Lajmi që nuk mund të dëshmohet dhe verifikohet, nuk është i vërtetë

Praktika që gazetarët të bëhen analistë ose të komentojnë fenomene politike nuk është risi në Maqedoni. Së fundmi, nuk po bëhet dallim nëse raportohet, respektivisht informohet, apo po bëhet koment mbi një fenomen politik, pasi gjithçka publikohet në kategorinë e lajmeve. Ajo që bie më së shumti në sy është se autorët e teksteve po i japin opinionit një ndjesi se ata “dinë diçka nga burimet e tyre” por ajo që lexuesit nuk mund ta dallojnë është se gjithçka që nuk mund të verifikohet ose mbështet me deklaratë, nuk mund të besohet.

Linku deri te artikulli: Zaev dhe Gashi afër vendimit për përjashtimin e BDI-së nga Qeveria, konsultime edhe me ndërkombëtarët?

Data e publikimit: 01.02.2019

Data e recensionit: 13.02.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Tekstin që po e recensojmë është kryekëput koment politik që është vendosur në kategorinë e lajmeve. Për më tepër, nuk ka as autor, dhe as nuk ka referenca. Gjithçka është tejet e vakët dhe me disa pohime që nuk mbështeten askund.

“Fërkimet e fundit mes LSDM-BDI, duket se janë serioze. Kjo situate e tensionuar, nuk filloi vetëm nga përplasjet në lidhje me ligjin e gjuhës shqipe, dhe vendim për ta dërguar në Komisionin e Venecias, ku BDI insistonte të dërgohen në shqyrtim vetem dispozita të caktuara ndërsa LSDM e dërgoi ligjin e tërë për shqyrtim” shkruhet aty.

Autori i tekstit ia ka kushtuar një analizë të tërë pozitës politike të BDI-së dhe në fund ka dhënë  një konstatim të cilin nuk e ka bërë aspak të besueshëm mbi qëndrimin e ndërkombëtarëve, pa theksuar se kush janë ato, dhe ku i kanë shpërndarë këto qëndrime.

“Zaev dhe Gashi kanë filluar konsultime me faktorin ndërkombëtar, për të gjetur mënyrën më adekuate për largimin e Ahmeti nga qeveria bashkë me partinë e tij. Njësoj sikurse Zaev dhe Gashi, edhe ndërkombëtarët janë të pakënaqur nga insistimi i BDI-së për të mbrojtur me çdo kusht funksionarë të qeverisë së Gruevskit, të cilët duhet të shkojnë në burg.Pas insistimit të ndërkombëtarëve, Zaev dhe Gashi kanë vendosur t’i japin BDI-së shanisn e fundit: afat prej tre javëve të reformohet, ose do të përjashtohet nga qeveria”shkruhet aty.

Për të ardhur në përfundim se ky lajm është tekstualisht porosi politike dhe nuk është lajm informativ, nuk duhet shumë mund.

Vetëm duhet grumbulluar disa fakte të cilat  u shfaqën më lartë si konkluza se:
1) teksti është koment politik,
2) faktet nuk mund të verifikohen aty për aty,
3) lajmi nuk ka referenca ose burime, nuk ka deklarata nga personat e përmendur në tekst, dhe një sërë mangësisht të tjera që burojnë prej këtyre zbrazëtirave.

Nuk mund të jetë lajm, mendimi i ndonjë gazetarit

Për të dalluar nëse një tekst ka për qëllim shpërqëndrimin dhe manipulimin tuaj duhet vetëm të ndjekni këto parametra që i theksuam më lartë. Nëse dikush nuk arrin që t’ua dëshmojë një tekst se është i vërtetë ose nëse nuk mund t’ua dëshmojë ndonjë pohim ose ndodhi, mos i  besoni, pasi ekziston agjendë tjetër politike.