Kandidati “konsensual” nuk ka fuqi të fshehë krimin dhe korrupcionin e ndonjë partie politike

Fushata zgjedhore për president dhe kryetar komune në tre komuna, ka ashpërsuar fjalorin me të cilin shkruajnë mediat, duke menjanuar të gjithë praktikat etike, morale dhe ligjore që ndiqen në “kushte normale”. Gjithnjë e më shumë media online që njihen për përkahjen e një ose subjekti tjetër politik, duken të sulmojnë subjektin oponent, edhe pa patur argumente fare. Çdo kolumnë ose ide që u vjen tekshkruesve, e shkruajnë në kategorinë e informacionit, dhe kështu tentojn të prodhojnë një praktikë të keqe të informimit.

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: “Matrapazët ”e BDI-së duan ta fshehin krimin dhe korrupcioni nëpërmjet kandidatit “Konsensual”

Data e publikimit: 09.04.2019

Data e recensionit: 17.04.19

Recensuese: Ferikan Iljazi

Mos i merrni parasysh komentet politike në lajme, në kohë fushate, duan tu ç’orientojnë!

Në këtë tekst i cili është kryekëput koment, autori ka shkruar një sërë aludimesh, akuzash, të cilat edhe pse mund të jenë “sekrete publike”, nuk ka se si i mbështet me prova. E në këtë rast, kur nuk ke prova, nuk ke as lajm.
Ky tekst është kryekëput koment politik i cili duket sikur të ishte shkruar nga një analist politik, për rubrikën e kolumnave, e jo nga një gazetar që shkruan për kategorinë informative.

“Kohëve të fundit matrapaz politikë  akuzojnë se dikush  ua prish aksham pazaret politike me partnerët e Qeverisë dhe interesat e tyre vetanake i identifikojnë me shqiptarizëm: kandidatin e përbashkët qeveritar siç vetë e quan një parti politike qeveritare shqiptare e paraqesin si kandidat të marrëveshtjes politike të konsensualitetit”, shkruan në tekstin që po recensojmë.

Në këtë tekst ka edhe një sërë aludimesh për partitë shqiptare në pushtet, por edhe më tej, pa asnjë filtër, pas asnjë burim, e pa asnjë mbështetje logjike. Vetëm bazuar në supozimet e autorit, të cilat mun ti bëjë edhe vetë lexuesi, pa ndihmën e mediave.

Autori ka disa poenta, që nuk i ka mbështetur deri në fund, edhe pse për këto pretendime ka patur edhe reagime publike, edhe procedura hetimore nga institucionet, edhe prova.

Autorit i ka ardhur më lehtë që këtë tekst ta shkruajë në formë komenti, pa e mbështetur në asgjë prej asaj që përmenda më lartë.

Kështu, autori ka folur për Sekretariatin për zbatimin e MO-së që thotë se ishte shtab i militantëve partiak të partisë shqiptare në pushtet, por nuk tregon bazën dhe asnjë provë për këtë pohim, edhe pse është “sekret publik”.

Autori flet edhe për nepotizmin e qeveritarëve që kanë punësuar familjarët e ngushtë në institucione të rëndësishme shtetërore, ku ka paga të larta, dhe kjo gjithashtu është shumë lehtë e vërtetueshme, pasi ekzistojnë një mori informacionesh publike lidhur me këto punësime. 

Autori ka folur edhe për ikjen masive të qytetarëve jashtë shtetit, dhe edhe kjo ka mundur shumë lehtë të verifikohet.

Mos lejoni që tu imponojnë teza që nuk ua argumentojnë pasi vetëm ia ulni vlerën informatës që vjen deri te ju.

Lexuesit kanë një filtër shumë të mirë për lajmet e rrejshme, manipuluese, dhe lajmet me vlerë. Me apo pa vetëdije, lexuesit bëhen imun ndaj sharjeve të përditshme, akuzave të përditshme. Në këtë mënyrë, ato tashmë mund të kenë një ide të qartë se cili tekst ka qëllim manipulimin e cili informimin. Këtë filtër, lexuesit duhet ta shfrytëzojnë mirë sidomos gjatë fushatës, pasi partitë politike nuk zgjedhin mjete për manipulim dhe shpërndarje të lajmeve të rreme për oponentin politik. Nëse e keni të vështirë të detektoni se cili medium për cilin subjekt politik bën tifo, ndiqni lajmet vetëm një javë rresht por në kombinim prej disa mediash online, për të patur ide të qartë se kush për kë punon. Në këtë mënyrë do të dini edhe çfarë “konsumoni” dhe nuk do të lejoni tu kontaminojnë me mendime ose qëndrime personale të dikujt që nuk janë një e vërtetë.