Kur mediat me çdo kusht gjejnë lidhje të pamundshme, dëmtohet shoqëria dhe gazetaria

Marrë nga Monster Ztudio/ Shutterstock

Shkruan, Ferikan Iljazi

Shpesh në media, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën maqedonase në Maqedoninë e Veriut, haset fenomeni i lidhjes së ngjarjeve me njerëz ose ngjarje të tjera, vetëm për të mbështetur një tezë personale të autorit ose mediumit që e prezanton. Edhe pse mund të vërehet se disa gjëra nuk ka se si lidhen mes vete, dhe se janë bashkuar qëllimisht për të krijuar një fotografi të rrejshme për ndonjë situatë, lexuesit nuk munden lehtë të bëjnë dallimin mes mashtrimit dhe informimit. Prandaj në vazhdim ju sjellim disa shembuj klasik të shtrembërimit të së vërtetës, konceptit të manipulimit: “Analogji e rrejshme”, duke paralelizuar ngjarje që nuk kanë lidhje. Përdoret edhe ndjeshmëria etnike, por përdoret edhe ajo politike, pasi qytetarët e Maqedonisë janë të prirur për të rënë pre e këtyre lajmeve.

Mediat shfrytëzojnë zgjedhjet për “shpërlarje truri” te qytetarët.

Në eufori zgjedhore, kryesisht media të afërta me kandidatin e opozitës nxjerrin kësi lloj paralelizmash në të cilat ka informacione të vërteta, gjysmë të vërteta dhe dezinformata, që kanë për qëllim të manipulojnë lexuesin se gjoja kanë argument për atë që e shkruajnë.

Për shembull, në këtë tekst të publikuar në portalin Infomax, pretendohet se “terroristët” siç i quan portali, nga rasti i Kumanovës, i japin mbështetje kandidatit të LSDM-së Stevo Pendarovski dhe e shajnë VMRO-në e cila qëndron pas kandidimit të Gordana Siljanovskës. Por, portali qëllimisht ka shtrembëruar këtë deklaratë e cila nuk është në fakt mbështetje direkt për Stevo Pendarovskin, por rikujtim se VMRO-ja është gjoja më e keqe se LSDM-ja, e kur doemos duhet të bëhet zgjidhje, më mirë është të zgjidhet e keqja, që është më pak e keqe.

Por poentat e autorit edhe pse në dukje të parë duken të pastra dhe pa ndonjë prapavi, është e qartë se duan të bëjnë lidhjen e “terrorizmit” me Stevo Pendarovskin.  Duan të lidhin idenë e “shqiptarëve të dhunshëm që duan Shqipëri të madhe” me Stevo Pendarovskin, në mënyrë që qytetarët maqedonas të frikësohen dhe të mos e votojnë, pasi tashmë do të ndjeheshin të kërcënuar nga shqiptarët.

Në një tekst tjetër të publikuar poashtu në këtë portal, i cili është i prirur për retorikë nacionaliste, antishqiptare, dhe anti LSDM, bëhet një tjetër lidhje jo adekuate mes një drejtori burgu i cili gjoja keqtrajton të burgosurit, dhe që nuk lejon të dënuarit e 27 prillit që të votojnë në zgjedhjet presidenciale, edhe pse autori e ka të qartë se drejtori nuk është ai që vendos se kush ka e kush nuk ka të drejtë vote në burg, por kjo është KSHZ-ja, e cila e përpilon listën zgjedhore.

Autori ka tentuar të prezantojë idenë se nëse të dënuarit e 27 prillit nuk kanë votuar për president, kjo do të jetë shkaku se ato i ka penguar drejtori. E drejtori është përkrahës i Stevo Pendarovskit, pasi është emëruar nga LSDM, dhe për këtë është vendosur edhe një fotografi me dëshmi nga fushata e tij. Gjoja se qëllimisht nuk i ka lejuar të votojnë duke e ditur se votojnë për kundërshtarin e Pendarovskit pasi ata janë burgosur duke kundërshtuar emërimin e Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi, nën direktivat e VMRO-së, gjë që u dëshmua gjatë procesit gjyqësor për 27 prillin.

Më tej përmendet se gjoja drejtori ka lejuar rrahjen e dy ish ministrave të VMRO-së në burg, duke dashur të prezantojë lidhje mes personalitetit dhe bindjeve të drejtorit, me gjoja ndalesën për votim.

Por, asnjë prej këtyre pohimeve të autorit nuk mban ujë. Kjo pasi një është bindja e drejtorit, e tjetër është mundësia e tij për të penguar votimin e ndonjë të burgosuri. E gjithë kjo është vetëm tentativë për të lidhur gjëra që nuk kanë lidhje mes vetes, vetëm për të prezantuar poentën kundër Stevo Pendarovskit.

Mos bini pre e krahasimeve në bazë etnike, kanë për qëllim tu bëjnë të brishtë.

