Kërkoni argumentet në lajme dhe mos e arsyetoni mungesën e fakteve

Për ta manipuluar publikun, në media shpesh do të hasni në shkrime që duan të na vërtetojnë diçka me arsyetimin se nuk ka argumente për tu vërtetuar e kundërta e asaj që pohoet në tekst. Ndryshe, ky lloj manipulimi quhet “thirrje në mungesë të argumentit kundërshtues”.

Ky manipulim, zakonisht përdoret kur gazetarët kanë informacion të paverifikuar. Prandaj, gazetari duke spikatur mungesën e argumentit kundërshtues tenton ta arrijë vërtetësinë e asaj që e plason si informacion.

Link deri te artikulli origjinal: “Qeveria do ta mbyll Agjencinë pë punësim në Maqedoni”

Data dhe koha e publikimit: 13.12.2018

Data e recensionit: 14.12.2018

Recensues: Xhenis Sulimani

Hulumto për fakte nëse s’ke

Shkrimi që e recensojmë sot është shembulli konkret i manipulimit në fjalë. Teksti nis me “lajmin” që në fjalinë e parë. “Nuk do të ketë më agjenci për punësim në Maqedoni” dhe në vend që ta argumentojë informacioni e ta mbështetë në fakte apo në burime zyrtare, gazetari informacionin e arsyeton duke shkruar se nga agjencia për punësim nuk ka informacion për këtë gjë.

“Nga agjencia për punësim nuk kemi ndonjë informacion zyrtarë se ky institucion në të ardhmen do të mbyllet, por as nga Byroja se do t’i merr punët e Agjencionit.”

Nga citati i mësipërm opinioni e ka fare lehtë ta demantojë informacionin në titull dhe në hyrje të tekstit. Në tekstin që po e recensojmë bindemi se autori me dy burime arsyeton se s’ka informacion për atë që në fillim e paraqet si lajm.

Detyroi insticionet të flasin, mos e interpreto heshtjen

Detyra e gazetarit është që burimet t’i shfrytëzojë për verifikim të fakteve dhe jo të njëjtat t’i pret që të prononcohen, apo në rastin më te keq- si ky i joni- ta interpretojë mungesën e prononcimit si vërtetim të lajmit që e plason në opinion.

Nuk preferohet interpretimi i gazetarit kur mungojnë faktet. Institucionet duhet të jenë të hapura për mediat dhe gazetarët duhet t’i detyrojnë të flasin kur duhet verifikim i ndonjë informacioni.

Opinioni duhet të mësojë se pa verifikim të fakteve nuk ka lajm. Nuk argumentohet lajmi me mungesë të fakteve kundërshtuese, pa bërë hulumtim dhe pa tentuar gazetari që t’i drejtohet institucionit përkatës, me telefon, nëpërmes e-mailit apo edhe për deklaratë direkte me kamerë. Heshtja nuk interpretohet si vërtetësi, por si mungesë e fakteve.