Konferencë: E domosdoshme të rishikohen planet dhe programet mësimore me përmbajtje për njohuri elementare mediatike në arsim

Konferencë e Shkollës së lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun - "Njohuritë elementare mediatike në arsim - parakusht për pjesëmarrjen e të rinjve në proceset shoqërore dhe politike në Maqedoni", u mbajt më 18.12.2018.
Konferencë e Shkollës së lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun – “Njohuritë elementare mediatike në arsim – parakusht për pjesëmarrjen e të rinjve në proceset shoqërore dhe politike në Maqedoni”, u mbajt më 18.12.2018

“Është urgjente dhe e domosdoshme të rishikohen planet dhe programet mësimore me përmbajtje për njohuri elementare mediatike në arsimin fillor me tema që synojnë nxitjen e pranimit dhe analizës kritike të përmbajtjeve mediatike, veçanërisht të atyre ndaj të cilave janë më së shumti të ekspozuar nxënësit – mediat e reja dhe rrjetet sociale. Njohuritë elementare mediatike duhet të inkorporohen në të gjitha periudhat arsimore – nga arsimi parashkollor deri në atë të larë, duke i përfshirë tre elementet themelore të këtij koncepti: qasjen, analizën dhe prodhimin e përmbajtjve mediatike në të gjitha format e mundshme.”

Këto janë përfundimet kryesore të konferencës përmbyllëse të Shkollës së lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun “Njohuritë elementare mediatike në arsim – parakusht për pjesëmarrjen e të rinjve në proceset shoqërore dhe politike në Maqedoni”, që u mbajt më 18.12.2018. në Shkup, në kuadër të projektit trevjeçar të “Koalicionit për njohuri elementare mediatike”.

Përfundimet e ngjarjes përkojnë me gjetjet e hulumtimit “Njohuritë elementare mediatike në Maqedoni – përpjekje për implementim në arsimin fillor”, të cilin Shkolla e lartë e realizoi në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Në të konstatohet se në librat shkollorë në arsimin fillor – në të gjitha gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi, mësohen përmbajtje të vjetëruara për mediat dhe ato duhet urgjentisht të ndryshohen. Mësimdhënësit kanë nevojë për trajnime për njohuritë elementare mediatike, si dhe për mjete bashkëkohore didaktike dhe kushte për produksion mediatik (doracakë, praktikume, mediateka, etj.).

Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit pritet angazhim më i madh në monitorimin e zbatimit të programeve mësimore me qëllim që të përcaktohen me kohë nevojat e mësimdhënësve dhe të nxënësve, veçanërisht për temat që kanë për qëllim t’i avancojnë njohuritë elementare mediatike në mesin e nxënësve. Ka një rekomandim edhe për fakultetet pedagogjike për rishikimin e programeve studimore me kurrikula bashkëkohore për arsim mediatik dhe për forcimin e cilësisë së kuadrit mësimdhënës, që i ligjëron këto përmbajtje, si dhe përfshirjen e praktikantëve nga fusha e gazetarisë dhe e komunikimeve në mësimdhënien akademike.

Në konferencë morën pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë nga kjo fushë: Lori Laslo nga Instituti për aktivitete audiovizuale nga Helsinki e prezantoi modelin finlandez të arsimit mediatik, ndërsa Aleksandar Koçiç nga Universiteti Napier në Edinburg e prezantoi përvojën skoceze për ligjëratat në Fakultetin e Gazetarisë që i realizon në shkollat e mesme. Milica Peshiq nga Instituti për diversitetin e mediave (IRM) nga Londra e potencoi rëndësinë e njohurive elementare mediatike dhe të informacionit për organizatat e shoqërisë civile.

Në këtë ngjarje morrën pjesë rreth 100 nxënës, profesorë, arsimtarë, aktivistë qytetarë, të cilët ishin pjesë e gazetës së shkollave të mesme “Medium” dhe Koalicionit për njohuri elementare mediatike, përfaqësues të BZHA-së dhe të MASH-it. Këtë projekt trevjeçar, të cilin e realizoi Shkolla e lartë me partnerët e saj – “Nova Makedonija” dhe IRM – Londër, e mbështeti Bashkimi Evropian.