S’mund të ketë kritikë në një lajm pa mos pasur dëshmi

Askush nuk lexon një lajm për të mësuar mendimin e gazetarit për të. Vlerësimi i publikut ndërtohet mbi informacionet që merr mbi një zhvillim, të mbështetura nga disa burime informacioni, por gjithmonë sa më objektive që të jetë e mundur. Në lajmin që e recensojmë, nuk ka dëshmi, por ka komente dhe pretendime.

Linku deri te artikulli origjinal: Ministri që kursente për kafe, në Vjenë harxhoi 2400 euro

Data dhe koha e publikimit: 05.01.2019

Data e recensionit: 10.01.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Interesi për shpenzimet publike

Shpenzimet e funksionarëve, sigurisht që janë fokus interesi për mediat sepse janë në pyetje para publike. Për këto shpenzime edhe mediat kanë një përgjegjësi sepse duhet të hulumtojnë dhe të publikojnë keqpërdorimet e mundshme. Shumë ose pak shpenzime, kjo gjithmonë u intereson taksapaguesve.

S’mund të ketë lajm kritik pa fakte

Në këtë tekst gazetari ka publikuar shpenzimet e ministrit të Kulturës Asaf Ademi gjatë vizitës zyrtare në Vjenë. Por, pjesa e kritikës është mbuluar me komente nga autori i tekstit. Ai mes tjerash thotë se Ministri i Kulturës i cili u mundua të mashtrojë qytetarët se ai po kursen duke treguar kohën që nuk ka qenë minister…” Ky është një informacion më i vjetër por autori nuk tregon nëse ka kërkuar sqarime për atë që ai mendon se ministri “ka mashtruar”.

Më poshtë autori sqaron shpenzimet duke i bërë llogari.

“Asaf Ademi së bashku me dy bashkëpuntorë tjerë në koncertin e Vjenës harxhuan 2400 euro ose i bie nga 800 euro për person.  Këto shpenzime ishin për kompensimet ditore prej 118 euro, akomodimin e hotelit për 420 euro dhe për bileta ajrore me 262 euro për person. Siç thuhet shpenzimet e tjera,  si dreka, pije dhe gjëra të tjera, u mbuluan privatisht nga Ministri dhe bashkëpunëtorët e tij.”

Deri këtu, nuk është dhënë asnjë dëshmi se janë keqpërdorur paratë publike. Në janë shumë ose pak këto shpenzime, është dashur një analizë më e madhe, por ai nuk e ka marrë mundimin ta bëjë këtë. Në fund, autori shfrytëzon hapësirën për të adresuar kritika edhe për partinë politike amë të Ademit. Përveç që dhe kjo pjesë përmban komente, nuk është cituar me emër asnjë njohës i çështjes si burim që do të përforconte atë që transmeton lajmi, edhe pse përmenden.

“Ndryshe Asaf Ademi i cili është emëruar nga Afrim Gashi kryetar i partisë BESA pa vulë, nuk i dëgjohet zëri, sipas njohësve Gashi bashkë me partinë e tij sikur janë shkri në LSDM.”

Kodi etik i gazetarëve

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Lajmi dallon nga komenti!

Lexuesi duhet të bëjë kujdes me lajmet e këtilla sepse mund të manipulohet. Nëse autori dëshiron të jetë kritik ndaj një ministri për të cilin ai mëson se “nuk i dëgjohet zëri” (lexo: nuk punon sa duhet) ai duhet të sigurojë mjaftueshëm fakte për këtë, të nxisë vetëdijësimin dhe reagimin e masës. Nëse dëshiron të tregojë se ministri po shpenzon jashtë normave dhe keqpërdor paratë e qytetrëve, duhet të sigurojë të dhëna, të llogarisë dhe të kërkojë përgjegjësi për këtë. Çdo trajtim ndryshe, shkarazi dhe subjektiv i këtyre informacioneve, nuk është informim profesional.