Objektiviteti, element i domosdoshëm për lajm të besueshëm

Foto: Pexels
Foto: Pexels
Foto: Pexels

Nga: Xhenis Sulimani

Lajme plot, e kualitet pak. Është kjo gjendja e ambientit mediatik, sidomos te mediat më të frekuentuara, konkretisht portalet. Lajmi duhet të jetë i saktë, i plotë dhe objektiv, është maksima më e përsëritur e thirrësve në etikën dhe profesionin e gazetarisë, por që pak aplikohet në praktikë.

Kush po e vret objektivitetin në gazetari?

Digjitalizimi, është sfida e gazetarisë. Sot në garë për të dalë i pari që posedon informacionin, mediat dinë shpesh të jenë të njëanshëm dhe subjektiv. Objektiviteti nuk është më parësor, sepse mediat humbin në renditje, në bazë të shpejtësisë, të plasimit të lajmit.

Lajmi duhet të jetë i plotë dhe shpejtësia nuk duhet të vihet para objektivitetit. Informacioni duhet të jetë i bazuar në së paku dy burime. Kur një informacion ka të bëjë me akuzë ndaj institucionit ose ndonjë funksionari politik, pala që akuzohet duhet ta thotë edhe verzionin e vet.

Subjektiviteti

Një parti, plot portale nën ombrellë. Kjo ndikon në rritjen e subjektivitetit dhe në zhbërjen e objektivitetit në lajme. Portale që nxjerrin informacione me kumtesa partiake të njërës parti dhe akuza ndaj partisë tjetër sot janë bërë shumë.

Propaganda s’ka të bëjë me objektivitetin dhe etikën gazetareske. Fokusi i një medie vetëm në aktivitetet e një partie e bën atë vegël propagande dhe jo vend ku transmetohet lajmi i vërtetë dhe objektiv. Sipas Kodit etik gazetaresk, raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.

Pse është i rëndësishëm objektiviteti posaçërisht në shoqëritë multikulturore?

Maqedonia është vend multietnik ku stereotipet dinë shpesh të gjejnë vend. Media duhet të jetë korrektues në këtë drejtim dhe në mënyrë sa më objektive të paraqesë kulturat tjera. Gazetarët duhet të kenë kujdes dhe të mos përforcojnë stereotipet në bazë të përkatësisë etnike, religjioze dhe racore.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut media me pronarë shqiptarë kanë redaksi të përziera, etnikisht. Pasqyrë kjo që nuk ndodhë te mediat tjera Maqedoni që kanë redaksi në gjuhën maqedone. Përbërje me etni të përziera ndihmojmë më shumë në përpunimin e kronikave që japin frymë multietniciteti dhe ngritjen e vetëdijes për laramaninë kulturore.

Maqedonia në raportet e fundit të Freedom House dhe Reporterët pa kufij renditet e fundit për lirinë e medias. Dhe, duhet pasur parasysh se kësi renditje kishte për shkak ish regjimit të qeverisë së kaluar, kur objektiviteti ishte utopi. Gjërat duhet patjetër të ndryshojnë. Por si? Me media të lira që nuk mbajnë anë. Media të lira të paanshme që në mënyrë objektive transmetojnë lajme.

Në Maqedoninë e Veriut ishte verifikimiifakteve.mk dhe tani crithink.mk që i kushtojnë kujdes informimit dhe edukimit të mediave dhe opinionit- si të lexojnë lajme. Kjo veprimtari ka ndikuar dukshëm në inkurajimin e mediave për të qenë objektiv, por edhe të lexuesve që me rezerva t’i marrin informacionet e plasuara.

Opinioni mund të edukohet vetëm me informacione objektive. Lexuesi mund të thirret në edukatë mediatike vetëm kur lexon lajmin e verifikuar dhe pa tendencë. Publiku i interesuar për procese politike kërkon informacion të plotë. Sot, më ndodhë shpesh të takojë persona që më thonë se për të marrë një gjykim për ndonjë rast politik, i “shfletojnë” disa media. Në kuptimin se, te secila merrë nga pak informacion. Fenomen ky që tregon pasqyrën se sa subjektive janë mediat, se si “pjesërisht” transmetojnë lajmin dhe se e dinë se mediat janë të ngjyrosura partiakisht. Kjo dukuri duhet të jetë pasqyrë që gazetarët në informacionet e plasuara të kenë komponentet e duhura, për të fituar në objektivitet:

  • saktësinë, duke verifikuar informacionin
  • paanshmërinë, duke u dhënë hapësirë për prononcim të gjithëve

Lajmet objektive të bazuara në fakte janë në interesin e popullit. Lajmet e tilla zhvillojne vetëdijen, iniciojnë mendim kritik -objektiv dhe inkurajojnë mediat e lira dhe institucione përgjegjëse.