Mendimet, komentet, të pavërtetat, ngarkesë për psikologjinë e lexuesit!

Në periudhën parazgjedhore, përveç fushatës që duhet të zhvillohet në mënyrë të barabartë dhe nën kushte të njejta për të gjithë garuesit, partitë politike garojnë se cili do të shpalos më shumë gjëra negative për oponentët politikë, me qëllim grumbullimin e sa më shumë poenave politikë për vete, gjegjësisht sa më shumë vota. Mediat mbështetëse të një partie të caktuar politike i aktivizojnë të gjitha mekanizmat për të nxjerrë në pah një “të metë” të partisë tjetër, ose për ta shpikur një të tillë. Në këtë mënyrë bëhet shumë i madh numri i teksteve të pavërteta, mendimeve dhe komenteve të gazetarëve që e ngarkojnë tej mase psikologjinë e lexuesit.

Foto nga lajmi që recensohet
Foto nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: A i erdhën 5 Minutat Hazbi Likës! BDI e Tetovës bojkot total Shtabit për Pendarovskin?!

Data e publikimit: 04.04.2019

Data e recensionit: 22.04.2019

Recensuese: Ajnur Bafqari

Që në titullin e tekstit që po e recenzojmë, autori e ka hapur një dilemë që e bën të qartë se qëllimi i përmbajtjes nuk është informimi, por vetëm krijimi i pikëpyetjeve të tjera. Ndërsa përmbajtja e tekstit është përshkrim i një atmosfere me dozë të madhe të komentit që nuk argumentohet as me fotografi dhe as me deklarata. Gazetari ka shfrytëzuar një situatë të krijuar paraprakisht brenda një partie politike, duke i lejuar vetes të shkruaj edhe për përjetimet emocionale të aktivistëve të partisë në fjalë.

 Aty mungonte figura kryesore e BDI Hazbi Lika, se bashku me shumë fuknsionar tjerë nga Dega e Tetovës, gje qe kjo ka denotivuar ende ma shume aktivistet e thjeshte te BDI te jene ne hapjen e shtabit te BDI per Pendarovskin.
Shtrohet pyetja a i erdhën Hazbi Likës 5 minutat e tij te shumë pritura per nje kohë të gjatë
 që i bën kreu i BDI Ali Ahmeti se bashku me Kryeministrin Zaev  –thuhet në tekst.

Kur gazetari përshkruan gjendjen emocionale të dikujt tjetër!
Përveç gabimeve të shumta drejtëshkrimore, renditjes joadekuate të fjalëve, mungesës së argumentit për ato që i thotë,  autori i tekstit e ka bërë matjen e dëshirës së aktivistëve për pjesmarrje në një tubim si dhe ka akuzuar për shantazhe dhe detyrime të caktuara, për të cilat nuk ka asnjë bazë. Autori as nuk e ka bërë të qartë se për çfarë “5 minutëshi” bëhet fjalë konkretisht dhe çfarë nënkuptojnë ato “5 minuta”.

Koncepti i manipulimit “kjo ndodh shkaku se ka ndodhur X gjëja më herët”
Autori ka tentuar që në bazë të supozimeve t’u paraqet diçka si të vërtetë, vetëm sepse, bazuar në ngjarje paraprake, ashtu duhej të ndodhë edhe ngjarja më pas.

Në mungesë të argumenteve, me shumë gjasë po lexoni një mashtrim.
Në periudha parazgjedhore duhet të jeni shumë të vëmendshëm se prej ku zgjidhni të informoheni, mundohuni të dalloni tekste të cilat po e harxhojnë kohën tuaj dhe kanë për qëllim ndikimin në bindjen tuaj politike nëpërmjet mashtrimeve dhe teksteve boshe. Tek tekstet që lexoni, mundohuni të gjeni argumente, deklarata nga më shumë palë, pasi në mungesë të argumenteve me shumë gjasë po lexoni një mashtrim.