Shkuarja në stacionin policor, nuk është arrestim

Titulli i lajmit të recensuar: Arrestohet vëllai i
Titulli i lajmit të recensuar: Arrestohet vëllai i "El Çekës"

Informimi për ngjarje të cilat janë aktuale dhe që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë dhe drejtësisë, duke ia shtuar edhe kremin e sensacionalizmit, nga mediat keqpërdoret për ta tërhequr syrin dhe vëmendjen e publikut. Rasti i fundit ishte me vëllain e publikuesit të materialeve përgjuese “El Çekës” – Blerim Ahmedi, për të cilin u tha se është arrestuar, e ndërkaq ai kishte shkuar në stacion policor për ta paralajmëruar një protestë të 30 qershorit.

Titulli aktual

Linku deri te artikulli origjinal: “Arrestohet vëllai i El Çekës”.

Data e recensionit: 30.06.2019

Recensues: Fatbardha Curri

Titull sensacional me fotografi manipuluese

Që nga titulli dhe fotografia e shfrytëzuar nga mediat u manipulua publiku, pasi që në fokus ishte “El Çeka” për të cilin Prokuroria Publike pati ngritur aktakuzë për rastin e publikimit të përgjimeve dhe erdhi para protestës për të krijuar përshtypjen se policia po realizon aktivitete për ta penguar protestën e paralajmëruar. Në fillim “Alsat-M” e  nxori informacionin se “Arrestohet vëllai i “El Çekës”” (kjo mund të shihet në fotografinë e kryesore ku shihet titulli më parë, më pas atë e ndërroi në: “Policia profilizon vëllaun e “El Çekës””.

“Arrestohet vëllai i “El Chekës””, titulli fillestar i Alsat-M.
“Policia profilizon vëllain e “El Çekës””, titulli aktual i lajmit.

Pre e informacioneve të pasigurta përveç mediave, ranë pre edhe polikanët.

FOL: "Alsat: Arrestohet vëllai i El Çekës"
FOL: “Alsat: Arrestohet vëllai i El Çekës”

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në seancën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ku po debatohej për ministrat e rinj të Qeverisë, tha se Blerim Ahmedi është arrestuar vetëm se ka bërë thirrje për protestë.

“Blerim Ahmeti është në paraburgim, kurse ai ka thirr në protestë dhe ai është faji i tij i vetëm. Ka të drejtë për protestë, me Kushtetutë e garantuar”, tha Sela.

Titull që nuk përkon me tekstin e lajmit

Se lajmi mund të ishte një keqinformim, u pa nga momenti kur ti lexoje tekstin, sepse nuk kishte fotografi nga personi i apostrofuar në pranga, i kapur nga forcat policore, dhe se informacionet për të cilat kishin cituat institucionet e caktuara, nuk kishin të bënin me titullin. Në tekst shkruhet për titullin e dytë, e ndërkaq për të parin jo.

“Arrestohet vëllai i El Chekës, Blerim Ahemeti. Blerim Ahmeti ishte organizator i protestave të para disa ditëve. Policia konfirmon se vëllai El Chekës, Blerim Ahmeti ndiqet për të paktën tri vepra penale. 29 vjeçari Ahmeti akuzohet për sulm ndaj pjestarit të policisë në vitin 2011, ndërsa ai poashtu akuzohet për pjesëmarrje në përleshje të dhunshme në vitin 2009, derisa për veprën e tretë për lëndim të rëndë trupor në vitin 2008. El Cheka është kërçovari që po publikon materiale të përgjimeve të kreut të BDI-së”, thuhet në tekstin e lajmit të “Alsat-M”.

Mos verfikimi i informacionit, është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve.

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thotë neni i parë i Kodit Etik të Gazetarëve.

Lajmi i demantuar doemos të publikohet nga mediat

Disa media kishin kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) për të parë se nëse informata e caktuar është e vërtetë, dhe pasi doli të jetë dezinformatë, “Alsat-M” dhe mediat tjera që e publikuan lajmin me titullin “Arrestohet vëllai i “El Chekës””, vetëm e ndërruan titullin në: “Policia profilizon vëllain e “El Çekës””, e ndërkaq nuk e publikuan demantin e MPB-së. Informatat për arrestim i demantoi edhe vetë personi,Burim Ahmeti – Vëlla i “El Çekës”.

Demanti i Blerim Ahmedit
Demanti i Blerim Ahmedit

“Nuk është arrestuar, ka qenë në Polici për të njoftuar për protestën që do të organizohet të dielën”, tha zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

“Ju njoftoj që jam mirë dhe nuk jam i arrestuar”, tha Blerim Ahmedi.

Kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve: “Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës”.

Për lexuesit: Gjithmonë besojuni lajmeve që thirren në burime

Për t’iu shmangur situatave tjera të tilla dhe që ju të jeni të sigurt në vete se jeni i informuar mirë, merrni si të besueshme lajmet që gjithmonë thirren në burime. Për rastet që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe të drejtësisë, informacionet gjithmonë duhet të verifikohen nga Sektorët e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Brendshme.