Mediat duhet patjetër të mbrojnë privatësinë njerëzore dhe jo ta dëmtojnë atë

Mediat dhe gazetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) shpesh herë duke publikuar çfarëdoqoftë informate, kanë bërë shkelje të privatësisë të personave publik por edhe privat. Megjithëse shkelja e privatësisë parashihet në Kodin Penal, Kodin Etik të Gazetarëve dhe në Konventën evropiane për të drejtat e njeriut, ka raste kur shkelja e privatësisë është e lejuar, nëse ajo ka të bëj me interesin publik dhe me të mirën e përgjithshme, megjithatë ka disa mënyra se si dhe në çfarë mase duhet të bëhet edhe kjo.

Mediat e RMV-së shembull joadekuat i raportimit për “1 maj”

Gjatë raportimit për “1 Maj”, dhe jo vetëm, mediat e RMV-së duke publikuar pamje nga skarat e shumta që u bën në parqe publike, nga çifte të dashuruarish dhe nga familjarë të personave publik, ka bërë që qytetarët të shohin më së shumti këtë pjesë të shënimit të kësaj date, duke marrë për model të keq, se “1 Maji” duhet të festohet në parqe dhe kafene, e jo duke protestuar për të drejtat e punëtorëve, për çfarë edhe është “1 Maji”.

 “1 Maj në Gërmi, çifti nuk përmbahet as në publik (FOTO)”, është titulli i lajmit të publikuar nga “Tetova Sot”.

Lajmi është i marrë nga media tjetër, përveç se nuk ka citim, ka shtrembëruar edhe kontekstin e gazetarit, ku duke i bashkangjitur një foto ku shihen dy të rinj duke u përqafuar, të veshur në rroba, “Tetova Sot” tërë fokusin e vendosi aty, aq sa duke shoqëruar në titull fjalën “Foto” dhe “nuk përmbahet”, krijoi përshtypjen se mes një çifti ka ndodhur diçka intime, e turpshme në të gjitha përmasat etike dhe morale. Edhe një fotografi që shihet një çift, nuk dëshmon atë që është shkruar në titull.

“Skarë për 1 maj me më të afërmit”, shkruan Motika.mk.

Rasti në fjalë është edhe më skandaloz, e cila përveç një fotoje, ku shihen disa persona duke bërë skarë, nuk ka publikuar informacion apo nuk ka treguar burime dhe dëshmi të informacionit.

“Ja pse e festojmë 1 Majin – dita e punës, skarës dhe natyrës”, thuhet në lajmin e Kurir.mk

Situata bëhet më alarmante, sepse media “Kurir.mk”, duke tentuar që t’i sqarojë publikut se për çfarë festohet “1 Maji”, krijoi bindjen në publik, se kjo festë, përveç asaj se në shtetet e huaja shënohet me protesta për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, apo kërkesë për të drejta më të mëdha, ka thënë se “në RMV kjo datë është për të bërë skarë dhe për të dalë në natyrë”.

Në raportimin e mediave për mënyrën e shënimit të “1 Majit” u përfshi edhe familja e ish kandidates për presidente të RMV-së, Gordana Sijanovska pasi që e njëjta shpërndau disa fotografi në rrjetin social “Fejsbuk”.

 “Siljanovska e festoi “1 Majin” në birrari (FOTO)”, thuhet në titullin e lajmit të “Slloboden Peçat”.
“Siljanovska Davkova për “1 Maj” me bashkëshortin Bazhe dhe bijen Marija (FOTO)”, thuhet në titullin e “Republika.mk”.

Gjatë shpërndarjes Siljanovska përveç fotografive shkroi se: “Një maji është festë e madhe për familjen tonë. Gjithmonë e kemi festuar bashkë”.

Mediat – shkelëse të privatësisë së individëve dhe raportuese jocilësore

Duke raportuar në këtë mënyrë gjatë këtij rasti, por edhe të tjera, mediat kanë bërë edhe shkelje të privatësisë së individëve të caktuar. Përveç me rastin e lartpërmendur të familjes së Siljanovksës, shkelje e privatësisë është bërë edhe gjatë publikimit të fotografisë së maturës së vajzës së kryeministrit të RMV-së, Zoran Zaev .

“Çdo qytetari i garantohet respektimi dhe mbrojtja e privatësisë së jetës të tij personale dhe familjare, e dinjitetit dhe e autoritetit”, thotë nenin 25 i Kodit Penal të RMV-së.

“Gazetari duhet ta respektojë privatësinë e personit”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.
“Çdo individë ka të drejtë t’i respektohet privatësia dhe jeta familjare, shtëpia dhe korrespondenca”, thotë neni 8, paragrafi 1 i Konventës evropiane për të drejtat e njeriut.

