Ivanovi dhe Cërvenkovski duhej të ishin pyetur se pse nuk i kanë mbajtur kufjet gjatë inaugurimit të Pendarovskit

TV 21: Xhaferi flet shqip në Kuvend, Ivanovi dhe Cërvenkovski nuk i mbajnë kufjet
TV 21: Xhaferi flet shqip në Kuvend, Ivanovi dhe Cërvenkovski nuk i mbajnë kufjet

Raportimi i drejtpërdrejt nga ngjarje të cilat kanë tërë vëmendjen e publikut, ka dëshmuar raste të shumta të raportimit joprofesional nga ana e medieve, duke bërë që publiku të “ngarkohet” edhe me informata të cilat nuk kanë interes publik dhe nuk japin përgjigje në pyetjen kryesore “Pse?”. I tillë ishte lajmi edhe se ish presidenti të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Gjorge Ivanov dhe Branko Cërvenkovski nuk i kanë mbajtur kufjet gjatë fjalimit të kryetari të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Foto nga lajmi qe recensohet
Foto nga lajmi qe recensohet

Linku deri te artikulli: “Xhaferi flet shqip në Kuvend, Ivanovi dhe Cërvenkovski nuk i mbajnë kufjet”

Data e publikimit: 12.05.2019

Data e recensionit: 20.05.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull sensacional që nxit emocione

Në rrethanat e RMV-së, ku çështja e gjuhës shqipe është temë që gjithnjë ngjall debate, sigurisht shpesh herë paraqet edhe “mashë” për mediat për të tërhequr lexuesit. I tillë është edhe titulli i lajmit “Xhaferi flet shqip në Kuvend, Ivanovi dhe Cërvenkovski nuk i mbajnë kufjet”.

“Seancën për inaugurimin e presidentit të ri Stevo Pendrovski, kryeparlamentari Talat Xhaferi e udhëhoqi në gjuhën shqipe. Ata që nuk kuptonin mbanin kufje për të dëgjuar përkthyesin. Por, ish-presidentët Branko Cërvenkovski dhe Gjorge Ivanov nuk po përdornin kufje”, thuhet në lajmin e recenzuar. 

Vendosja e vëmendjes në gjuhën shqipe, ka bërë që media ta përdor konceptin e manipulimit “tendencë për vëmendje selektive”, e cila ka qëllim të nxit vlera të larta emotive dhe kognitive, duke theksuar vëmendjen vetëm te një gjë në një ngjarje. Me këtë, autori nuk konsideron rrethanat tjera, por veçon vetëm një dukuri duke injoruar informacionet përreth. Autori ka tentuar të dëshmojë se mosvënia e kufjeve mund të ishte “mosrespekt ndaj gjuhës shqipe”. Kjo është edhe në kundërshtim me Kodin etik të gazetarëve:

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”, thotë parimi i dhjetë.
“Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me mirësjelljen dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni”, thotë parimi i njëmbëdhjetë.

Mungesa e deklaratës së Ivanovit dhe Cërvenkovskit, lajm pa baraspeshë

Nëse lexohet tërë artikulli gazetaresk, shihet se nuk është dhënë përgjigje në pyetjen se, pse Ivanovi dhe Cërvenkovski nuk i kanë mbajtur kufjet gjatë fjalimit të Xhaferit. Kjo do të tregonte qëllimin e veprimit të Ivanovit dhe Cërvenkovskit, dhe kështu autori do të tregonte edhe vetë qëllimin e artikullit. Me këtë, do të verifikohej edhe pse ky lajm i takon interesit publik.

Koncepti i manipulimit: “Argumenti kundër personit” është përdorur me qëllim që të sulmohet Ivanovi dhe Cërvenkovski, në raport të gjuhës shqipe. Kjo bëhet duke mos u thirr të njëjtit që të japin qëndrim në lidhje me temën për të cilën ka pasur interes media.

Mossaktësimi se a është kërkuar qëndrim nga Ivanovi dhe Cërvenkovski për mosvënien e kufjeve, është në kundërshtim edhe me parimin e parë të Kodit etik të gazetarëve, i cili u jep gazetarëve qasje në çdo informacion.

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thotë parimi i parë.

Për lexuesit: Lajmi me çdo kusht duhet të japë përgjigje në pyetjen “Pse shkruhet?”

Mediat janë të detyruara që ta promovojnë interesin publik dhe t’i ruajnë vlerat demokratike, duke përfshirë në artikujt gazetaresk të gjitha qëndrimet e palëve të përfshira. Media gjithashtu është e obliguar që të japë përgjigje në artikull se pse një temë që për të ka ngjallur interes, dhe ku e prek qytetarin ajo temë. Artikujt gazetaresk duhet të reflektojnë natyrën diversive të RMV-së, ndërkaq gazetari duhet të përpiqet që të marrë qëndrime nga autoritet në të cilat thirret, në këtë rast Ivanovi dhe Cërvenkovski, në të kundërtën, ju qytetarët nuk duhet të informoheni me fakte selektive dhe qasje të njëanshme të cilat kanë qëllim të luajnë me ndjenjat e juaja.