Një tekst tjetër tregon një paturpësi në shkrim, kur autori shfaq edhe ndjenjën e tij nacionaliste dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve, por edhe lidhjen mes kryetarit të Ohrit nga radhët e LSDM-së me gjoja azganisjen e shqiptarëve.

Autori e ka lidhur vendosjen e flamurit shqiptar në Kalanë e Samuilit në Ohër, me gjoja azganisjen e shqiptarëve në Ohër, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij, shqiptarët kanë filluar të kërkojnë edhe ndërtimin e xhamisë së Ali Pashës në këtë qytet, duke aluduar kështu në gjoja tentativën e shqiptarëve për përvetësim të Ohrit.

Kur autori i lidh këto dy elemente, valëvitjen e flamurit në kala dhe në qendër, dhe kërkesën për ndërtimin e xhamisë së Ali Pashës, nënkuptohet se ka për qëllim që të dëshmojë tentativën e shqiptarëve për gjoja uzurpimin e Ohrit, pasi që kryetari nga radhët e LSDM-së u ka liruar rrugën për tu azganisur. E kjo nënkupton se në kohën e qeverisjes së VMRO-së, shqiptarët nuk kanë guxuar të bëjnë zë, e lëre më të shprehin ide për Shqipëri të madhe e të valëvisin flamuj në kala e shesh.

E tani arrijmë në konkluzëm se pushteti ka lejuar valëvitjen e flamurit, për të mashtuar votuesit shqiptar që të votojnë për Pendarovskin.

Por si ka mundësi që një shtet demokratik të provokohet nga vendosja e flamurit të popullit të dytë më të madh në shtet, edhe atë për qëllime artistike, siç edhe kishin deklaruar personat e fotografuar në kala. Pa asnjë nevojë, mediat në gjuhën maqedonase bënë bujë me lajmin e vendosjes së flamurit, dhe në fund edhe gjykata e dënoi autorin e vendosjes së flamurit me 1100 euro gjobë dhe dëbim nga shteti për 5 vitet e ardhshme. Dhe për çfarë? Vetëm për të shëruar frustracionet e disa qytetarët me prirje nacionaliste.

Por ku mbeti ideja e bashkëjetesës e cila duhej të ishte udhërrëfyes i Maqedonisë së Veriut në faqen e re të cilën e hapi, sidomos pas ndryshimit të pushtetit dhe emrit kushtetues?

Në Maqedoni të Veriut ekzistojnë ende paragjykime për flamurin shqiptar, pavarësisht se sa shqiptarë idenfitikohen me të, dhe në të njëjtën kohë japin edhe kontributin për ndërtimin e shtetit.

Si ka mundësi që një shtet i Maqedonia të ketë fobi nga flamuri dhe veshjet kombëtare shqiptare që janë kulturë e një populli me numër shumë të madh, ndërsa një shtet i madh si Franca nuk e ka problem që ta vesh me veshje kombëtare një prej figurave më të njohura historike të shtetit të saj.

Anash nacionalizmin, disa media kanë treguar prirje edhe për paralelizmin e ndryshimit të emrit me mundësinë për marrjen e datës për nisjen e negociatave për antarësim të Maqedonisë në BE.

Pretendimet janë se Maqedonia kot që e ka ndryshuar emrin, se nuk do të marrë datë për nisjen e negociatave për antarësim në BE edhe pse kjo është e përkohshme, dhe nuk ka lidhje me ndryshimin e emrit, i cili duhej të ndryshohet që të rahatohet Greqia dhe tia heq veton. Por, autori e ka bërë lidhjen me mjeshtëri, dhe kjo të bën të mendosh se vërtetë që kot se e ndryshuam emrin, Evropa përsëri nuk do të na pranojë. Kjo sigurisht se do të shkaktonte frustracione dhe mllef tek qytetarët e Maqedonisë, sidomos ato të etnitetit maqedonas të cilët duhet theksuar se edhe në Referendum, votuan që të mos ndryshohet emri kushtetues, për të plotësuar kapriçot e Greqisë dhe BE-së.

Qëndroni të informuar nga mediat të sigurta, që të mos u kontaminojnë me lidhje që s’kanë lidhje.

Me këto shembuj mund të vëreni qartë se si nga dy informacione që nuk kanë lidhje njëri me tjetrin, formohet një tezë e cila mund të bëjë dëm në shoqëri në formë propagande.  Prandaj mbrojtja më e mirë për juve lexues është që të ndiqni shembujt, dhe të përcillni ngjarjet që pastaj edhe ju vetë ta dini që një ngjarje ska lidhje me ngjarjen tjetër dhe se gjithçka bëhet vetëm për të manipuluar trurin tuaj. Kjo formë e tillë e “informimit” nuk është gazetari, është thjeshtë propagandë dhe dezinformata që dëmtojnë shumë rëndë shoqërinë.