Shkelja e privatësisë, sipas publikimit “Udhëzime për gazetari etike dhe raportim cilësor”, është cilësuar edhe si një nga faktorët që dërgojnë në raportim jocilësor të gazetarëve dhe që duhet të kihet kujdes.

Privatësia mund të preket nga gazetarët në këto situata

Sipas, Konventës evropiane për të drejtat të njeriut dhe Kodit Etik të Gazetarëve, gazetarët, por edhe pushteti, mund të prekin në privatësinë e personave, vetëm nëse kanë informacione me interes publik dhe me të mirë të përgjithshme. Në rastin e çiftit në Germi, në rastin e Siljanovskës dhe në rastin e Zaevit, nuk ka interes publik.

Sipas Kodit Etik të Gazetarëve, privatësia mund të mos respektohet:  “Vetëm nëse ajo është në kundërshtim me interesin publik”.

Sipas Konventës evropiane për të drejtat e njeriut, në privatësi mund të përzihemi nëse ajo e rrezikon sigurinë dhe stabilitetin ekonomik dhe social të qytetarëve të RMV-së.

“Pushteti publik nuk mund të përzihet në realizimin e kësaj të drejte, vetëm nëse ajo përzierje është paraparë me ligj dhe nëse paraqet masë e cila është në interes të shtetit dhe të sigurisë shtetërore, stabiliteti ekonomik të shtetit, mbrojtja e rendit dhe parandalimin e veprave penale, mbrojte e shëndetësisë dhe moralit, apo mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve, në shoqëri demokratike”, thotë neni 8, paragrafi 2 i Konventës.

Sipas publikimit “Udhëzime për gazetari etike dhe raportim cilësor”, gjatë shkeljes së privatësisë së individëve duhet të kihen parasysh faktorët siç vijojnë më poshtë:
-sulmi ndaj privatësisë duhet të arsyetohet me sasinë e dëmit potencial që mund të dalë nga ai sulm;
-sulmi duhet të arsyetohet me interesin publik, të mirës së përgjithshme e cila pason me publikimin e informacionit;
-metodat që do të përdoren duhet të jenë në pajtim me seriozitetin e artikullit gazetaresk dhe
-cilado dëshmi duhet të aprovohet nga nivele të larta dhe me kontrolle adekuate.

Shembulli i “Guardianit”

Në mars të vitit 2012, gazetar botërore “Guardian” vendosi që ta publikojë postën elektronike të presidentit sirian, Bashar Al Asad dhe të bashkëshortes së tij, me çka nxitën në publik shumë pyetje për çështje të etikës. “Guardian” u përgjigj në ato pyetje dhe sqaroi se si është bërë verifikimi i origjinalitetit të “E-mailit” dhe pse kanë vendosur që të publikohet ajo.

“Konsiderojmë se një numër i caktuar i informacioneve të publikuara, përfshirë edhe dëshmi se si Asadi merr këshilla nga Irani, dhe si merr brifinge të detajuara për gjendjen në Homs, janë të interesit publik. Duke e pasur parasysh të regjimit brutal të Asanit ndaj popullatës siriane, konsiderojmë se pasqyra më e detajuar për punën e rrjetit të Asadit në internet, e cila del nga mesazhet, dhe shkalla në të cilën Asadi dhe bashkëshortja e tij kanë arritur ta ruajnë jetën luksoze janë, gjithashtu të interesit publik. “Guardian” nuk i ka kërkuar materialet. Kemi vendosur që mos të publikojmë informata personale, përfshirë edhe fotografi dhe videoincizime të cilat i takojnë rrethit familjar më të gjerë të Asadit, dhe të cilat nuk lidhen me aktivitetet e familjes më të ngushtë dhe mënyrën me të cilën udhëheq Sirinë. I kemi larguar detajet për personat e tretë nga mesazhet të cilat janë publikuar onlajn dhe në shtyp”, thanë nga “Gruadian”.

Për lexuesit: Mos i merrni model shembujt  e shkeljes së privatësisë nga mediat në RMV

Që një artikull gazetaresk të arrijë qëllimin e tij, përveç se duhet të informojë saktë duke përdorur burime të vërtetë të informatës, duhet që informatën që e përmban, të jetë me interes publik dhe të mos bëj shkelje të privatësisë. Mediat, veçanërisht ato onlajn nuk duhet ta bëjnë lajm çdo fotografi që plasohet nga individë të caktuar në rrejte sociale, qofshin ato edhe persona publik, nëse fotografia apo videoja nuk ka të burim të informacionit interesin publik. Nëse ajo që publikohet nuk jep informacione për çështje që ju tanojnë juve fillimisht, si qytetarë, më pas edhe për shtetin, duhet të jenë shembull se si edhe ju, si qytetarë apo lexues se si nuk duhet të shkelet privatësia e njerëzve, pavarësisht a janë bartës së funksionit shtetëror, ose jo.