Lajmi nuk duhet të jetë një skenar Holivudi pa pasur argumente të vërteta

 

[Recension: Ministri i jashtëm i Maqedonisë agjent i CIA-s?]

 

Në lajmin që i nënshtrohet këtij recensioni, të publikuar nga televizioni shqiptar “Top-Channel”, aludohet se ministri aktual i punëve të jashtme në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, është agjent i CIA-s. Në lajm më tej thuhet se në këtë përfundim kanë ardhur mediat vendase në Maqedoni. Por, për këtë pretendim nuk ka asnjë link ose citim apo informacion në lidhje me atë se për cilat media bëhet fjalë, e poashtu nuk ka as link deri te “tweet”-i “WikiLeaks”-it, ku përmenden dy dokumentet:

 

 

Përveç kësaj, një pretendim i këtillë nuk ekziston as në dokumentet e  publikuara në Wikileaks.

Linku deri te artikulli origjinal:  Ministri i jashtëm i Maqedonisë agjent i CIA-s?

Data e publikimit: 19.12.2018

Data e recensionit: 24.12.2018

Shkruan: Drilon Saliu

Në asnjë pjesë të përmbajtjes së këtij lajmi nuk ka asnjë burim relevant për ta konfirmuar këtë, e as nuk janë cituar mediat e Maqedonisë që e kanë plasuar këtë lajm të cituar, si dhe nuk ka informatë për atë se cilave argumente u janë referuar mediat e Maqedonisë të cila e kanë publikuar këtë pretendim. Për shembull, nuk ka deklaratë nga ndonjë ekspert ligjor i Maqedonisë, e as fragmente nga përmbajtja e dokumentit të publikuar nga “Wikileaks”-i si burim, ku do të mund të shihej apo të nxirret konkluzion se Dimitrovi ka qenë agjent i CIA-s amerikane.

Më konkretisht, një pjesë e tekstit thotë:

Sipas këtyre dokumenteve, të cilave nuk u është konfirmuar autenticiteti, Dimitrovi ka qenë një operativ sekret i CIA-s, që e ka spiunuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-kryeministrin Branko Cërvenkovski në vitin 2008.

Edhe pse në tekst thuhet se autenticiteti i materialeve të publikuar nuk është konfirmuar, megjithatë, mbetet pretendimi se Dimitrovi ka qenë agjent i CIA-s. Por nëse lexohen këto dokumente të “Wikileaks”-it, kjo nuk mund të konfirmohet.

Ky skandal me publikimin e rreth 250,000 dokumenteve nga sistemi i komunikimit të brendshëm të Departamentit të Shtetit në vitin 2010 është shumë i njohur. Mirëpo, në këtë sistem, në të cilin kanë qasje një numër jo i vogël i punonjësve të Departamentit Amerikan të Shtetit, informata të tilla për “agjentët” e huaj që punojnë për nevojat e SHBA-ve nuk ka. Për më tepër, emrat e vërtetë të agjentëve askund në komunikimet me shkrim nuk citohen me emra dhe mbiemra të plotë siç është rasti këtu, por atyre u jepet një i ashtuquajtur “alias”, gjegjësisht, “emri i kodit” ose, me fjalë të popullit, nofkë. Me agjentët e tillë, sidoqoftë, nuk punon Departamenti Amerikan i Shtetit, por agjencitë e zbulimit, që merren e zbulimin jashtë vendit, do të thotë jashtë territorit të SHBA-ve, siç është, për shembull, Agjencia Qendrore për Zbulimit (CIA) dhe të tjera. Përveç faktit se me agjentë të tillë, ambasadorët amerikanë nuk takohen dhe komunikojnë drejtpërdrejt, por këtë e bëjnë zyrtarë operativë të inteligjencës që janë përgjegjës për kontakt me agjentët (të ashtuquajtur “handlers”), të cilët bashkëpunojnë me ta për një periudhë më të gjatë dhe janë të vetmit me të cilët komunikojnë, me qëllim që të mbrohet identiteti i agjentit. Kështu që, pohimi se ministri i jashtëm aktual i Maqedonisë ka qenë agjent i CIA-s, pasi që emri i është përmendur në një dokument nga sistemi i komunikimit të Departamentit të Shtetit me emër dhe mbiemër të plotë, thjesht nuk është i vërtetë. Në dy raste, autori i dokumentit, ambasadori i atëhershëm i SHBA-ve në Maqedoni, Filip Riker, kërkon të mbrohet identiteti i burimit të informacioneve që gjenden në të, por kjo nuk është provë se dikush është agjent i huaj. Edhe atë, as më pak e as më shumë, agjent i CIA-s. Në dokumente thjesht janë përshkruar zhvillimet në një periudhë të caktuar kohore dhe marrëdhëniet ndërmjet aktorëve politikë sa i përket kontestit të emrit. Në asnjë pjesë nuk mund të konfirmohet se Dimitrovi ka qenë agjent i CIA-s së famshme, e as se cilat kanë qenë detyrat e tij, në çfarë periudhe kohore, e poashtu nuk ka as detaje të tjera mbi të cilat mund të ndërtohej një pretendim i tillë.

Nëse përmbajtjes, pa fakte konkrete për atë që e pohon, ia shtojmë edhe titullin “Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë agjenti i CIA-s?” fitohet një përshtypje joreale, që nuk është e bazuar në argumente dhe fakte për një akuzë të tillë serioze.

Edhe vetë Dimitrovi reagoi për këto informacione të publikuara. Ai nuk e mohon atë që thuhet, por thotë se informacionet janë të vjetra dhe datojnë që nga viti 2010. Mirëpo, reagimi i tij nuk është përcjellë në këtë lajm. Ndërsa, kërkimi i përgjigjes nga pala e dytë dhe publikimi i përgjigjes së tillë është obligim i gazetarit, veçanërisht pasi këtu bëhet fjalë për një akuzë serioze.

 

 

Nga e gjithë kjo del se publiku i kësaj medie nuk është plotësisht dhe thelbësisht i informuar për ngjarjet në Maqedoni dhe se ky lajm, të paktën, është joprofesional. Në të nuk ka burime konkrete të cituara dhe argumente për atë që thuhet, e megjithatë, është nxjerrë një përfundim serioz, i cili i ofrohet lexuesit pa asnjë ngurim, gjë që është veçanërisht problematike kur dihet se bëhet fjalë për akuzë serioze ndaj një diplomati të lartë. Përveç kësaj, bëhet fjalë edhe për lexuesit, të cilët nuk janë të informuar objektivisht, gjë që nga ana tjetër krijon konfuzion dhe i le ata pa informacionet e vërtetë për atë që ndodh vërtet në Maqedoni.