Linku – vegël për gazetari transparente onlajn

Teoria e gazetarisë ka krijuar rregulla të shumta për shkruarjen e teksteve gazetareske. Njëra nga këto rregulla është që për çdo deklaratë, citim nga ndonjë dokument të theksohet burimi. Me këtë sigurohet konteskt dhe mbështetje për pohimet që janë bërë në tekst.

Shkruan: Rada Isovska-Manevska

Kjo nuk është gjithmonë kështu edhe me gazetarinë në internet, edhe pse gazetarit në këtë lloj të medies i janë dhënë në dispozicion një numër i madh i veglave në internet. Njëra prej tyre është edhe linku (lidhja, vegëza), e cila i mundëson gazetarit ta vë në dispozicion burimin e informatës për lexuesin dhe ai vetë të vlerësojë se si është i interpretuar burimi.

Ç’ËSHTË LINKU

Lidhja që i mundëson lexuesit të kalojë prej një ueb-faqeje në një ueb-faqe tjetër quhet hiperlink (hyperlink) ose vetëm link. Linku mund të çojë deri te një tekst, fotografi ose ndonjë objekt tjetër i ueb-faqes. Zakonisht shënohet me ngjyrë tjetër (të kaltër) nga pjesa tjetër e tekstit dhe mund të jetë i nënvizuar, ose mund të përdoren të dyjat (i kaltër dhe i nënvizuar). Linku aktivizohet duke e klikuar atë me mi (mouse), me ç’rast hapet dritare e re gjegjësisht burimi në të cilin ka dashur gazetari ta dërgojë lexuesin.

LLOJET E LINKEVE NË UEB-GAZETARI

Në tekstin e tij “Linkimi në ueb-gazetari” (në serbisht), Bojana Barllovac ndan linket sipas vendit të tyre, sipas asaj se ku gjenden, a janë reciproke dhe a janë funksionale. Kjo ndarje duke pasur parasysh përdorimin e linkut në gazetari si duket është më adekuate.

Sipas vendit dhe adresës ku dërgohet lexuesi dallohen linke të brendshe dhe të jashtme.

  • Linku i jashtëm dallohet nga ajo se kur klikohet në fjalën e ngjyrosur ose të nënvizuar hapet faqe në një ueb-faqe të re. Zakonisht përdoret për t’u lidhur me ndonjë tekst në një ueb-faqe tjetër kur informata është ekskluzive, ose kur të dëshirohet që t’i shmanget verifikimit të vërtetësisë së informatës me atë që përgjegjësia për vërtetësinë e saj i lihet ueb-faqes së e ka publikuar atë fillimisht.

 

  • Linku i brendshëm shërben për t’u lidhur me ndonjë tekst nga ueb-faqja e njëjtë , i cili është shkruar më parë në temën e njëjtë ose shërben për sqarimin e tekstit që është vënë në link. Me linkun e këtillë lidhet edhe informata që shërben për të përkujtuar për ndonjë ngjarje të ngjashme ku përmenden persona të njëjtë. Dallohet për nga ajo se kur do të klikohet në fjalën e shënuar, lexuesit dërgohet në një faqe tjetër, por në kuadër të ueb-faqes së njëjtë.

SIPAS ASAJ SE KU ËSHTË VENDOSUR LINKU NË UEB-FAQE EKZISTOJNË:

  • Inlajn linke të cilat përdoren për të shënuar tekst që është publikuar në ndonjë medie tjetër (për shembull: SDK mk, thetimes.co.uk). Me këtë rast, linku vëndohet në emrin e medies për të cilit është marrë teksti.
  • Listë e linkeve që paraqesin përmbledhje të më tepër linkeve në një vend, të cilat janë ndarë nga teksti gazetaresk, por kanë të bëjnë me përmbajtjen e tij (për shembull: lista e linkeve që çojnë në informata plotësuese për tekstin që është shkruar),

  • Kombinim i të dy modeleve. Linke të këtilla vendosen brenda në tekstin gazetaresk dhe si përmbledhje linkesh që shërbejnë për sqarim plotësues të ndonjë pohimi në tekst ose çojnë deri te ndonjë deklaratë në ndonjë medie tjetër.
  • Ka edhe linke reciproke dhe linke njëkahëshe. Të para janë linke që përdoren për këmbim të ndërsjellë të linkeve  (linke ndërmjet dy ueb-faqeve). Kjo lidhje mund të jetë: dykahëshe (këmbim i linkeve) ndërmjet dy ueb-faqeve dhe lidhje e trefishtë, gjegjësisht lidhje ndërmjet tre ueb-faqeve. Ndërsa linket e dyta (njëkahëshe) çojnë në ueb-faqe të caktuar, mirëpo nuk ka link kthyes.

Për të shprehurit gazetaresk që mbështetet edhe në linkun si plotësim i asaj që është pohuar është me rëndësi që linku ta përmbushë funksionin e tij, gjegjësisht ta çojë lexuesin deri te informata e saktë. Shpeshherë ndodh që për shkak të ndonjë gabimi gjatë lidhjes ose si pasojë e fshirjes së informatës në të cilën çon linku, ai të mos funksional dhe të mos jetë i dobishëm për lexuesin.

Rregulla është se nga konteksti ose fjalët nga të cilat përbëhet linku të jetë e qartë se ku çon ai dhe çka mund të pritet kur do të klikohet në të.

KUR LINKET NUK E PËRMBUSHIN FUNKSIONIN E TYRE?

  • Kur nuk është e qartë se çka dëshirohet të arrihet me linkun. Kur do ta klikoni një link të këtillë keni ndjenjën se jeni në lidhje të gabuar.
  • Të këtilla janë edhe lidhje që mund të thuhet se janë shumë të përgjithshme. Kur klikohet në to, ato çojnë deri te faqja e parë e ueb-faqes. Për të shkuar deri te informata që paraqet sqarim plotësues të tekstit do të duhet të kërkohet lokacion i ri. Kjo në mënyrë plotësuese e vështirëson qasjen e lexuesit deri te përmbajtja. Shembull për një lidhje të këtillë është kur kërkohet ndonjë dokument ose ligj për të cilin është diskutuar, për shembull te Kuvendi, por ai nuk të çon drejtpërdrejt te dokumenti, por vetëm deri te faqja e parë e ueb-faqes së Kuvendit.
  • Disa lidhje mund të kenë shumë informata, por ato të mos jenë në lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë tekst konkret. Lidhje e këtilla janë joadekuate.
  • Linku joekzistues që on në tekst i cili nuk ekziston ose është fshirë.
  • Linku nuk e përmbush funksionin e tij edhe nëse çon në ndonjë tekst-reklamë, që në esencë nuk është qëllimi i tekstit gazetaresk. Linke të tilla janë, për shembull, ato që çojnë deri te faqja e grouper.mk, e cila është ueb-faqe komerciale dhe nuk i jep informatë plotësuese lexuesit për atë që thuhet në tekst.

RREGULLA PËR MARRJEN E TEKSTIT PREJ NDONJË MEDIE TJETËR

Ueb-faqe të caktuara e kanë të rregulluar çështjen se kur dhe në çfarë mënyrë mund të vendoset linku kur merret ndonjë tekst gazetaresk.

Rregulla që përdoret zakonisht është të përdoret një e treta e tekstit me obligim që të vendoset link deri te artikulli origjinal. Disa ueb-faqe e ndalojnë përdorimin e informatave të tyre dhe me këtë rast përdorin vegla të tjera për ta pamundësuar kopjimin e tekstit.