Nuk është lajm informata me tendencë negative e shoqëruar me “burim anonim”

Kritika është anë e pandarë e informimit gazetaresk por është me vend atëherë kur ka bazë, kur është e arsyeshme, kur shpalosen fakte… Në rastin e tekstit që është analizuar, vendin e kritikës e kanë zënë komentet, të dhënat selektive dhe madje edhe të pavërteta. Lexuesi duhet të ketë kujdes kur sheh lajme të tilla me tendencë.

Recension: Ina: Teuta Arifi kryekomunarja e parë shqiptare që “qeraset” prej Qeverisë

Linku deri te artikulli origjinal: Ina: Teuta Arifi kryekomunarja e parë shqiptare që “qeraset” prej Qeverisë

Data dhe koha e publikimit: 06.12.2018

Data e recensionit: 09.12.2018

Recensues: Fatlume Dervishi

Faktet e pamohueshme

Me rishikimin e buxhetit për vitin 2018, mjetet e pashfrytëzuara u ridestinuan për shlyerjen e një përqindje të borxhit të komunave. Është evidentuar se cilave komuna, sa për qind nga borxhi që ata kanë, do t’u mbulohet me mjete nga buxheti i shtetit. Lista e këtyre komunave është publike.

Burimet primare

Teksti është ndërtuar duke ju referuar qëndrimeve të një burimi anonim nga ekzekutivi.

Burime qeveritare thonë se e vetmja komunë me shumicë shqiptare në këtë grup është komuna e Tetovës. Këto burime thonë se komuna e Tetovës dhr kryetarja e saj, Teuta Arifi janë të “perkedhelur” nga qeveria dhe kryeministri “sikur të ishte në LSDM jo ne BDI”.

“Komuna e Tetovës është e vetmja komunë të cilës qeveria ia ka pranuar edhe borxhet ndaj ndërmarrjes komunale apo siç thuhet “komunalecit”, kanë thënë këto burime.

Pa pasur aspak nevojë për burime anonime, autori ka mundur që të drejtohet në Qeveri për informacione të detajuara. Në fakt, të thuash se “ka pasur mundësi” s’është gjë. Gazetari e ka për detyrë të verifikojë informacionet që merr nga burimet e dorës së dytë. Ky është principi bazë i punës së tij.

Kodi etik i gazetarëve

Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

“Burimi” anonim i autorit ka përdorur komente ku thotë “komuna e Tetovës dhr kryetarja e saj, Teuta Arifi janë të “perkedhelur” nga qeveria dhe kryeministri “sikur të ishte në LSDM jo ne BDI”. E vërtetë, komentet nuk janë të gazetarit por edhe në rastet kur i atribuohen dikujt tjetër, duhet të bëhet kujdes në publikimin e tyre, me qëllim që të ketë paanshmëri. Përveç kësaj, tendencioze mund të konsiderohet edhe fotografia me të cilën është shoqëruar teksti dhe titulli ku po ashtu ka komente.

Gjendja faktike

Borxhi i Komunës së Tetovës është rreth 11.5 milion euro, dhe jo 15 milion siç shkruan gazetari (kjo, bazuar në prononcime publike të zyrtarëve të Komunës). Këtë, gazetari ka mundur ta konfirmojë personalisht në Komunë. Prej borxhit real, nga mjetet e buxhetit të shtetit, Komunës së Tetovës do t’i shlyhen vetëm 51% që i bie diku më pak se 6 milion euro, dhe jo të gjitha, siç shkruan autori.

Për lexuesit kujdes, kujdes, kujdes!

Në shikim të parë, titujt dhe informacionet e këtilla të tërheqin vëmendjen. Por, lexuesi duhet të dijë se këto përmbajtje edhe pse duken si lajme, nuk janë lajme. Pas tyre nuk qëndron qëllimi për informim por (lirisht mund të thuhet) ai për keqinformim. Me shumë pak përpjekje, gazetari mund ta kishte bërë këtë përmbajtje të besueshme dhe profesionale. Mjafton të kishte respektuar dispozitat e lartpërmendura. Të ishin kontaktuar të dy institucionet të cilat përmenden, të kihej parasysh rishikimi i buxhetit dhe përqindja e mjeteve që u ndahet komunave.