Tekstet informative duhet të mbushen me fakte jo me komente nga Facebook-u

Screenshot nga lajmi që recensohet
Screenshot nga lajmi që recensohet

Nuk do mend që opinioni publik duhet të zë vend të rëndësishëm në media. Sidomos, në momente kur cënohet interesi i përgjithshme dhe paraja publike keqpërdoret. Paraja publike nuk është për xhepat e interesave personale, por për të mirën kolektive. Por në këtë tekst që po rencensojmë nuk gjejmë fakte.

Link deri te artikulli origjinal: “Ankohen qytetarët mbi “skandalin” me peleta në Ministrinë e Ekonomisë

Data dhe koha e publikimit: 05.01.2019

Data e recensionit: 07.01.2019

Recensues: Xhenis Sulimani

Opinioni publik nuk matet me një qytetar

“Ankohen qytetarët për ‘skandalin’ me peleta në Ministrinë e Ekonomisë”, është titulli i tekstit të radhës që po e recensojmë.  Nga këtu, kërkojmë dëshminë e titullit, respektivisht reagimin e qytetarëve. Por, në tekst mund të gjejmë reagimin e një qytetari të vetëm, dhe jo të qytetarëve, siç potencohet në titull.

Plus, citohet komenti i një qytetari në një publikim të portalit Burevesnik, ku është publikuar rasti i cili përflitet në tekstin që po e recensojmë.

“Thirrja publike ka dal më 26.11, të njejtën ditë unë kam dorëzuar dokumentacionin dhe nuk jam fitues, letra nuk është hapur aspak, dua që të tërheq të njejtën, tregojnë se është procedurë edhe ajo, po bëhet një mizerje e madhe dhe një kriminalitet shumë i rëndë”, kështu komenton një qytetarë i përkatësisë maqedonase i cili edhe pse ka aplikuar në kohë nuk ka qenë përfitues.

Dyshimet duhet t’i hapin rrugë gazetarit për investigim, jo për përfundim

Dyshimet që ngre komentuesi duhen të vërtetohen dhe kjo fare lehtë mund të bëhet nga gazetari nëse nuk do që informacioni i tij të mbetet i “argumentuar” nga një qytetar dhe nëse do që t’i shuaj përgjithmonë spekulimet rreth çështjes në fjalë.

Mënyra e parë është që autori të kërkojë përgjegjësi nga ministria e Ekonomisë për informacionin që paraqitet si skandal. Etika gazetareske jep hapësirën që pala e akuzuar të ketë mundësinë e prononcimit.

Mënyra e dytë është që në tekstin të jenë të përfshirë më shumë palë që kanë konkuruar në ministrinë e Ekonomisë, për t’i dhënë një pasqyrë me reale informacionit se ka pasur keqpërdorime.

Lexues të nderuar, rruga deri te e vërteta është e lehtë. Kërkoni gjithmonë dy e më shumë burime në informacionin që po e lexoni. Pa palën e akuzuar në tekst të pa-argumentuar mos e merrni çekanin e drejtësisë për të gjykuar. Mendimi juaj kritik le të bazohet në informacion që numëron fakte dhe jo reagime në Facebook.