Si të mbrohen gazetarët nga shpifja?

 

Në mediat e Maqedonisë, sidomos në edicionet onlajn, shumë shpesh mund të lexohen informata që shpifin persona të caktuar, funksionarë publikë apo persona të tjerë nga sfera publike, pa mbajtur llogari për vërtetësinë e informatave që publikohen. Ka gazetarë që duke u fshehur pas fjalës “spekulime”, i lejojnë vetes të publikojnë gjithçka dhe për këtë arsye nuk përpiqen t’i verifikojnë ato. Por nuk janë të vetëdijshëm se spekulimet e tilla mund t’u sjellin padi për shpifje.

 

Shkruan: Аna Anastasovska

 

Shpifja dhe ofendimi në Republikën e Maqedonisë janë të dekriminalizuara. Me propozim të qeverisë, në fund të vitit 2012, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e miratoi Ligjin për përgjegjësinë qytetare për shpifje dhe ofendim. Ky ligj u miratua në bashkëpunim me Shoqatën e gazetarëve të Maqedonisë. Miratimi i Ligjit nënkuptonte se për shkelja e nderit dhe autoritetit të cilit do qoftë qytetar të Maqedonisë nuk mund të shqiptohet dënim me burg, por pala e dëmtuar mund të ngrejë procedurë gjykatës civile për kompensim të dëmin eventual jomaterial.

 

Ç’ËSHTË SHPIFJA?

Shpifja në legjislacionin e Maqedonisë, konsiderohet si vepër e rëndë me të cilën dëmtohet nderi dhe autoriteti i qytetarit. Neni 8, paragrafi 1 i Ligjit për përgjegjësi qytetare përcakton:

Për shpifje përgjigjet ai i cili për personin tjetër me identitet të përcaktuar ose të qartë, me qëllim që ta demtojë nderin dhe autoritetin e tij, para personit të tretë nxjerr ose bart fakte të paverteta që janë të dëmshme për nderin dhe autoritetin e tij, mirëpo e di ose ka qenë i obliguar ta dijë se ato janë të pavërteta.

Sipas këtij përkufizimi, për shpifje përgjigjet ekskluzivisht për publikimin e fakteve të pavërteta, dhe sipas kësaj rezulton se faktet e vërteta nuk mund të konsiderohen si shpifje, edhe pse mund ta dëmtojnë nderin dhe autoritetin e personit. Elementi i dytë që duhet të përmbushet për ta kualifikuar një vepër si shpifje, është qëllimi për ta dëmtuar nderin dhe autoritetin, që është parim kyç i vendosur nga Gjykata Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Përndryshe, një deklaratë shpifëse nuk do të konsiderohet shpifëse nëse autori i deklaratës tregon se me të nuk ka pasur ndërmend ta dëmtojë nderin dhe autoritetin e palës në fjalë. Dhe parimi i tretë që e përfshin ky përkufizim është se ai që e ka publikuar deklaratën ka qenë i obliguar ta dijë ose ka mundur ta dijë se përmbajtja e deklaratës përmban fakte të pavërteta. Në këtë pjesë të përkufizimit potencohet parimi se autori i deklaratës, si gazetar profesionist, ka qenë i obliguar ta dijë gjendjen faktike në fushën për të cilën shkruan dhe i referohet obligimit të tij profesional për t’i verifikuar faktet në deklaratë para se t’i publikojë ato.

 

MBROJTJA E INFORMATAVE

Ligji për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim garanton mbrojtje të fshehtësisë së informatave. Në nenin 12 është paraparë mundësia që gjykata të mund të kërkojë nga gazetari të zbulojë informata relevante për përcaktimin e vërtetësisë së informatës pa e identifikuar burimin.

Nga gazetari i paditur ose personi tjetër fizik, i cili në mënyrë profesionale e kryen veprimin e informimit të publikut, në procedurë për përgjegjësi qytetare për ofendim ose shpifje sipas këtij ligji nuk mund të kërkohet që ta zbulojë burimin e tij të fshehtë të informatave për faktet që është i obliguar t’i dëshmojë

Në paragrafin 3 të nenit të njëjtë thuhet se “refuzimi i të paditurit që ta zbulojë burimin e fshehtë të informatave nuk mund të merret si pranim i fajit nga ana e tij ose ta bazojë konkluzionin se nuk e ka dëshmuar vërtetësinë e fakteve ose bazimin e besimit në vërtetësinë e tyre“.

 

 

SI TË MBROHEN GAZETARËT NGA SHPIFJA?

Ekzistojnë disa parime dhe rregulla në gazetari që gazetarët duhet t’i respektojnë me qëllim që të jenë profesionale në punën e tyre, dhe sigurisht që të mbrohen nga paditë. Rregullat e tilla janë të përfshira në Kodin e gazetarëve, si dhe në doracakët e tjerë për punën e gazetarëve dhe mjafton që ato të ndiqen.

