Është keqinformim se mungojnë të dhënat sa kanë punuar “kryetarët e BDI-së bashkë”

Илустрација од текстот објавен во „Лајмпрес“

Parimi i parë i gazetarisë profesionale është paanshmëria dhe përfshirja e të gjitha palëve të përmendura në artikullin gazetaresk. Në rast se, palët paraqiten në formë krahasuese, siç është rasti me lajmin që e recensojmë, atëherë nuk flasim për informim të saktë, por keqinformim. 

Lajmpress: Taravari për një javë ka punuar sa gjithë kryetarët e komunave të BDI-së bashkë?!

Linku deri te artikulli origjinal: “Taravari për një javë ka punuar sa gjithë kryetarët e komunave të BDI-së bashkë?!”

Data e publikimit: 16.09.2019

Data e recensionit: 24.09.2019

Recensues: Fatbardha Curri

Titull që “vlerëson” duke ngjallur dyshime

“Taravari për një javë ka punuar sa gjithë kryetarët e komunave të BDI-së bashkë?!”, thuhet në titullin që e recensojmë.

Megjithëse titulli përcjell vlerësim, krijon përshtypjen se artikulli ka të dhëna me të cilat do ta dëshmojë se “Taravari për një javë ka punuar sa të gjithë kryetarët e komunave të BDI-së bashkë”, por përfundimi i fjalisë shfaqet me shenjat e pikësimit pikëpyetje (?) dhe pikë-çuditëse(!), gjë e cila krijon dilemë te lexuesit.

Artikull pa parime bazë të gazetarisë, pa të dhëna të verifikuara, pa burim të informatave dhe i njëanshëm

Dilema e krijuar nga vendosja e shenjave të pikësimit në titull, megjithëse mendohen se do të qartësohet në brenda në artikull, një gjë e tillë thellohet edhe më shumë. Si fillim, mënyra se si është nisur artikulli, është jashtë raportimit profesional.
Artikulli gazetaresk medoemos duhet të japë përgjigje në pyetjet: kush, ku, çfarë, si dhe pse. Asnjëra nga pyetjet e parashtruara, nuk ka përgjigje në artikull edhe pse në titull përmenden dy palë “Taravari” dhe “kryetarët e komunave të BDI-së”.

Nga ana tjetër, të dhënat që janë transmetuar janë të paverifikuara pasi që nuk dihet se kush është burimi i tyre që të mund të matet vërtetësia e tyre. Shkrimi është i njëanshëm, sepse edhe pse përmenden në titullin “kryetarët e komunave të BDI-së”, nuk dihen se kush janë ata dhe se sa projekte kanë realizuar të gjithë bashkë. Se të dhënat e artikullit janë për “Taravarin” –Arben Taravarin,  kryetarin aktual të Komunës së Gostivarit, kuptohet nga fjalia e fundit, “Gostivari i pari”. Do të thotë në artikull kemi të dhëna vetëm për “Taravarin”, dhe jo për “kryetarët e komunave të BDI-së”.

“CFARE BEME PER KOMUNEN TONE – RAPORT JAVOR (09 – 15.09.2019)
Vazhdojmë me punimet për rregullimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Çajlë, në gjatësi prej 3022 metra;
Vazhdojmë me instalimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Banjic e epërme, në gjatësi prej 3199 metra;
Vazhdojmë me punët për rikonstruktim të plotë të rrugës “29 Nëntor”, me gjatësi prej 141 metra dhe gjërësi 5,5 metra;
Vazhdojmë punimet për ndërtimin e rrugës lokale krahu i rrugës JNA (Lagja e re) me gjatësi prej 183 metra dhe gjerësi mesatare prej 8 metra;
Vazhdojmë me sanimin e gropave gotitëse dhe nivelizimin e pusetave në komunën e Gostivarit;
Vazhdojmë me punimet për një çerdhe për fëmijë në fshatin Banjicë e poshtme;
Janë në vazhdim punimet për sanim dhe rekonstruim të rrugës 4, blloku 19, zona VI;
Vazhdojmë me regullimin e ndriçimit publik në gjithë regjionin e komunës tonë;
Vazhdojmë me rregullimin e parqeve dhe sipërfaqeve të gjelbërta në komunën tonë;
Rregullimi i shtratit të lumit Vardar;
Aksion ekologjik në fshatin Raven;
Rikonstruim i një pjese të rrjetit të kanalizimit në rrugën “29 Nëntori”, në gjatësi prej 160 metra;
Aksion ekologjik në shkollën fillore “Goce Delçev”;
Aksion ekologjik per pastrimin të lumit në fsh.Raven me iniciativ të Bashkësisë lokale dhe e ndihmuar edhe nga ana e komunës së Gostivarit;
Instalim i rrjetit të ujësjellësit në rrugën “29 Nëntori”, me gajtësi prej 150 metra.
Gostivari i Pari 👍🏻”, shkrimi i plotë i lajmit të recensuar.

Koncepti i manipulimit: Fakte selektive

Meqë në tekst janë paraqitur të dhëna vetëm të Komunës së Gostivarit, ndërkaq jo edhe për “kryetarët e komunave të BDI-së” vlerësojmë se, në artikull është shfrytëzuar koncepti i manipulimit “Fakte selektive”. Kjo bëhet me qëllim që të transmetohen vetëm të dhënat që i përshtaten artikullit, duke mos i përfshirë ato që mund ta kishin faktuar ose edhe hedhur poshtë vlerësimin se, “Taravari ka punuar sa të gjithë kryetarët e komunave të BDI-së bashkë”. Ky vlerësim bëhet më i bindshëm kur mendohet edhe se Komuna e Gostivarit udhëhiqet nga partia Aleanca për Shqiptarët (ASH) oponente me partinë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Krahas kësaj, është bërë edhe shkelje e Kodit Etik të Gazetarëve (KEG).

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thotë parimi i parë i KEG-së.

Mesazh për lexuesin

Mundohuni të shmangni artikujt gazetaresk të cilët ju ngjallin dyshime në tituj, ose përdorin shenja të pikësimit: pikëpyetje(?) dhe pikë-çuditëse(!). Në rast se, hasni në të tillë, ata doemos duhet të sqarohen brenda artikullit. Në variantin e lajmit të recensuar, duhet të përmbajë të dhënat për të gjitha palët e përfshira në tekst. Në të kundërtën, ju keni mbetur i keqinformuar.