Ku është gazetari? I detyrohet ca sqarime lexuesit

Screenshot nga lajmi që recensohet
Screenshot nga lajmi që recensohet

Screenshot nga lajmi që recensohet

Njëvjetori i zgjedhjes së pushtetit lokal, ndryshimit të administratave komunale dhe personave që udhëheqin me to; moment i përshtatshëm që gazetarët të bëjnë një krahasim mes premtimeve dhe realizimeve. Një periudhë njëvjeçare, si gazetar, të siguron listë me fakte dhe dëshmi për punët e realizuara, ato që kanë mbetur pezull dhe ato që nuk janë filluar akoma. Renditja e këtyre fakteve shmang artikujt si në rastin që është subjekt recensioni, pa dëshmi, pa pamje, pa burime dhe me përgjithësime. Gjithashtu, e informon lexuesin me situatën reale.

Recension: Ku është Teuta Arifi, Tetova pa ujë dhe rrugë të paasfaltuara!

Data dhe koha e publikimit: 29.10.2018

Data e recensionit: 30.10.2018

Recensues: Fatlume Dervishi

Aq shumë konstatime, vetëm katër fjali të zbrazura

Në një artikull me katër fjali, lexuesi nuk merr asnjë informacion me shumë përveç që ka kaluar një vit nga qeverisja e Teuta Arifit me qytetin e Tetovës në një mandat të dytë pas zgjedhjeve të fundit lokale, që Tetova s’ka ujë, që s’ka rrugë të asfaltuara dhe që s’ka kanalizim. Mungesat e përmendura me të cilat në artikull thuhet se përballen qytetarët e Tetovës janë thelbësore, disa madje jetike, kurse vëmendja që kanë marrë nga gazetari është shumë e ulët. Probleme shumë me vend, por të patrajtuara si duhet.

Më shumë burime, më shumë besueshmëri

Raportimi në këtë mënyrë është shumë formë e përgjithësuar që të len të kuptosh se të gjithë vendbanimet dhe qytetarët në Komunën e Tetovës përballen me mungesë të këtyre kushteve. Edhe po të ishte ashtu, mungojnë të dhënat bindëse, mungojnë informacione që do ta plotësonin tekstin dhe të mbështesnin fjalët e autorit. Në tekst madje as nuk thuhet nëse është tentuar të vihet deri te ndonjë informacion konkret që ja vlen t’u prezantohet lexuesve si hulumtim nga autori, përpara se ai “të hidhte në letër” konstatimet.

Kodi etik i gazetarëve

Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

Çfarë i mungon lexuesit?

Me fjalë të tjera, për lexuesin, kjo që shkruan autori, do të ishte më bindëse nëse do të ishin cituar të paktën 2-3 persona që e “vuajnë” mungesën e ujit, 2-3 shoferë që kanë dëmtuar automjetet e tyre nga mungesa e rrugëve të asfaltuara, fotografi të rrugëve me baltë, 2-3 banorë të një vendbanimi që ankohen nga kundërmimi i ujërave të zeza për shkak të mungesës së kanalizimit.
Ky do të ishte pasqyrim i gjendjes reale në terren, vendbanime konkrete, emra fshatrash dhe rrugësh që kanë qenë nën vëzhgimin e autorit. Për kompletim të storjes ose analizës për punën njëvjeçare të administratës komunale, autori duhet t’i kujtojë lexuesit edhe premtimet e kryetares Arifi dhe që janë shkelur (nëse janë shkelur) edhe afatet konkrete për realizimin e premtimeve. Dhe në fund, lexuesi do “të ngopej” kur të ishte kërkuar përgjegjësi dhe sqarim nga autoritetet tek të cilët është drejtuar gishti.

Zakonisht, temat e këtilla prekin më shpejt te lexuesi, sepse trajtojnë çështje përditshmërie që na shqetësojnë të gjithëve.Për këto probleme është e nevojshme që gazetari ta bëjë deri në fund punën që i takon, të sjellë fakte kështu që lexuesi të ketë çfarë të lexojë.