Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht
Shkruan: Lume DERVISHI
Formulimi i një pyetësori në formë të sondazhit ose anketës dhe shpërndarja virtuale e tij është mënyra më e lehtë me të cilën mund të pretendosh se po mat pulsin e opinionit. “A janë rezultatet e fituara relative”, kjo është një pikëpyetje e madhe.
“Nuk duhet kompromis për t’u dhënë njerëzve të drejtat e tyre. Nuk duhet para për të respektuar personin. Nuk duhet anketë për të larguar përshtypjen.”
Harley Milk
Ka disa parime, rregulla dhe metoda, mbi të cilat ndërtohet, realizohet dhe përmbyllet një sondazh ose anketë. Për institute serioze, të cilat synojnë matje objektive të opinionit publik, këto rregulla dhe parime janë më të shumta në numër, më rigoroze dhe të aplikuara me pikë për pikë. Karakteristikat sociale të popullsisë që i drejtohesh, janë po ashtu pjesë e përgatitjes së terrenit për të kryer studimin.
Target grupi ose grupi që është në interes të studimit ose matjes, edhe në këtë rast është pikënisja e punës, ashtu si në rastet tjera të studimit të opinionit publik. Duke qenë në periudhë parazgjedhore, sondazhet / anketat që na interesojnë janë ato të matjes së pulsit të opinionit për çështje politike, rezultatet e pritura të zgjedhjeve ose të ngjashme. Shumë prej tyre realizohen nga vetë partitë; e para, për të matur opinionin publik në raport me subjektin e tyre politik, për të gjetur pikat e dobëta dhe ato të fuqishmet, në bazë të të cilave do të ndërtojnë strategjinë e tyre elektorale dhe; e dyta, për ta shfrytëzuar rezultatin e kënaqëshëm për ta, si pjesë të fushatës së tyre duke e bërë publike në media. Rezultatat e të parës, zakonisht nuk publikohen.
Para se një medie t’u referohet rezultateve të një sondazhi / ankete për ta prezantuar atë në opinion, duhet të ketë parasysh disa aspekte, të cilat janë edhe obligime ligjore gjatë të botuarit të rezulatateve të një ankete:
- Cili është instituti/organizata që ka kryer anketën? – Nevojiten të dhënat mbi të: Kush është pronar, drejtues apo themelues, si funksionon, vallë është transparent ndaj opinionit, vallë ka adresë, kontakt telefoni, ueb faqe të përditësuar? Sa më shumë informata, sa më i qasshëm për opinionin është zbatuesi i anketës, aq më shumë rritet besueshmëria ndaj tij.
- Cila është metodologjia e realizimit të anketës? – Ka disa forma të praktikuara nga matësit e audiencës, të komplikuara për opinionin, por të paktën duhet të bëhet e ditur mënyra e komunikimit mes anketuesit dhe të anketuarit. Zakonisht si më relevante konsiderohen anketat e realizuara derë më derë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, e jo gjithaq ato të realizuara me telefon, siç ndodh jo rrallë herë.
- Sa është madhësia e kampionimit, gjegjësisht numri i nevojshëm i të anketuarve? – Varësisht sa i madh është target grupi, aq më shumë të anketuar nevojiten për rezultate sa më objektive. Sa më i madh numri i të anketuarve, aq më afër të vërtetës do të jenë rezultatet e anketës.
- Vallë janë përfshirë të gjitha grupet e popullatës për një sondazh relevant ? – Për anketat të cilat, për shembull, tregojnë për disponimin e elektoratit,ato patjetër duhet të përfshijnë të gjitha grupet e votuesve me karakteristika të ndryshme, edhe për nga mosha, gjinia, vendbanimi (urban apo rural), statusi social, arsimimi, përkatësia etnike etj. Sa më të përfaqësuara janë të gjitha grupet, aq më relevantë do të jenë rezultatet.
- Në çfarë periudhe është realizuar sondazhi – Sa më i freskët sondazhi, aq më relevant është ai, sidomos kur flasim për disponimin e opinionit lidhur me përkrahjen që gëzojnë opsionet politike te të anketuarit. Ose, anketat që realizohen që të tregojnë disponimin e opinionit lidhur me çështje apo ndodhi shoqërore, duhet të përputhen me kohën kur ato kanë qenë aktuale dhe kanë pasur ndikimin e tyre të dukshëm në jetën e qytetarëve dhe në diskursin publik. Sidoqoftë, anketa relevante patjetër duhet ta shpalosë kohën se kur ose në çfarë periudhë është realizuar.
- Sa është kufiri i lejuar i gabimit (margin of error) që respektohet nga realizuesi? – Ajo që mediat shpesh harrojnë është të theksojnë margjinën e gabimit të rezultateve të një sondazhi / ankete. Njohësit e fushës përgjithësisht janë të mendimit që për një kampion 1100 deri 1200 veta (të anketuar), kufiri i lejuar i gabimit mund të variojë nga +-2.3 deri +-2.5%. Këtë duhet patjëtër ta dijë gazetari.
