Titull tërheqës po, por jo me çmimin e së vërtetës

 

[Recension: Zaevi: E kam llogaritur saktë, 903.000 qytetarë do të votojnë për ndryshimin e emrit]

 

Lexuesit zakonisht në momentin e parë nuk e lexojnë gjithë tekstin e gazetës. Së pari, ata e shohin bllokun titullar dhe vetë titullin, dhe zakonisht ndalen te lajmet dhe informatat që ua tërheqin vëmendjen më së shumti, e më pas e kërkojnë informatën shtesë për ta përcaktuar arsyen se a duhet ta lexojnë gjithë tekstin.

Titulli e përmban informacionin kryesor ose lajmin kryesor. Ai duhet të jetë informativ, ekspresiv dhe ekonomik dhe, mbi të gjitha, i saktë në lidhje me përmbajtjen që e paralajmëron. Nga titulli lexuesi merr një informacion të shkurtër, të plotë dhe të qartë për atë që e përmban tekstin.

Linku deri te artikulli origjinal: Zaevi: E kam llogaritur saktë, 903.000 qytetarë do të votojnë për ndryshimin e emrit

Data e publikimit: 29.8.2018

Data e recensionit: 30.8.2018

Recenzues: Aleksandar Pisarev

Në titull duhet të potencohet vetëm ajo që është pjesë e përmbajtjes së tekstit dhe ai duhet të jetë i vërtetë. Titulli i këtij teksti “Zaevi: E kam llogaritur saktë, 903.000 qytetarë do të votojnë për ndryshimin e emrit” e tërheq vëmendjen, sepse bëhet fjalë për temën më aktuale në vend – referendumin për Marrëveshjen me Greqinë dhe anëtarësimin tonë në BE dhe NATO. Për fat të keq, përmbajtja e këtij titulli nuk është e vërtetë dhe shkakton huti te lexuesit se “903.000 qytetarë do të votojnë për ndryshimin e emrit”. Në titull kryeministrit i është mveshur diçka që ai nuk e ka thënë aspak.

Më poshtë në tekst, gabimi është “korrigjua” dhe me saktësi janë transmetua fjalët e tij se “pasqyra jonë do të jetë pjesëmarrja në referendum, gjegjësisht dalja e më shumë se 50% e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i votuesve, ndërsa sipas listës së fundit të votuesve, ato janë 903.000 vota, që së paku duhet të dalin në referendum, që marrim vendim në përputhje me Kushtetutën, siç është paraparë”.

Megjithatë, dëmi tashmë është bërë dhe lexuesit që e kanë lexuar vetum bllokun titullar do të mbeten me bindjen se kryeministri Zaev ka thënë: “E kam llogaritur saktë, 903.000 qytetarë do të votojnë për ndryshimin e emrit”. Kjo nuk është e njëjtë me atë që ai me të vërtetë e ka thënë, për shkak se nga 903.000 qytetarë të supozuar, që do të dalin në votime, disa prej tyre, sipas bindjes së tyre, ndoshta mund të votojnë kundër marrëveshjes, që është e drejtë e tyre demokratike.

Titulli është reklamë për tekstin, një vitrinë tërheqëse, të cilën lexuesi duhet ta shohë, që duhet ta ftojë lexuesin ta lexojë tekstin. Të gjitha kodet gazetareske paralajmërojnë se gjithnjë e më shpesh tabloidet, e shumë shpesh edhe mediat e tjera, në kërkim të ekskluzivitetit, nuk e respektojnë rregullin se titulli duhet ta plasojë të vërtetën dhe nuk duhet t’i manipulojë lexuesit dhe t’i mashtrojë ata.