Kur gazetari bëhet ekspert i çështjeve të brendshme familjare

Prej muhabeteve të kafenesë, dalin shumë gjëra. Dalin mallkime, dalin të shara, gjëra të pavërteta, gjysmë të pavërteta, dalin shpifje e ngjashëm, pasi që aty nuk ka kod ose filtër se çfarë mund të flitet e çfarë jo. Por tragjikja e kohëve të fundit në gazetarinë e Maqedonisë është se të gjithë këto përmbajte po shkruhen nëpër media të  ndryshme dhe askush nuk po mban përgjegjësi për degradimin e tillë të një prej profesioneve më të shenjta.

Linku deri te artikulli: E rrallë, baxhanakat mes veti nuk folin

Data e publikimit: 09.02.2019

Data e recensionit: 28.02.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Në tekstin që po recensojmë, gazetari ka zgjedhur një qasje qesharake, ironike, për të folur mbi një rast nepotizmi në emërimin e funksionarëve shtetërorë dhe i ka dhënë krejtësisht kuptim dhe kahje tjetër tekstit.

“Anëtari i ri i sapozgjedhur i Komisionit Anti Korrupsion, Nuri Bajrami është baxhanak me kryeparlamentarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Siç mëson TetovaSot e veçanta e baxhanakëve që ndodh rrallë është se ata nuk kanë pasur “muhabet” gjatë kohë dhe ndoshta ende nuk folin mes vete që arsyet ende nuk dihen dhe kjo mund edhe të hyje edhe në librin Gueniss pasi edhe fjalët popullore thonë se kur të bleni kafshë shikoni të mos jenë vllezër por baxhanaka” thuhet ne tekst.

E tani gazetarët janë bërë ekspertë edhe të çështjeve të brendshme familjare. Mënyra se si e ka bërë tekstin, nuk i ngjan aspak informimit për nevojat e popullit. Nuk janë të interesit publik marrëdhëniet në familje, nuk ka pse të dijë apo mos të dijë publiku për atë si sillet një funksionar me familjarët e tij.
Nëse ka konflikt interesi, është punë e mediave të tregojnë dhe e Komisionit për luftën kundër korrupsionit të vendosë në bazë të ligjeve ekzistuese për këtë çëshjte dhe sërish mediat të informojnë për këtë. Asgjë më shumë dhe asgjë intime nuk sjell dobi dhe informatë për lexuesin, të cilën ai do e përdor për ndonjë qëllim. Prandaj dhe mediat nuk duhet të merren me gjëra që nuk sjellin dobi, por madje e kundërta, dëmtojnë individë.

Funksionarët duhet të ndiqen nga mediat, puna e tyre, si dhe çfarë parash harxhojnë, përgjegjësi duhet ti japin publikut, por jo edhe për çështjet e tyre familjare.

Fundja, ajo çfarë duhej të bëjë gazetari ka qenë që të pyesë qoftë Talat Xhaferin, qoftë Nuri Bajramin, në fakt që të dytë, nëse vërtetë nuk kanë kontakte me njëri tjetrin. Kështu lajmi do ishte ndryshe. Do e kishit një burim të besueshëm që e thotë këtë pohim. Por kështu siç është shkruar, jepet përshtypja se gazetari vetëm është tallur me mendjet e lexuesve, dhe ka dashur të bëjë diçka atraktive, por në fakt i ka dalë huq.