Me thashethëme nuk mund të bëni lajme

Ekziston një ngjarje shumë e qartë mes përmbajtes dhe strukturës së një lajmi dhe të një komenti nga ana tjetër. Për lajmin ekzistojnë disa kritere të cilat duhet t’i plotësojë për t’u cilësuar si “i denjë” për publikun. Komenti nga ana tjetër, është vlerësim personal i autorit dhe gjithçka brenda tij është subjektive.

Linku deri te artikulli origjinal: Pas Gruevskit, një politikian shqiptarë do të ik në Turqi

Data e publikimit: 12.02.2019

Data e recensionit: 26.02.2019

Recensuese: Fatlume Dervishi

Thashethem, por jo lajm

Titulli i tekstit përmban një njoftim, paralajmërim se brenda tij është një emër, ndonjë hulumtim dhe zbulim. Natyrisht që kjo ngjallë interesimin e lexuesve, të shohin se për këtë bëhet fjalë, kush do të arratiset, nga ka ardhur autori deri te ky informacion, si do të bëhet arratisja, etj.

“Politikani shqiptarë i cili i ka “shërbyer” popullit duke vjedhur thuhet se fundin do ta ketë në Stambollin e Turqisë së Erdoganit, mëson TS. Nuk dihet nëse rruga e tij do të jetë me e lehtë apo do të jetë një ikje publike jo si e Nikollës, por toka ka nisur që të mos i durojë më zullumqarët.” shkruhet në lajm.

Kjo është e gjitha që autori i ka dhënë lexuesit, një titull bombastik, me një tekst që realisht s’të jep asnjë informacion serioz dhe të besueshëm.

Kodi etik i gazetarëve

Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

E gjithë pjesa tjetër e tekstit është koment, asgjë nga faktet, asgjë nga burimet, asgjë nga dëshmitë, thjeshtë koment. Autori flet për fundin e zullumqarëve, injorimin e pushtetarëve të korruptuar dhe për shpresën që të gjitha ata të marrin rrugën (që nënkupton të arratisen) që populli të marrë frymë dhe të jetojë i qetë. Kjo nuk është retorikë lajmesh.

Shënime për lexuesit

Tekstin e kanë shpërndarë edhe portale të tjera por në shumë prej tyre në fund shkruan “*Kjo eshte rubrika thashetheme qe nuk bazohet ne deshmi dhe deklarata.” Për të qenë korrekt ndaj lexuesve këtë duhet ta kishte bërë edhe media, teksti i të cilës recensohet. Lexuesit duhet të dinë se bëhet fjalë për thashethem dhe që nuk ka asnjë dëshmi për atë që autori shkruan. Për këto shpërndarje nevojitet një kategori e veçantë në webin e medias.