“Nga spekulimet e fundit”, “flitet që”, “raportohet se”, “besohet se”, janë disa terme që e bëjnë shkrimin gazetaresk më pak të besueshëm. Përdorimi i disa prej tyre në një artikull gazetaresk lejohet shumë rrallë, edhe atë vetëm nëse gazetari nga informacioni i marrë nga disa burime dhe që është i sigurt për një gjë, dhe pret të dokumentohet rasti i cili, shembull mund të jetë në proces të mbyllur. Në raste të tjera, siç është ky, nëse këto shprehje janë të vendosura në një tekst, nuk kemi të bëjmë më me një artikull gazetaresk, por vetëm me një shkrim me përmbajtje hipotetike.
Linku deri te artikulli: BESA dhe PDSH afër koalicionit?
Data e publikimit:07.12.2019
Data e recensionit:16.12.2019
Recensuese: Ajnur Bafqari
Nuk mund të jetë artikull gazetaresk, një tekst të cilit i mungojnë të gjitha elementet
Autori nuk e ka marrë mundimin të bëjë as edhe një telefonatë për të konfirmuar atë që po shkruan dhe i gjithë teksti është vetëm një varg shkronjash që nuk thonë tekstualisht asgjë. Teksti nuk përmban as një element të një artikulli gazetaresk, nuk ka fakte, nuk ka burime të informatave. Nuk e ka njërin nga kualitetet kryesore të të shprehurit- përmbajtësinë.
“Nga spekulimet e fundit, flitet që partia e Bilall Kasamit, Lëvizja BESA do të koalicionojë me Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit. Kjo pasi që edhe në publik, kryetari i Lëvizjes BESA pat deklaruar që është i gatshëm që në koalicione të përfshijë dhe Menduh Thaçin. Ndërsa gjithashtu raportohet që kreu i Lëvizjes BESA Bilall Kasami ka pasur dhe takime të fshehta me kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçin. Nga këto takime besohet që është nxjerr edhe konkluza për bashkpunim në mes të dyja subjekteve. Por, sa janë këto spekulime të vërteta, do të pritet të mësohet në javët në vazhdim, nga takimet e mundshme të liderëve politik në vend.”- thuhet në tekst.
Manipulim me fotografinë
Më tej, autori ka zgjedhur një fotografi të cilën i’a ka bashkangjitur tekstit dhe titullit që vetëm parashtron pyetje dhe hap dilema, ndërkohë që e njejta fotografi është marrë nga arkivat, vetëm për të manipuluar me lexuesin.
Kur autori beson se “ndoshta” edhe mund të ketë të drejtë!
Autori fillimisht nxjerr konkluzione nga ato që “fliten” e “spekulohen”, pastaj bën disa kalkulime dhe në fund të gjithë këtë teori e hedh poshtë vetë, duke theksuar se nuk dihet sa janë të vërteta ato që shkruan dhe se pritet që të njejtat të mësohen nga takimet e ardhshme, të mundshme. Edhe në këtë pjesë të tekstit, autori nuk ka madje as një ide e as paralajmërim nëse do të ndodhin takimet vërtetë ose jo.
Koncepti i manipulimit “Pas kësaj, do të thotë për këtë”
Kur autori ka prirje për të besuar se nëse një ngjarje i paraprinë një të dyte, ajo është shkaku i shfaqjes së saj. Në këtë rast autori, mes tjerash është bazuar në një deklaratë të kreut të Lëvizjes BESA, i cili më parë ka thënë se është i gatshëm për koalicion, “përfshirë edhe me Menduh Thaçin”.
Nëse teksti nuk ua ofron atë për të cilën është dedikuar, s’keni pse të humbisni kohë
Nëse një tekst është i mbushur me terme të tipit “nga spekulimet e fundit”, “flitet se”, “besohet se”, lexuesi duhet ta ketë të qartë se nuk lexon informacion, por vetëm hipotezat e autorit të tekstit. Një tekst i tillë nuk po ju informon, ai vetëm po vjedh kohën tuaj dhe një klikim.