As mulla Sula forcohet e as dobësohet Muki, mediat nuk kanë fuqi-matës!

Gjatë ditëve të fundit kishte një “luftë mediatike” nga përkrahësit e kryetarit të Bfi-së Sulejman Rexhepi, përkrahësit e pushtetit dhe të palës që deshi tia marrë pushtetin Suljeman Rexhepit në Bashkësinë Fetare Islame. Shembull i tillë i luftës mediatike është edhe ky tekst që po e recensojmë i cili është kokë e këmbë koment dhe qëndrim subjektiv i autorit që e ka shkruar, pasi nuk e mbështet në asnjë fakt.

Fotografi nga lajmi qe recensohet

Linku deri te artikulli: Forcohet Mulla Sula dobësohet Muki

Data e publikimit: 24.04.2019

Data e recensionit: 30.04.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Mos u habisni kur i zmadhojnë gjërat në tituj, e kanë për tju mashtruar

Në këtë tekst, autori ka keqpërdorur emrat e dy personave të njohur, kryetarit të Bfi-së dhe nënkryetarit të LSDM-së, si karrem për të tërhequr lexuesit. Por më tej, në tekst, duket se gjithçka që ka shkruar ka qenë një ajër, pasi teksti i ngjason një kolumne e jo një teksti informativ i cili qëndron në rubrikën e informimit.

Autori ka keqpërdorur reagimet e zyrtarëve politik që i kanë dalë në mbrojtje autonomisë së BFI-së, duke e interpretuar këtë gjë si përkrahje për Sulejman Rexhepin si individ, dhe si “shuplakë” për deputetin Muhamed Zeqiri.

“Pas shkarkimit të Reis Sulejman Rexhepit nga kreu i  BFI-së me vendim të gjykatës Themelore Shkupi 2 dhe emërimit të Skender Buzakut si reis i ri kanë reaguar të gjithë partitë politike shqiptare dhe VMRO duke e mbrojtur këtë institucion fetarë për autonominë e saj. Me mbështetjen e partive politike shqiptare, Mulla Sula vazhdon të mbetet njeriu më i fortë në BFI përballë Muhamed Zekirit dhe LSDM-së , i cili disa muaj më parë kërkoi nga Prokuroria të ndërhyjë në BFI dhe të merr masa për keqpërdorimet në këtë institucion”, shkruan në tekstin që po e recensojmë.

Kur gazetari tenton tu bindë se kush ka e kush ska të drejtë në një kontest, dihet se ka manipulim

Në këtë tekst autori ka tentuar që të ndikojë në bindjen e qytetarëve se kë duhet ta përkrahin, idenë ose kërkesën e deputetit Muhamed Zeqiri për hetim financiar të punës së BFI-së ose idenë e Sulejman Rexhepit për të larguar hetimet nga institucioni i tij dhe për ta përjashtuar kryetarin e vetëshpallur. Në vend se autori ti prezantojë të gjithë faktet me të cilat pastaj autori do të mund të gjykonte se cilën anë ta mbajë, ai tenton me shumë përpikëri ta bëjë të besojë se Muhamed Zeqiri është në anën e gabuar të rastit, ndërsa Sulejman Rexhepi është viktima e gjithë procesit.

Manipulimi i autorit këtu është se ka keqpërdorur autoritetin e “Molla Sulës” edhe të zyrtarëve që i kanë dalë në përkrahje, për ti bërë lexuesit që të besojnë se ky lajm është ashtu siç e ka shkruar, dhe se kreu i BFI-së është në të drejtë, vetëm sepse i kanë dhënë përkrahje zyrtarët. Por, autori ka përdorur edhe manipulimin me supozimin se jeta gjithmonë është e padrejtë ndaj njerëzve të drejtë, pasi që në fund të tekstit ka shkruar se nëse gjykatësja ka marrë vendim bazuar në një dokument të falsifikuar, atëherë drejtësia në këtë shtet është zhdukur.

Autori i këtij teksti nuk është analist politik për të dhënë kësi lloj sygjerimesh. Ai është aty për të ndërmjetësuar në përcjelljen e informacioneve nga një kanal në kanalin tjetër, e jo rrugës, në formë të telefonit të prishur, të lëshojë ndonjë koment politik i cili nuk i ka hije një teksti informativ. Detyra e gazetarit është që të ketë në lajm të dy palët dhe ti prezantojë qëndrimet e të dy palëve, e jo të bëjë tifo për ndonjërën, e të shajë palën tjetër.