Njoftim për pjesëmarrje të KriThink të PrivacyCamp.eu në Bruksel

Më 29 janar një përfaqësues i fondacionit “Metamorfozis”, përkatësisht “KriThink”, do të merr pjesë në ngjarjen ndërkombëtare “Kampi për privatësi” (PrivacyCamp.eu) që do të mbahet në Bruksel, Belgjikë, e që organizohet nga Rrjeti për të drejtat digjitale evropiane – EDRI dhe koalicioni i organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet.

PrivacyCamp.eu është konferencë vjetore në të cilën grumbullohen përfaqësues për të drejtat digjitale, aktivistë të sektorit civil si dhe përfaqësues të institucioneve akademike dhe krijuesve të politikave publike nga e gjithë Evropa dhe më gjerë, për të diskutuar çështjet më kritike që kanë të bëjnë me onlajn të drejtat e njeriut.

Në këtë ngjarje, në suaza të panel-diskutimit në temën “Përvijimi i problemit: Përhapja e lajmeve përmes onlajn platformave” udhëheqësi i projektit “KriThink” Filip Stojanovski do t’i prezantojë përvojat nga Maqedonia në lidhje me industritë lokale për lajme të rreme dhe metodat për të kundërshtuar format e ndryshme të dezinformatave.

Projektin “Me mendim kritik deri te qytetarë me shkathtësi mediatike – KriThink” e zbaton Fondacioni “Metamorfozis” në partneritet me “Eurothink” me mbështetje nga Bashkimi Evropian. Qëllimi themelor i projektit është promovimi i edukimit mediatik si bazë për të ruajtur të drejtën e qytetarëve që të kenë mendime të ndryshme, përmes stimulimit të kulturës për mendim kritik, pluralizëm dhe vlera demokratike.