Askush nuk e largoi gjuhën maqedonase nga Sveti Nikoleja

[Recension: Vendim katastrofal i MASH-it: Fëmijët nuk do të mësojnë maqedonisht, por “gjuhë amtare” – ndalohet fjala “maqedonase” dhe në shkolla]

Teksti me titull: Vendim katastrofal i MASH-it: Fëmijët nuk do të mësojnë maqedonisht, por “gjuhë amtare” – ndalohet fjala “maqedonase” dhe në shkolla, është shembull shkollor për lajm të rremë. Ai bazohet në një të pavërtetë të plotë dhe këtë fakt nuk mund ta ndryshojë as argumentimi, në dukje “i fortë”, që autori e ofron në tekst – faksimile të konkurseve të publikuara për punësim të një arsimtari të gjuhës dhe letërsisë amtare në shkollën e mesme “Koço Racin” në Sveti Nikole dhe të dëftesave shkollore.

Linku deri te artikulli origjinal: Vendim katastrofal i MASH-it: Fëmijët nuk do të mësojnë maqedonisht, por “gjuhë amtare” – ndalohet fjala “maqedonase” dhe në shkolla

Data dhe koha e publikimit: 22.10.2019

Data e recensionit: 29.10.2019

Recenzues: Jugosllava Dukovska 

 

Jo vetëm që nuk ka asnjë vendim të Ministrisë së Arsimit me të cilin në shkolla nuk do të mësohet gjuha maqedonisht, por gjuha amtare, por është i rremë informacioni se fjala “maqedonase” është ndaluar nëpër shkolla. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi disa portale ta përcjellin këtë “informacion” sikur të ishte i saktë.

Artikulli në infomax.mk meret me një rast të pretenduar të një konkursi për punësim në Shkollën e Mesme “Koço Racin” në muajin tetor, ku janë shpallur disa vende pune në këtë shkollë, duke përfshirë edhe vendet për arsimtar të gjuhës dhe letërsisë angleze, italiane dhe amtare. Ky konkurs është përdorur në tekst si argument kryesor, për dallim nga emërtimi i gjuhëve – anglisht dhe italisht me emrat e tyre të vërtetë, maqedonishtja në këtë konkurs është zëvendësuar me fjalën “amtare” edhe atë për shkak të një vendimi të supozuar të Ministrisë së Arsimit. Një vendim i tillë, natyrisht, nuk ekziston.

Ky “rast” është krijuar për t’u dukur i vërtetë, e fakti që është shoqëruar me fotografi të kryeministrit Zoran Zaev, të ulur në një bankë shkollore, duhet t’i sugjerojë lexuesit se kush është fajtori kryesor për këtë veprim famëkeq – gjoja largimit të termit gjuhë maqedonase nga përdorimi në shkollat shtetërore në periudhën kur ai është kryeministër.

Megjithatë, mashtrimi që fshihet pas këtij artikulli është relativisht i thjeshtë për tu zbuluar. Në vitin 2011, Enti Shtetërori i Statistikave ka publikuar një botim me titullin Klasifikimi kombëtar i profesioneve. Në të, në faqen 389, nën kodin 2341.04 thuhet: Arsimtar i gjuhës amtare. Emërtim i këtillë është, në të vërtetë, i kuptueshëm kur merret parasysh se Ligji ekzistues i Arsimit të Mesëm në nenin 4 thotë:

Veprimtaria edukativo-arsimore në shkollën e mesme zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Për pjesëtarët e bashkësive që e ndjekin mësimin në një gjuhë tjetër nga maqedonishtja dhe alfabeti i tij cirilik, veprimtaria edukativo-arsimore në shkollat e mesme publike zhvillohet në gjuhën dhe alfabetin e bashkësisë përkatëse në mënyrë dhe në kushte të përcaktuara në këtë ligj.

Prandaj, profesioni i arsimtarit të gjuhës dhe letërsisë amtare është quajtur kështu sepse ky kuadër mësimin e zhvillon në gjuhën maqedonase, shqipe ose turke, kështu që ky është një term i përgjithshëm që i përfshin të gjitha variantet. Për këtë arsye, për dallim nga titulli -arsimtar i gjuhës angleze, gjermane, italiane si gjuhë të huaja, titulli – arsimtar i gjuhës amtare është çdo arsimtar që ua ligjëron këtë lëndë nxënësve në gjuhët e tyre amtare.

