Konstatime dhe të dhëna personale, në një lajm joprofesional

Gjatë shkrimit të lajmit, gazetari nuk duhet të mbajë anë duke mbështetur të dhëna të caktuara me komente. Komentimi, në fakt, nuk është i ndaluar por duhet qartë të ndahet nga pjesa e informimit i cili duhet të jetë objektiv. Konstatimet mbi bazën e këtyre komenteve janë të rrezikshme sepse mungojnë faktet për të mbështetur pretendimet e gazetarit.

Teksti që e recensojmë
Teksti që e recensojmë

Linku deri te artikulli origjinal: Zbulohet ‘Bujari’ i vërtetë në bisedën e përgjuar mes Ahmetit e Durakit, nuk është zëvendës kryeministri Osmani!?

Data dhe koha e publikimit: 22.06.2019

Data e recensionit: 24.06.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

“Problemet” e lajmit

Ky lajm ka disa mangësi. Autori komenton dhe konstaton, shtrembëron informacionet dhe publikon të dhëna personale të personave të tretë të cilët nuk janë direkt të përfshirë në storje.

Autori ka konstatuar se bisedat e përgjuara të publikuara së fundmi “…nuk po zbardhin ndonjë ‘krim’ ekonomik e që janë biseda krejtësisht private e muhabete mes miqëve” dhe se ata “nuk përbëjnë asnjë interes që organet e hetuesisë të hapin procedura hetimore për të zbardhur ndonjë incident apo ekces…” Këtë e thotë vetë autori, jo ndonjë prokuror, jo ndonjë ish gjykatës ose dikush tjetër i fushës.

Konstatimet vazhdojnë duke i sqaruar vetë çështjet për të cilat do të duhet të kishte kërkuar sqarim nga palët e përfshira në bisedë duke shkruar “… faktikisht në bisedën mes Ahmetit e Durakit kërkohet të fshihet një dëshmitarë i rastit e jo dorasi, sepse edhe fshehja e dorasit është një vepër penale sigurisht”. Në tekst nuk shkruan që është kërkuar qëndrimi i zv.kryeministrit Bujar Osmani por sqarimet që duhet të ishin kërkuar nga ai, i jepë vetë autori.

“Në fakt, edhe pse është përfolur personi me emrin Bujar në këtë bisedë e vërteta është që zëvendës kryeministri aktual i qeverisë Bujar Osmani nuk ka të bëj aspak me këtë rast e hiç më pak të intervenojë tek Sadulla Duraku për heshtjen e këtij rastit, por që redaksia e Noapress.com ka arritur të mësojë identitetin e vërtetë të Bujarit që po intervenon në këtë rast tek Duraki dhe Ahmeti.” shkruhet në tekstin që e recensojmë.

Nuk është transmetuar as deklarata zyrtare e Osmanit e dhënë për disa media ku ai thotë:

“Konteksti në të cilin zhvillohet biseda absolutisht është interpretuar gabimisht, por edhe emri im fare nuk është përmendur aty. Bëhet fjalë për një person tjetër.”

Autori në mënyrë të drejtpërdrejtë fton të sanksionohen “thashethemet” që dalin në media, qoftë edhe në ata online duke harruar se ai vetë është marrë me “thashetheme”, ka ndërtuar informacion mbi të dhëna të pakonfirmuara dhe nuk ka kërkuar qëndrimet zyrtare të personave të përmendur. 

Kodi etik i gazetarëve porosit:

“Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.”

Publikimi i të dhënave personale

Sqarimet e autorit shkojnë më larg. Ai, pa pyetur palët të cilat kanë qenë pjesë e bisedës telefonike dhe pa transmetuar qëndrimin e Osmanit, tregon vetë (siç thotë, sipas një hulumtimi dhe informacioneve jozyrtare) se në bisedë ata flasin për një person të tretë që nuk është zv.kryeministri. Mes këtyre rreshtave, publikon edhe të dhëna personale si inicialet, adresën dhe fotografinë (e cila është shumë e turbullt por gjithsesi është bërë për qëllime identifikimi) të këtij personi.

“Bëhet fjalë për B.Z (emër dhe person i njohur për redaksinë, ku disponojmë edhe foto nga personi në fjalë) nga fshati Vishticë i komunës së Likovës, një person shumë i njohur në zonën e Karadakut…”

Pa konfirmimin e identitetit të tij nga organet e rendit ose të drejtësisë dhe pa hetimin e përgjimit në fjalë, zbulimi i identitetit publikisht nga një media pa ofruar fakte të mjaftueshme është qasje joprofesionale.

Teknikat e manipulimit

Autori ka përdorur dëshmi selektive, duke zgjedhur disa dhe duke anashkaluar disa të tjera. Në këtë rast, ka zgjedhur të pasqyrojë vetëm informacionet e burimeve anonime por jo edhe qëndrimin zyrtar të Osmanit. Në tekst, janë përdorur edhe argumente rrethanash. Mbi informacionin (pa dëshmi por nga burime anonime) se biseda mund të jetë për personin me iniciale, autori, në fakt, konstaton se ai është personi për të cilin flitet në përgjime. Me këtë ai hedh poshtë kryekëput përfshirjen e zv.kryeministrit dhe fton për ndëshkimin e “thashethemeve” që çuan deri në përmendjen e emrit të tij.

Për lexuesit

Lexuesit duhet të jenë të kujdesshëm kur lexojnë një lajm. Dëshmitë, informacionet zyrtare, prononcimet zyrtare, janë shumë të rëndësishme. Komentet dhe konstatimet nga ana e gazetarit mund të paraqesin pikëpamjen e tij por jo domosdomërisht të jetë ajo e vërteta. E dyta, etiketimi i personave të tretë dhe zbardhja e identitetit të tyre, pa pasur mjaftueshëm dëshmi për përfshirjen e tyre në një rast, i implikon ata me përgjegjësi. Këtë gjë duhet ta konstatojnë institucionet kompetente dhe jo gazetari.