ashtu siç shkruan), të sjellë qëndrimin e tij për këtë gjë, të sjellë zërin e opinionit nëpërmjet ndonjë ankete dhe ndoshta edhe qëndrimin e dy partive politike të cilat e mbështesin atë. Titulli duhet të ishte përshtatur me përmbajtjen e tekstit, të mos sillte konstatime tek të cilat autori nuk ka arritur dhe të ishte më objektiv.