Kur mediat hyjnë në “offside” (pozitë jashtë loje)

Foto: Pexels
Foto: Pexels

Foto: Pexels

Me ose pa vetëdije në Republikën e Maqedonisë mediat dinë shpesh që para emrave të të akuzuarve, dënuarve apo të të arrestuarve të vendosin edhe etninë- në disa raste edhe religjionin. Krimi mundet edhe të motivohet nga faktorë të ndryshëm, megjithatë duhet bërë e qartë se krimi, amoraliteti dhe keqpërdorimet e funksioneve shtetërore nuk gjenden në etikën e asnjë kombësie apo religjioni. Prandaj, bartësit të krimit nuk duhet t’i vihet etnia, sidomos në vende multikulturore.

Shkruan: Xhenis Sulimani

“Kontrabandë me duhan, arrestohen shtatë shqiptarë”. Kur lexon kësisoj titulli opinioni më shumë mëton të merret prejardhjen e kryerësve- sesa me emrat e përveçë ose me fenomenin e kontrabandimit. Një shqiptar do të shtroj pyetjen pse vetëm ne shqiptarët do të duhej të merremi me krim, ndërsa etni tjera para kësaj pyetje do vendosin njollën e zezë ndaj etnisë shqiptare. Në disa raste ndodh që brënda një jave kësi tituj përsëriten dhe krijohet përshtypja se krimi tashmë bëhet ose ka qenë zakon i etnisë së cilës i vihet si barrë krimi i shtatë personave.

Te po i njëjti tekst, i cili transmeton kumtesën e MPB-së, askund nuk shkruan etnia e kontrabandistëve. Te produkti gazetaresk jepet vetëm vendlindja e kryerësve të veprës.

“Nga MPB shtojnë se duhani është sekuestruar dhe i njëjti është dorëzuar për procedurë të mëtejme. Ndërsa për shkak të mosposedimit të dokumentacioneve për duhanin, personat Z.S, N.M, Z.R, A.M, N.U, S.S dhe M.I (të gjithë nga fshati Vrapçisht i Gostivarit) janë arrestuar. Për rastin u njoftua Prokurori publik dhe po ndërmerren masa për ndriçimin e tërësishëm të rastit.”

Kështu me të drejtë mund të pyesim pse i duhet opinionit etnia e të arrestuarve?! Po, opinioni duhet të njoftohet me të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, megjithatë në këso rastesh e vërteta fillon dhe mbaron me numrin e të arrestuarve dhe sasinë e drogës me të cilën janë kapur.

Maqedonia si vend ku shoqëria është e larmishme etnikisht, nuk duhet t’i jep vetes luksin që krimet t’i ‘ngjyrosë’, sipas etnisë apo religjionit.

“Arrestohen dy maqedonas- provuan të kontrabandojnë heroinë në Greqi“. Është një tjetër titull ky, i pranishëm në mediat në Maqedoni. Me të lexuar hyrjen e tekstit me të drejtë mund të ngrejmë pyetjen ç’ju ka deshur theksimi i përkatësisë etnike, kur në kumtesën e policisë veçohet se kemi të bëjmë me shtetas të Maqedonisë.

“Sipas informacioneve të reporteres së MIA-s, nga Athina, bëhet fjalë për shtetas të Maqedonisë, mosha nga 41-48 vjet. Droga ishte e fshehur brenda në veturë, u zbulua nga qeni i policisë.”

Shembulli i tretë, për ta dëshmuar hovin negativ të fenomenit në fjalë mbanë titullin: “Arrestohen në Shkup dy shqiptarë me dy fëmijë të vegjël”. Opinioni nuk meriton kësi tituj që kanë për tendencë manipulimin nëpërmes “thirrjes në emocion”. Kësi soji titujt e shkrimet çojnë drejt shembujve negativ, që pastaj shumë lehtë ndikojnë në vërtetimin e stereotipeve. Kjo nuk shkon në të mirën e Maqedonisë, e as në të mirën e shoqërisë.

Në Maqedoni mungon kohezioni shoqëror. Shkrime të këtilla, me tituj  që më shumë prekin emocionin sesa të vërtetën nuk ndihmojnë në thyerjen e stereotipeve. Me këtë paraqitje mediat do të dilnin nga misioni i tyre i të qenurit korektore e fenomeneve negative dhe edukatore në krijimin e një shoqërie të shëndoshë kundër krimit, pavarësisht kush është kryerësi.

Summa summarum, lexuesi duhet t’i detektojë shkrimet e këtilla dhe të mësojë se mediat dinë shpesh edhe të dalin nga misioni i tyre. Dinë të thirrin në emicion. Prandaj, lexuesi duhet t’i përcjellë lajmet me gjakftohtësi, por edhe të dijë të bëjë dallimin. Krimi ka emër dhe mbiemër. Në një shoqëri moderne, e cila pretendon demokracinë dhe kritikën e mirëfillt, Filan Fisteku edhe mund të dyshohet, akuzohet e gjykohet, por asnjëherë jo si shqiptar, maqedonas, musliman, orthodoks apo katolik, por sipas krimit që i vihet si barrë nga institucionet kompetente.