Në momentin që në horizont për brenda një afati të caktuar paraqiten zgjedhjet, menjëherë “hapet punë” për mediat e internetit. Përvishen duart, kërkohen imtësira dhe “shpiken” tekste që nuk kanë aspak karakter informativ. Në rastin konkret ku kemi një situatë me pandeminë dhe një punë të bllokuar në Kuvendin e RMV-së, ku numrat e ulëseve kanë rëndësi sa i përket fatit të shumë ligjeve që nuk janë miratuar ende, si dhe në kohën kur po bëhet përgatitja e terrenit për zgjedhjet lokale, sigurisht se shumica parlamentare dhe “lëkundjet” e ndryshme janë ato që më së shumti tërheqin vëmendjen. Autorët e angazhuar nëpër mediat e internetit i shfrytëzojnë këto gjëra, dhe duke u thirrur nëpër “burime fantazmë” shkruajnë tekste me të cilat i hutojnë lexuesit.
Linku deri te artikulli: Edhe Lëvizja BESA mund të braktisë anijen e Zaevit?!
Data e publikimit: 25.02.2021
Data e recensionit: 14.03.2021
Recensuese: Ajnur Bafqari
Kur autori ndodhet mes profesionit të “gazetarit”, “mjekut” dhe “komentuesit”
Që në momentin që i hedhim një sy titullit, e shohim se kemi të bëjmë me një tekst i cili me shumë gjasa vetëm do na shtojë pikëpyetjet, titulli përmban dozë komenti dhe përfundon me pikëpyetje. Teksti fillon me përshkrim të situatës aktuale, po ashtu me dozë komenti, ndërsa vazhdon me komente të tipit “kokë dhimbje për kryeministrin Zaev”,pastaj kulmi i “shpërthimit” dhe të ngjashme. Autori thirret në burime anonime, dhe hap dyshime se një parti mund të lëshojë Qeverinë, për shkak të projekteve të ndara nga ministria, pjesë e së cilës qeveri është edhe vetë ajo parti.
Nuk ka asnjë deklaratë lidhur me pretendimet, as ndonjë konfirmim, por bazohet vetëm në një ngjarje që gjithsesi krijoi shumë reagime në opinion, madje ka pasur reagime dhe nga vetë zëvendësministri, të cilin autori i tekstit e ka futur në tekst, vetëm sa për të kompletuar tekstin. Por asnjëra nga këto nuk çojnë në atë të cilën autori i tekstit dëshiron ta shfaq në opinion.
„Pas publikimit të projekteve në kulturë, “kokë dhimbjet” për kryeministrin Zaev siç duket po shtohen. Siç mëson INA, Lëvizja BESA mund ta lëshojë qeverinë për shkak që projektet e ndara nga Ministria e Kulturës ishin tejet diskriminues për shqiptarët. Katër deputetët e kësaj partie janë vendimtarë për koalicionin qeverisës, por ditët në vijim do të jenë vendimtare. Veprimi i fundit и ministrisë së kulturës ka qenë kulmi i “shpërthimit” të pakënaqësisë të kësaj partie„ -thuhet në tekst.
Se nuk ka të vërteta në ato që pretendon autori, e dëshmon votëbesimi i Qeverisë
Përdorimi i termeve “kokëdhimbje” dhe “shpërthim” të cilat autori megjithatë i ka vendosur në thonjëza, e bëjnë të qartë tendencën që ka ky tekst. Pastaj autori flet për rëndësinë “vendimtare” të katër deputetëve në përbërjen e shumicës parlamentare të 62 deputetëve. Hap dilema, por nuk jep përgjigje, i ofron disa ditë afat të cilat i quan vendimtare, ndërsa pak ditë pas publikimit të këtij teksti, votohet mocioni i besimit të Qeverisë, që hedh poshtë gjithçka që autori ka shkruar. “Deputetët vendimtarë” nuk dolën nga Qeveria, por i ofruan edhe njëherë mbështetje kësaj shumice.
Koncepti i manipulimit “Pas kësaj do të thotë për këtë” dhe “ Analogjia false”
Ngjarjen me shpërndarjen e subvencione nga ana e ministrisë së Kulturës në RMV, autori e ka shfrytëzuar si një ngjarje që i paraprin daljes nga qeveria, duke e paraqitur atë si një formë me të cilën manipulon me lexuesin e vet. Autori po ashtu bën lidhshmëri mes punës së bllokuar të Kuvendit dhe ngjarjes me ministrinë, i lidh ato dhe i përdor për supozim, të cilin e paraqet si të konfirmuar nga burime anonime.
Nga një tekst si ky, dikush po mbledh “klikime” e dikush tjetër “poena politik”
Nëse ballafaqoheni me tekste të tilla, ku po shfrytëzohen disa gjëra aktuale, po lidhen në mënyrë të pakuptimtë, ndërsa bazohen në burime anonime, atëherë mendoni mirë nëse do të ja kushtoni kohën tuaj ta lexoni, e për t’u besuar nuk keni se si. Autori duhej të jepte më shumë burime, deklarata, e fakte të cilat do ta kishin vërtetuar atë që po e shkruan. Nëse një tekst nuk i posedon këto, nuk ju jep informacion por vetëm ju hap dilema, dikush po mbledh “klike” e dikush tjetër “poena politik”.