Detyra themelore e çdo gazetari profesional është që t’i verifikojë faktet me të cilat disponon para se të shkruajë ose të publikojë çfarë do qoftë në medien në të cilën punon. Kjo do të thotë se gazetarët duhet të kujdesen për fjalën e thënë publikisht, sepse në të kundërtën ajo mund të sjellë përgjegjësi. Gazetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur transmetojnë deklarata të huaja, në të cilat flitet për fakte dhe ato nuk duhet të merren si të mirëqena. Në këtë rast, gazetari më së paku që mund të bëjmë është ta njoftojë palën e prekur me akuzat e palës së tretë dhe të kërkojë koment. Mbrojtja më e mirë për gazetarët është të shkruajnë për gjëra që mund t’i vërtetojnë në gjykatë nëse eventualisht paditen.

Tregimi asnjëherë nuk duhet të bazohet vetëm në një burim të vetëm informacioni, pa marrë parasysh se sa të qarta janë faktet që publikohen. Kërkoni përgjigje për të gjitha faktet, nuk mjafton vetëm të shkruani “kërkuam përgjigje dhe nuk e morëm”. Shihni që të keni dëshmi se keni kërkuar koment, gjegjësisht kujdesuni që kërkesa juaj të jetë me shkrim. Dërgo një SMS porosi ose e-mail. Poashtu mund të kërkoni përgjigje përmes mediave sociale. Mos shkruani pa qenë të sigurt se personi nga i cili kërkoni koment për akuzat kundër tij i ka parë thirrjet, e ka parë mesazhin, ose e ka lexuar e-mail-in ose se e ka parë mesazhin në rrjetet sociale.

Mos nxitoni me përfundimet kur i shkruani tregimet tuaja, por përdorni fjalor të kujdesshëm. Mos sugjeroni se dikush ka kryer ndonjë vepër penale ose se e ka shkelur ligjin. Kjo megjithatë është një akuzë e rëndë. Gazetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm me çdo burim të informacionit.

Në mungesë të informatave zyrtare, gazetarët ndonjëherë duhet të përdorin edhe informata jozyrtare. Ato nganjëherë janë mjet shumë i dobishëm për të ardhur deri te informata të rëndësishme, por jo gjithmonë këto burime mund të jenë të vërteta. Në situata të tilla, më mirë është që gazetari t’i pyesë këta njerëz se, nëse është e nevojshme a do të ishin të gatshëm të dëshmojnë në gjykatë dhe atje ta përsërisin atë që i kanë thënë gazetarit. Nëse këto burime informacioni nuk janë të gatshme të dëshmojnë në gjykatë sipas nevojës, atëherë gazetari duhet “ta ngrijë” për një periudhë kohore gjithë evidencën nga kontaktet dhe bisedat me burimin.

Në rast se redaktori këmbëngul që ta botoni ndonjë storje, të shkruani tekste me deklarata shpifëse, atëherë nëse jeni të bindur se storja që duhet ta shkruani është e rreme, refuzoni të shkruani. Përndryshe, rrezikoni jo vetëm t’ju padisin dhe të dënoheni për shpifje, por gjithashtu me vetëdije ta humbni edhe kredibilitetin tuaj profesional si gazetar, të cilit profesioni i kërkon që ta kërkojë të vërtetën.

Mënyra dhe toni i raportimit në shumë rrethana mund t’ju ndihmojnë të mos keni kokëçarje me paditë gjyqësore për shpifje. Kjo do të thotë se raportimi juaj duhet të jetë i balancuar, duke u dhënë trajtim të barabartë dhe të drejtë të gjitha palëve të përfshira në storjen gazetareske. Këtë qëllim do ta arrini nëse përpiqeni të mos mbani ndonjë anë, t’i leni anash storjes ndjenjat dhe mendimet tuaja, pavarësisht se ky qëllim nuk është lehtë për t’u arritur.

Gazetarët asnjëherë nuk duhet të harrojnë të bëjnë dallim në mes dyshimeve dhe fakteve. Nuk duhet thënë se dikush është i korruptuar vetëm për shkak se në publik spekulohet se ai është i korruptuar ose nëse ndaj tij është ngritur vetëm padi për korrupsion. Gazetarët duhet ta respektojnë parimin se supozimit të pafajësisë. Çdokush është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta.

Kur raportoni nga ngjarjet publike, sigurohuni që ta përcillni atmosferën e ngjarjes, me saktësi t’i transmetoni deklaratat e pjesëmarrësve dhe mos mbani ndonjë anë, gjegjësisht, raportimi juaj duhet të jetë neutral.