Në fushatë zgjedhore vlejnë rregulla të caktuara ligjore për mediat të cilat duhet të zbatohen

Nga: Fatlume Dervishi

Mediat dhe zgjedhjet

Zgjedhje presidenciale, parlamentare, lokale, të rregullta ose të parakohshme… Mediat për to përgatiten dhe mobilizohen që përpara fillimit të fushatës sepse informimi gjatë procese zgjedhore është karakteristik. Më shumë se kurrë vjen në shprehje informimi i balancuar duke pasur parasysh se përmbajtja matet me sekonda dhe lëshimet penalizohen financiarisht.

Radiodifuzorët dhe mediat e shkruara, që nga shpallja e zgjedhjeve monitorohen nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuele (më tej; Agjencia e mediave). Me fillimin e fushatës zgjedhore vlejnë rregulla të caktuara ligjore të cilat duhet të zbatohen. Përveç Kodit etik të gazetarëve të cilin duhet ta respektojnë në çdo kohë dhe në çdo rast, në këtë periudhë mediat duhet t’i qasen edhe Kodit Zgjedhor. Një pjesë e tij i referohet informimit në kohë zgjedhjesh.

Mënyra se si monitohen mediat nga Agjencia e mediave është diskutuar disa herë. Ka ngjallur debat matja që bëhet sa i takon hapësirës së shfrytëzuar në media nga kandidatët në zgjedhje. Dilema nuk ka pasur në matjen sasiore, dmth me minutazh, por, nuk është arritur të bëhet një përkufizim i qartë i matjes përmbajtësore.

Detyrimet e servisit publik në zgjedhje

Mediat private mund të zgjedhin nëse duan të mbulojnë aktivitetin e pjesëmarrësve në zgjedhje ose jo, nëse duan të informojnë për to në edicionet informative dhe nëse duan të transmetojnë program të paguar politik. Mundësia për të zgjedhur është e tyre, vetëm se kërkohet të respektojnë dispozitat mbi informimin e balancuar rreth pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Por, ekzistojnë dispozita të veçanta që rregullojnë mbulimin e fushatës nga mediat private dhe atë të Radiotelevizionit Kombëtar, servisi publike.

Një gjë që na bie më shumë në sy gjatë fushatës është “Programi i paguar politik”. Mediat e kanë patjetër të vendosin këtë mbishkrim për secilën përmbajtje reklamuese dhe spote publicitare të pjesëmarrësve në fushatë. Kjo bëhet për të dalluar përmbajtjen informative autoriale të vetë medias dhe përmbajtjen promovuese të aktorëve politik. Për servisin publik, vlejnë të tjera rregulla.

Kodi Zgjedhor, Neni 76, Paragrafi 5

Shërbimi radiodifuziv publik nuk guxon të transmetojë reklamim të paguar politik.

Ndërkohë që televizionet private mund të vendosin nëse brenda një edicioni të lajmeve do t’i kushtojnë ose jo hapësirë prezantimit të kandidatëve ose partive politike në zgjedhje, Radiotelevizioni Kombëtar është i detyruar të ndajë 30% të hapësirës në lajme për këtë qëllim.

Kodi Zgjedhor, Neni 76-a, Paragrafi 2

Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, Shërbimi radiodifuziv publik është i detyruar të sigurojë qasje të barabartë në programin informativ gjatë të cilit 30% të kohës do të transmetojë ngjarjet ditore nga vendi dhe bota, 30% të kohës për aktivitetet e partive politike të pushtetit, 30% të kohës për partitë politike në opozitë dhe 10% të kohës për aktivitetet e partive politike të cilat nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.

Paragrafi 5

Gjatë periudhës së fushatës, edhe në rrethin e parë edhe në rrethin e dytë të votimit, Shërbimi radiodifuziv publik është i obliguar të emitojë prezantim politik pa pagesë të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor në pajtim me principet për mbulim të balancuar në zgjedhje.

Radiodifuzori publik në bashkëpunim me KSHZ-në është i obliguar të informojë qytetarët për përgatitjen e procesit zgjedhor dhe mënyrën e votimit.

Sqarimi më i thjeshtë lidhur me këtë është se televiozionet private nuk financohen nga shteti prandaj nuk kanë “detyrime” ndaj partive politike ose garuesve në zgjedhje. Servisi publik është hapësira ku ata mund të prezantojnë programet e tyre pa pagesë dhe ku qytetarët mund të informohen nëse mediat tjera zgjedhin të mos i transmetojnë ato përmbajtje.

Debatet mes konkurrentëve

Mediat private përsëri e kanë në dorën e tyre organizimin e debateve me temë zgjedhjet dhe përballjet eventuale mes garuesve në emisione. Për servisin publik kjo është e patjetërsueshme.

Kodi Zgjedhor, Neni 76-a, Paragrafi 11

Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në heshtjen zgjedhore, shërbimi radiodifuziv publik është i obliguar të organizojë emisione debatuese gjegjësisht përballje mes partive më të mëdha politike nga pushteti dhe opozita, si dhe pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor.

Procesi aktual zgjedhor

Aktualisht, mbyllet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, të gjashtat me radhë në vend. Gjatë këtij procesi zgjedhor mediat, përfshirë edhe servisin publik, kanë organizuar më shumë debate televizive se kurrë më herët mes kandidatëve në garë. Për herë të parë aplikohet edhe ndryshimi që përmbajtjet reklamuese të financohen nga buxheti i shtetit dhe për herë të parë KSHZ-ja ka përpiluar edhe regjistër të portaleve të cilat po ashtu do të kompensohen për hapësirën reklamuese.

Se sa janë respektuar ose shkelur dispozitat e tjera ligjore do të tregojnë raportet e Agjencisë së mediave. Monitorues të angazhuar nga Agjencia e mediave për vëzhgimin e mediave plotësojnë raportet ditore dhe i dërgojnë në Agjenci. Vërejtje shënohen për rastet kur monitoruesit mendojnë se media ka bërë shkelje. Agjencia shqyrton raportet dhe sjellë vendime pasi shqyrton edhe materialin e incizuar nga vetë media. Ky institucion publikon raporte për punën e secilës medie, ku e njofton atë nëse ka bërë shkelje dhe nëse do të penalizohet.