Rregullat e lojët ndërmjet gazetarit dhe burimit

 

Në një tekst të gazetarit, burimi i gazetarit është njëri nga faktorët më të rëndësishëm për saktësinë e informacionit, rëndësinë dhe vërtetësinë e pretendimeve që bëhen në tekst. Burimet mund të jenë zyrtare dhe jozyrtare, dhe këto të fundit nuk është e thënë t’i zbulohen publikut, edhe pse ato janë të njohura nga gazetari dhe redaksia. Më shpesh, redaksitë dhe gazetarët profesionistë kanë dëshmi me të cilat mbështeten pretendimet e bëra nga burimet jozyrtare.

 

Shkruan: Silvana Zhezhova

 

MBROJTJA E BURIMIT

Gazetari ka të drejtë ta mbrojë burimin e tij duke mos e zbuluar atë, në qoftë se ai e ka kërkuar kët prej tij. Kjo është rregulluar edhe në Kodin e gazetarëve të Maqedonisë në nenin 4, ku thuhet:

Gazetari do ta cekë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon që të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë atë.

Duke iu referuar këtij neni, Këshilli për etikë në media i Maqedonisë (KEMM), para do kohësh reagoi ashpër ndaj kërkesave të paradokohshme të VMRO-DPMNE-së, që agjencia shtetërore MIA t’i zbulojë burimet e saj në lidhje me tekstin se Partia Popullore Evropiane (EPP) dëshiron t’i përjashtojë nga radhët e saj.

Njëra nga të drejtat themelore, e ndonjëherë edhe obligim i gazetarit është ta mbrojë burimin e tij.

Maqedonia është nënshkruese e të gjitha rezolutave relevante të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e burimeve në kuadër të lirisë së mediave. Roli i partive politike në një demokraci, në asnjë rast nuk guxon të nënkuptojë ndërhyrje nga ana e tyre në punën e gazetarëve, dhe kërkesat e tilla nënkuptojnë presion të hapur dhe përpjekje për diskreditim publik të medias, reaguar nga KEMM-ja në lidhje me kërkesën e partisë politike për ta zbuluar burimin nga ana e gazetarit, për të cilën redaksia deklaroi se posedon deklara të incizuara.

E drejta për mbrojtjen e burimit të informatave në mjetet e informimit publik është garantuar edhe me me Kushtetutë, në nenin 16, paragrafi 6.

Me këtë, gazetarëve me Kushtetutë u garantohet e drejta për t’i mbrojtur burimet e tyre, me çka mundësohet shkëmbim i lirë i informatave ndërmjet qytetarit dhe gazetarit. Kjo është me rëndësi të veçantë, sepse pa një mbrojtje të tillë, burimet mund të përmbahen nga ofrimi i ndihmës për mediat gjatë informimit të publikut për çështje me interes publik, shkruan avokati Aleksandar Georgiev, në tekstin e tij “Korniza ligjore e të drejtës për mbrojtjen e burimit të informacionit”.

Konventa evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nenin 10 për Lirinë e shprehjes thotë se:

Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me liçencë

Mirëpo, në nenin e njëjtë 10, nuk jepet e drejtë absolute për moszbulimin e burimit, gjegjësisht janë theksuar kushtet kur kjo e drejtë mund të kufizohet.

Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

 

ANONIMITETI, BURIMET DHE KREDIBILITETI

Është obligim i gazetarit ta përshkruajë burimin sa më për së afërmi që mundet, nëse nuk ka mundësi ta emërojë atë, për shkak se në atë mënyrë teksti ose storja fiton kredibilitet, edhe pse nuk është theksuar burimi.

Në Kodin e gazetarëve të pranuar ndërkombëtarisht thuhet:

Gazetari duhet, çdo herë kur kjo është e mundur, t’i theksojë burimet e tij. Publiku ka të drejtën të disponojë me sa më shumë të dhëna që është e mundur për kredibilitetin e burimeve të përdorura. Para se t’i premtojë anonimitet burimit të tij, ai duhet të zbulojë se cilat janë motivet e burimit për këtë. Shpjegoni saktësisht se në cilat kushte ju i premtoni atij anonimitet në këmbim të informacioneve.

Një shembull i tillë është precedenti i rrallë për gazetat më të mëdha amerikane, kur “The New York Times”, më 5 shtator publikoi një kolumnë anonime nga një zyrtar i lartë i administratës së kryetarit të SHBA-ve, Donald Tramp, në të cilën ai thotë se së bashku me shumë të tjerë ai punon fshehurazi për t’i penguar politika shumë të dëmshme të Trampit. Për autorin, “The New York Times” theksoi se e dinte identitetin e tij, por nuk e zbuloi atë.

Në media ka shembuj të shumtë ku përdoren burime të pretenduara anonime dhe ku keqpëdoret e drejta për mbrojtjen e burimit. (Pa fakte, burimet jozyrtare janë thashetheme të kamufluara)

Ajo që, poashtu duhet të dihet është fakti se vetë gazetari nuk mund jetë burimi.

Përveç kur redaksia vendos dhe raporton në mënyrë të organizuar nga vendi i ngjarjes dhe gjatë kohëzgjatjes së saj. Transmetimet e drejtpërdrejta, inkuadrimet nga vendi i ngjarjes… Bile edhe atëherë, shumë më bindshëm dhe besueshmëri më e madhe arrihet kur disa faza të veçanta apo pika nga ato transmetime, nëse angazhohet ndonjë bashkëbisedues, si burim profesional për ndonjë lëmi të caktuar, me përvojë nga situatat e tilla, ose burime të autorizuara, të cilat në emër të ndonjë institucioni interpretojnë momente të caktuara të ngjarjes.

Në “Doracakun për gazetari” të agjencisë informative britanike me renome “Rojters”, në pjesën e burimeve, thuhet se gazetarët duhet të ndërtojnë dhe të zhvillojnë kontakte me burimet, duke i bindur se do të trajtohen në mënyrë korretke, por njëkohësisht gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm që lidhja me burimin, të mos e tejkalojë kufirin e raportit të mirësjelljes dhe profesional me të. Në të kundërtën, do të dëmtohet perceptimi për paanshmëri.