Kur mungon konteksti, informata nuk përbën lajm të mirëfilltë

Qytetarët e Tetovës shprehin fuqishëm indinjatën dhe zhgënjimin e tyre nga bisedat e përgjuara telefonike, ku personalitete të ndryshme dhe vet tetovarët janë ofenduar rëndë”, Kështu fillon teksti i një “lajmi” në një medium interneti. Tekst solid, që duhet i shkruar me kujdes dhe me informacione të bollshme, por sa fillon të lexosh më poshtë tekstit, e kupton zhgënjimin. As edhe “L” prej lajmit nuk përmban teksti.

Linku deri te artikulli: Radikalizohet situata, tetovarët kërkojnë largimin e selisë së BDI-së nga Tetova

Data e publikimit: 13.06.2019

Data e recensionit: 13.06.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Lajmi nuk bëhet i vërtetë nëse e kanë shpërndarë më shumë persona

Pavarësisht faktit se në rrjetet sociale nisi të qarkullojë me të madhe një deklaratë e përbashkët që thuhej se ishte nga masa intelektuale e Tetovës dhe një sërë qytetarësh të tjerë, autori i këtij teksti e ka marrë si shumë të gatshëm këtë informacion dhe nuk e ka marrë mundimin që ta konfirmojë. Nuk e kontestoj faktin që lajmi mund të ishte i vërtetë, por të merret gjithë ai mundim dhe të shkruhet pa asnjë fakt, nuk është praktikë e gazetarisë së mirëfilltë që duhet të informojë.

“Kohët e fundit të gjithë jemi dëshmitarë nga ajo që po dëgjojmë në këto biseda të eksponentëve kryesorë të një partie politike, që është në pushtet gati 20 vite. Niveli i ulët i komunikimit, inskenimet e situatave para-politike, emërimet, denigrimi i pozitës së femrës shqiptare në shoqëri, shantazhet ndaj kundërshtarëve poltik dhe familjeve të tyre, nënçmimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe, korrupsioni dhe demotivimi i brezave për një të ardhme më të mirë në këtë shoqëri, janë sinjale që këto personazhe nuk meritojnë të jenë vendim-marrës për procese të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetët tona. Prandaj, kërkojmë urgjentisht që selia e kësaj partie, pra e Bashkimit Demokratik për Integrim të largohet nga Tetova në afat të pacaktuar kohor”, shkruan në tekstin që po e recensojmë.

Nëse teksti nuk ka foto, video ose provë tjetër, nuk është i vërtetë

Gjithë ai tekst dhe nuk ka asnjë provë. Fotografi, ose email të dërguar në adresë të redaksive. Edhe po të jetë teksti i vërtetë, ku nuk ka elemente besueshmërie, nuk ka mbështetje me asnjë provë materiale, atëherë zhvlerësohet.

Çdo lexues di ta bëjë këtë dallim, prandaj edhe kot e marrim mundimin të shkruajmë nëse nuk kemi prova.

Autori ka vendosur një citat dhe një referencë në fund se tekstin e kanë dërguar gjoja intelektualët, aktivistët qytetar dhe ish ushtarët nga Tetova, por edhe më tej nuk ofron asnjë provë se kush janë ato intelektualë, e kush janë ato aktivistë qytetarë, e kush janë ato ish ushtarë, në mënyrë që teksti të jetë i besueshëm dhe të ketë më shumë ndikim tek qytetarët.

Mos lexoni tekste të thata që mediat i kopjojnë prej njëra tjetrës

Nëse e shihni një tekst që është publikuar në disa vende dhe me po ato mangësi, po ato gabime drejtshkrimore, por ato pika dhe presje, mos e lexoni, më mirë të mos informoheni aspak se të keqinformoheni. Në këtë rast duket se lajmi për deklaratën e qytetarëve të Tetovës ishte i vërtetë, por qasja e mediave e zhvlerësoi këtë lajm dhe e bëri të dyshimtë. Prandaj parim kryesor i mediave duhet të jetë që ti ndjekin të gjithë praktikat standarde për shkrimin e një teksti, në mënyrë që të mos lejnë hapësirë për dyshim të lexuesve.