Sigurisht, këto fakte nuk u servohen lexuesve, të cilët edhe mund të mos i kenë të njohura këto të dhëna, kështu që dëshira për t’i manipuluar ata është më se e dukshme.

Qytetarët pyesin hapur se kush ka turp dhe e ndalon përdorimin e gjuhës maqedonase në shtetin, komunën dhe shkollën e tyre? Në këtë shkollë kanë mësuar shumë gjenerata, por një skandal i këtillë nuk ka ndodhur ndonjëherë. Më së paku kemi pritur që mohimi i gjuhës maqedonase nën presionin e qeverisë të zbatohet në shkolla dhe në mesin e të rinjve. Çfarë i mësojnë tani fëmijët tanë, pyesin hapur prindërit dhe qytetarët e shqetësuar?

Ky paragraf sigurisht se nuk e ka vendin në këtë tekst që synon të jetë informacion, sepse në të komentohet, shpreh një qëndrim personal, thënë më saktë një lloj qëndrimi kolektiv  “më së paku kemi pritur”, kështu që lind pyetja kush janë ata që thuhet – ne? Prindërit dhe qytetarët e shqetësuar? Shtrohet pyetja ku e kanë shprehur ata shqetësimin e tyre, pasi ky artikull askund nuk ofron dëshmi në formën e ndonjë deklarate apo dëshmie se dikush është i shqetësuar për shkak të fshirjes së pretenduar të termit “maqedonas” nga titulli “arsimtar i gjuhës amtare”? Gjithsesi, pasi nuk ka pasur asnjë fshirje të termit “maqedonas”.

Kështu, manipulimi i plasuar pacipërisht:

Kush ka turp dhe e ndalon përdorimin e gjuhës maqedonase në shtetin, komunën dhe shkollën e tyre?

së bashku me fotografinë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në bankën shkollës, ka për qëllim të nënkuptohet se ndalesa e pretenduar ndodhi pasi Zoran Zaevi erdhi në krye të qeverisë. Por, ky është vetëm manipulim i tejdukshëm dhe asgjë më shumë, pasi tashmë sqaruam se termi “arsimtar i gjuhës amtare” është zyrtarizuar gjatë qeverisë së mëparshme të VMRO DPMNE-së, dhe se ai është përdorur edhe në atë kohë në mënyrë normale. Një shembull për këtë është një konkurs për punësim i vitit 2015 për një arsimtar të gjuhës dhe letërsisë amtare, të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për kohë të caktuar.

Përpjekjet për të krijuar një rast përmes të pavërtetave të publikuara në këtë tekst janë shqetësuese, dhe sikur nuk ka mjaftuar rasti me arsimtarin e gjuhës, kështu që në artikull gjithashtu thuhet:

Shkolla “Koço Racin” në Sveti Nikole udhëhiqet nga një drejtor i emëruar nga kryetari i komunës së Sveti Nikoles nga radhët e LSDM-së, ndërsa konkursi është publikuar në Agjencinë e Punësimit – Qendra e Punësimit, Sveti Nikole, ku drejtori është emëruar nga qeveria aktuale qendrore, i cili njëkohësisht është edhe kryetar aktual i organizatës komunale (degës) së LSDM-së në Sveti Nikole.

Në nenin 10 paragrafi 1 të Ligjit për Arsimin e Mesëm thuhet:

Komuna mund të themelojë shkollë të mesme komunale.

Në nenin 91, paragrafi 11, thuhet:

Drejtori i shkollës së mesme komunale zgjidhet dhe shkarkohet nga kryetari i komunës, në përputhje me këtë ligj.

Prandaj, emërimi i drejtorit të shkollës së mesme komunalë, nuk është vetëm zgjedhje, por edhe obligim i kryetarit të komunës. A e ka bërë kryetari i komunës përzgjedhjen e duhur dhe e ka vendosur njeriun e duhur në këtë pozitë, është temë e një analize tjetër, por zgjedhja është bërë sipas ligjit.

Nga e gjithë kjo, përfundimi del vetvetiu – artikulli ka vetëm një qëllim, e ai është të krijojë një rast aty ku nuk ekziston, vetëm për qëllime të propagandës politike, duke mos mbajtur llogari për të vërtetën. Madje edhe sikur kjo të ishte qesharake.