Ja ca sugjerime ose vlerësime nga njohësit e fushës:
“Nëse duhen rezultatet për çdo qark, atëherë me një nivel sigurie 95% dhe me një gabim +/-10% për çdo qark, duhen rreth 100 individë. Në shkallë vendi kjo krijon një kampion prej 1.200 individësh, i cili me një nivel sigurie 95% jep një gabim prej rreth 2.8%, që konsiderohet normal në shkallë vendi.”
Kemi raste sondazhesh / anketash edhe me 2400 individë deri me 4800 individë, anketa të cilat nuk t’i zë shpesh syri të citohen në media (sepse bëhen rrallë ose aspak). Margjina i gabimit te ata ulet deri më 2 %.
Kru flasim për sondazhet të cilat realizohen në Maqedoni, disa nga institutet të cilat zakonisht citohen në media si realizues anketash dhe sondazhesh janë:
Media si anketues:
Vetë mediat, herë pas here, marrin rolin e anketuesit për të nxjerrë rezultate, ku më vonë do të mbështesin kontributin gazetaresk. Por ato rezultate lënë shumë për të dëshifruar dhe mund të konsiderohen më shumë si një tregues relativ perceptimesh te publiku, e assesi nuk mund të pretendohet se është bërë matje relevante e opinionit publik. Më poshtë janë disa prej tyre.
Me vetëm disa veprime dhe klikime, Fejsbuku dhe faqe të tjera interneti të japin mundësinë e krijimit dhe shpërndarjes masive të pyetësorve të anketave dhe sondazheve, por vetë kjo formë ndikon rezultatet për disa arsye. Shfrytëzuesit e rrjeteve sociale nuk janë përfaqësues të të gjithë kategorive të shoqërisë, me karakteristika të ndryshme demografike dhe me të drejtë të barabartë për votë. Një nga barrierat është mosha (përdoruesit e internetit janë kryesisht të rinjtë), pastaj mund të jetë edhe vendbanimi (dallimi mes atij urban dhe rural, ku ka gjasa që të mos ketë qasje në internet). Dallimet janë poashtu dallime në rezultatet e matjeve.
Secila medie, varësisht politikës redaktuese që ka, bën interpretim të ndryshëm të rezultave të matjeve. Për shembull, nëse nisemi nga rezultatet e sondazhit të Institutit “Pavel Shatev” të publikuara së fundmi, konstatojmë se mediat jo gjithmonë i kanë parasysë kriteret e lartpërmendura për të vlerësuar nëse një sondazh ja vlen të publikohet. Disa nga titujt që shoqërojnë publikimin e rezultateve të sondazhit ose anketës, flasin shumë edhe për politikën redaktuese ose orientimin politik të autorit dhe të vetë medias.
Pavel Shatev:
Tetova 1: Pavel Shatev: anketa, ja rejtingu i partive politike!
Tetova sot: Anketa e Pavel Shatev: Gruevski, lideri më i besueshëm tek maqedonasit
Telegrafi: LSDM: Anketa e ”Pavel Shatev” është një mashtrim
IRI
Tv Shenja: Anketa e IRI-it: BESA rikonfirmohet lider i opozitës, BDI larg vetëm 2%
Tetova sot: Taravari : Anketa e IRI është tendecioze,IRI duhet të dalë të sqarojë opinionin !
Dimitrija Çupovski
Zhurnal: Anketa e institutit Dimitrija Cupovski: BDI me 6.3% ndërsa tek maqedonasit VMRO me 27.6%
Një krahasim shumë i qartë i publikuar nga Meta.mk tregon rezultate diametralisht të ndryshme të sondazheve të bëra nga disa institucione, madje edhe dallimin mes raportimit të të njëjtës medie por në artikuj të ndryshëm.
– Anketa më e re e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) me seli në Uashington tregon se 63 për qind e të anketuarve e mbështesin punën e Prokurorisë Speciale Publike që i heton rastet që rezultuan nga skandali me përgjimin.
– Para thuajse një muaji, më 12 maj, instituti „Pavell Shatev“ publikoi një anketë rezultatet e së cilës tregojnë se 60 për qind e të anketuarve nuk kanë besim në Katica Janevën dhe në PSP-në, ndërkaq 25,2 për qind kanë besim në këtë institucion.
– Instituti i njëjtë, më 18 mars publikoi një anketë, sipas të cilës, në Katica Janevën dhe në Prokurorinë Speciale Publike nuk kanë besim 64,3 për qind e të anketuarve, 23,4 për qind kanë besim, derisa 12,3 për qind kanë qenë pa përgjigje.
– Agjencia për hulumtimin e mendimit publik, „Brima Gallup“, për nevojat e portalit “Republika”, më 12 shkurt publikoi anketë rezultatet e të cilave tregojnë se madje 50 për qind e qytetarëve nuk kanë besim në Katica Janeva, për dallim prej 32,4 për që mendojnë të kundërtën.
Për fund, duhet të ritheksojmë se rezultatet e anketës janë një burim shtesë për gazetarin, e jo një e vërtetë e pakontestueshme. Ai duhet t’i trajtojë ato rezultate ashtu si trajton çdo fakt ose të dhënë tjetër. Ashtu siç gazetari vlerëson paraprakisht nëse një burim është i besueshëm ose jo, ashtu duhet të vlerësohet edhe instituti ose organizata që realizon anketën.
Ky leksion gazetaresk është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).