Mediat duhet të shkojnë një hap para me rastin “Gruevski”

Foto nga  Aleksandar Dojranliev

Nga: Xhenis Sulimani

Shpesh interesi i përgjithshëm keqpërdoret nga përfaqësuesit institucional, të cilët për barrë kanë kujdesin për të mirën e përtgjithshme. Kjo shkelje ka krijuar një nevojë për një urë. Urë në mes qytetarit dhe institucioneve. Kjo urë janë mediat.

Media, përveç urës, në thelb duhet të jetë zhbiruesi më i madh i korridoreve institucionale, të cilat shpesh janë të errëta për opinionin publik dhe fshehin informacione të interesit publik.

Shkrimet për ikjen e Nikolla Gruevskit, ish kryeministrit të Maqedonisë, me nxitën për një shkrim të këtillë. Dhe, me të drejt ngre pyetjen se a ka nevojë që gazetaria hulumtuese të zgjohet në këtë drejtim dhe ta vëjë në funksion aktivitetin zhbirues- për të ardhur deri te e vërteta- e që është detyrim i gazetarisë?!

Mediat në raport me ikjen e Gruevskit mbetën vetëm në rolin e transmetuesit të lajmeve që thonë të tjerët. Cfarë thotë ministria e Punëve të Brendshme? Tashmë e dimë. Kemi njohuri edhe për qëndrimin e qytetarëve në këtë drejtim.

Për ikjen e Gruevskit, institucionet kanë një mendim. Qytetarët kanë një mendim tjetër, ndërkaq mediat janë bërë vetëm dërgues të lajmit, nga njëra anë e urës, në anën tjetër. Mungon karakteri zhbirues i medias për t’a ça errësirën institucionale dhe mjegullën që krijohet për rastin e ikjes së Nikolla Gruevskit. Opinioni e ka dëgjuar/lexuar edhe qëndrimin e kryeprokurorit. Publikut i mungon e vërteta.

Spasovski: Arratisja e Gruevskit është lëndë komplekse

“Si MPB ne jemi institucion që është ndihmë i prokurorisë dhe që i zbaton të gjithë urdhrat për të gjitha lëndët, si dhe për këtë lëndë. I përfshin shumë njerëz dhe janë siguruar materiale dëshmuese që janë dorëzuar Prokurorisë. Po analizohet gjendja”, tha Spasovski.

 Qytetarët: Ikja e Gruevskit marrëveshje me pushtetin 

“Ashpër e dënoj aktin e tillë, sepse do të ndikojë negativisht mbi rastet gjyqësore në përgjithësi, veçanërisht mbi rastet në të cilat jemi të akuzuar ne të dy”.- Mile Janakievski (ish ministër)

Lubomir Joveski, kryeprokuror:

“Prokuroria ka ndërmarrë më shumë aktivitete për të siguruar prova, siç edhe ju kemi njoftuar më parë. Kemi kërkuar prova nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare juridike nga organet kompetente të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Janë siguruar inçizimet nga kamerat e sigurisë nëpër rrugë, pika pagesore, vendkalime kufitare si dhe rreth shtëpisë së ish kryeministrit”. 

Analizat e fundit mbi tekstet hulumtuese në Maqedoni japin numra shqetësuese.

Media duhet të shkoj përtej arsyetimit banal të autoriteteve se, “po analizohet gjendja” ose “arratisja e Gruevskit është lëndë komplekse”. Nëse vazhdohet me këtë hov, atëherë media bëhet vegël për manipulim, duke përcjellë vetëm qëndrimin e autoriteteve, pa bërë presion që procesi të ecë para, pa hulumtuar nëse qëndrimet e institucioneve përkatëse janë vetëm për çorientim të opinionit dhe për të fshehur të vërtetën mbi Gruevskin.

Nëse, nuk shkohet një hap para në zbardhjen e ikjes së Gruevskit nga vendi, përgjegjësi do të duhej të jepnin edhe mediat, përvec institucioneve kompetente. Në rast se edhe përgjatë vitit 2019 hasim në fraza si “lëndë komplekse” dhe “hetimet vazhdojnë”, mediat do të luajnë rolin e zëdhënësit dhe jo hulumtuesit.

Hulumtim thelbësor, ose hulumtues, është i domosdoshëm në rastin Gruevski

Hulumtimi në këtë rast është imperativ për ta zbuluar të vërtetën, si dhe për të theksuar përgjegjësinë institucionale.

Është e qartë se gazetaria investigative kërkon punë dhe përkushtim për një kohë më të gjatë, sesa gazetaria ditore. Megjithatë, për raste si ikja e Gruevskit asnjë media nuk duhet të kursejë kohë dhe mjete. Është sekret publik se institucionet për vepra kriminele janë të mbyllura, por kjo nuk duhet të jetë pengesë që gazetaria të reterojë, përkundrazi, duhet të gërmojë për të deshifruar çka qëndron pas deklaratave zyrtare të institucioneve përkatëse dhe të zbulojë atë që është në interes të opinionit publik.

Gruevski para se të ikë është përcjellur nga persona të MPB-së, çdo ditë e natë. Opinionit i duhet të dijë, sa ka qenë gatishmëria e personave të përfshirë në sigurinë e Gruevskit, nëse ndonjëri prej përcjellësve ka qene VMRO-ist. E them këtë bazuar në faktin se sa janë të partizuar institucionet në Maqedoni. Është e paimagjinueshme ikja pa pasur bashkëpunim me struktura policore. Deri tash nuk kemi asnjë lajm në këtë drejtim.

Do të thotë, duhet guxim i një gazetari, përkrahje nga ekipi- kohë dhe përkushtim. Teksti duhet të nisë dhe të përfundojë brenda Ministrisë për Punë të Brendshme.

Një shoqëri me mendim të pastër kritik ndërtohet me media të lira, që guxojnë të shkojnë një hap para institucioneve. Në Maqedoni një gjë e këtillë është domosdoshmëri. Sepse, këtu- në Maqedoni- është dëshmuar se institucionet janë më shumë në shërbim të grupeve të interesit dhe partive, sesa në shërbim të interesit të përgjithshëm.