Pesë këshilla praktike si të identifikoni dezinformatat!

Слика: VideoPlasty via Wikipedia, CC BY-SA.

Nga: Fatlume Dervishi

Dezinformatat kanë ekzistuar gjithmonë mirëpo në vitet e fundit, me zhvillimin e internetit dhe mediave online, ata janë përhapur më shumë dhe janë bërë madje edhe mënyrë përfitimi. Mediat online e kanë lehtësuar “bërjen” e lajmeve por e kanë vështirësuar piketimin e atyre të besueshmeve. Lexuesi duhet të jetë i kujdesshëm për të vërejtur disa karakteriska të këtyre lajmeve, mos-përputhjen e fakteve dhe ndonjëherë edhe “lojërat” me paragjykimet.

Dezinformatat mund të identifikohen, ose të paktën të lexohen me sy kritik dhe me një masë skepticizmi për vërtetësinë e tyre. Nisuni nga disa pyetje!

  1. Cila është media e cila e transmeton lajmin?

Në qoftë se hasni në një lajm që u tërheq vëmendjen dhe dëshironi të dini se sa mund t’i besoni atij, hidhini shkurt një sy përmbajtjes tjetër të asaj medie, shikoni titujt e tjerë, paragrafët e parë të informacioneve… Nëse në gjithë këtë përmbajtje ka më shumë tituj që duken të çuditshëm, ka shumë të ngjarë që informacioni të mos jetë i saktë.

  1. Cili është burimi të cilit i atribuohet informacioni?

Është parim profesional i gazetarit që informacioni të konfirmohet nga disa burime dhe të kontaktohen palët e përfshira përpara se ai të publikohet. Është po ashtu e drejtë e gazetarit të fshehë identitetin e burimit por duhet të bëhet kujdes me besimin që u jepet këtyre lajmeve. Në rast se fsheh burimin, gazetari duhet të ketë siguruar sa më shumë të dhëna të tjera për ta vërtetuar nëpërmjet rrugëve të tjera atë që shkruan.

  1. A ka media të tjera që e kanë publikuar atë lajm?

Nëse lexon për ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme dhe interesante, matës i vërtetësisë së saj mund të jetë edhe transmetimi nga mediat e tjera. Shembull, nëse lajmin që një ministër paska pësuar aksident e transmeton vetëm një portal dhe nuk e gjen në asnjë medie tjetër, mundësitë janë të mëdha që ai të jetë “fake news”.

  1. Sa mundësi reale ka që të jetë i besueshëm një informacion aq bombastik?

Dezinformatat, kryesisht bëhen me qëllim të tërheqjes së vëmendjes, arritjes së sa më shumë klikimeve dhe manipulimit. Prandaj ata shpesh flasin për storje bombastike që duken shumë interesante, senzacionale, parashikojnë katastrofa të ardhshme, kura për sëmundje vdekjeprurëse dhe të ngjashme. Sa më larg mundësive reale të duket ai informacion, aq më afër të qënit “fake news” është.

  1. Sa i dyshimtë është domeni i medias?

Me siguri, disa herë u ka rënë në sy që hapen portale me emër ose domen të ndonjë medie të njohur dhe të besueshme, ndoshta edhe të ndonjë programi të ndjekur të ndonjë medie, emisioni ose formati tjetër. Shembull, mund të shihni informacione të publikuara nga faqja elektronike www.bbcnews1.com dhe të mos bëhet fjalë për gjigantin britanik BBC (www.bbc.co.uk) por për një medie që “shfrytëzon” besueshmërinë dhe famën e tyre për të shpërndarë përmbajtjet e veta. Një arsye pas këtij manipulimi me emrin duhet të ketë, dhe me shumë gjasë, arsyeja mund të jetë shpërndarja e “fake news”.

Deri te sa persona mund të arrijnë dezinformatat, sa veta mund t’i absorbojnë dhe sa ndikim mund të kenë, është çështje e diskutueshme. Kjo varet edhe nga karakteristika të tjera sidomos që kanë të bëjnë me arsimimin në përgjithësi, edukimin mediatik të lexuesve ose të një shoqërie dhe sa i shfrytëzojnë ata mediat. Të kujtojmë shembullin me “fake news” që u “ngjiz” tek ne, “mori dhenë” në vitin 2015 dhe u dëgjua në të gjithë botën.

“Tramp mund të mos ishte në postin e njeriut më të fuqishëm të botës, nëse nuk do kishte dezinformata, të ashtuaquajtura Fake-news, të shpërndara një milion herë në rrjete sociale por; dezinformuese”, shkroi gazeta kulturore gjermane Die Zeit. Përmes “fake news” në vitin 2015, gjatë fushatës elektorale për President të Shtëpisë së Bardhë, është sulmuar konkurrentja e Trampit, Hillari Klinton, nga disa adoleshentë nga Velesi që kanë prodhuar dhe publikuar dezinformata.

Ajo, sipas këtyre “lajmeve”, është një burrë, vuan nga një sëmundje e pashërueshme, ka tentuar të vrasë themeluesin e WikiLeaks, Gjulian Asangj kurse punonjësit e saj kanë probleme në tru dhe ushtrojnë pedofilinë. Këto lajme janë servuar si të shkruajtura nga “ekspertët” dhe nga “burime të brendshme”, duke marrë qindra pëlqime në Facebook. Adoleshentët në fjalë përfitonin shuma të majme nga klikimet dhe reklamat online por shumë pak lexues e dinin që ata përmbajtje ishin të shkruara për qëllime përfitimi.

Kur flitet për dezinformatat duhet të theksohet se ka media ose platforma të tjera me përmbajtje satirike. Ata shpërndajnë të dhëna pjesërisht ose plotësisht të sajuara. Kjo formë e dezinformatave është e pranueshme por media në fjalë duhet qartë ta theksojë në shkrimet e saj se bëhet fjalë për informacione satirike dhe humor.