Askush nuk ofron 4,000 mijë euro për të thënë se familjari juaj vdiq nga virusi korona

Ky lajm është shembull klasik se si një gazetar tenton të abuzoje me titullin, duke krijuar panik, frikë dhe emocione të ndryshme te lexuesit në mënyrë që këta të fundit të klikojnë te lajmi. Atë që ky titull mundohet të ua imponoje lexuesve nuk korrespondon fare me përmbajtjen e tekstit si dhe titulli i këtij lajmi është informatë e rreme.

Foto nga lajmi i recensuar

Linku deri te artikulli origjinal: 4 mijë euro po ofrohen veq me pranu që familjari juaj ka vdek nga CORONAVIRUSI….

Data dhe koha e publikimit: 21.06.2020

Data e recensionit: 23.06.2020

Recensues: Ardit Ramadani

Marrë parasysh se tash disa muaj lajmet në lidhje me virusin korona përbëjnë interes të madh publik, shumë mediume kanë dështuar në “testin gazetaresk” e të raportuarit gjatë situatave të jashtëzakonshme si kjo me pandeminë.

Një nga shembujt për këtë është lajmi të cilin e recensojmë, i cili në mënyrë tendencioze pasi teoritë konspirative në lidhje me marrjen dhe dhënien e parave për deklarim se je i infektuar me virusin korona kanë marrë hov të madh, e shfrytëzon këtë situatë për të manipuluar me ndjenjat e lexuesve.

Kur tekstin e saktë e shkatërron titulli tendencioz

Në tekstin e këtij lajmi bëhet fjalë për laboratorin “Hvivo”, të cilët ofrojnë 4,000 euro për personat të cilët vullnetarisht do të infektoheshin me virusin korona, që më pas të njëjtit të ndihmojnë në procesin  e gjetjes së vaksinës për virusin korona.

Megjithatë, titulli i këtij lajmi thotë kështu “4 mijë euro po ofrohen veq me pranu që familjari juaj ka vdes nga coronavirusi…”, titull ky, i inspiruar nga thashethemet të cilat kanë kapluar rrjetet sociale ditëve të fundit ka persona të papërgjegjshëm të cilët në mënyrë tendencioze shpërndajnë lajme të rreme apo teori të ndryshme të konspiracionit.

Koncepti i “manipulimit me ndjenjat e lexuesve”.

Në raste të jashtëzakonshme si kjo e pandemisë me virusin korona ku qytetarët veçse janë të mbushur me frikë dhe në çdo moment presin lajmin e fundit për tu informuar, gazetari në asnjë mënyrë nuk guxon të publikoje tituj që krijojnë panik, nuk bazohen askund, vetëm sa për të pasur sensacion.

Kjo e fundit përbën shkelje të nenit 8 të Kodit të Gazetarëve që thotë:

“Mënyra e informimit në rastet e fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jetë e çliruar nga sensazionalizmi”- Titulli në këtë lajm shkel postulatet e këtij neni.

E rëndësishme për lexuesit

Lexues, në rastet kur do të përballeni me tituj të këtij lloji, klikoni në lajm dhe sigurohuni se i njëjti korrespondon me tekstin më poshtë. Asnjëherë mos lejoni të manipuloheni vetëm pse një x medium për disa klikime më tepër, vendos të shkelë çdo parim gazetaresk. Sigurohuni që lajmi të cilin e lexoni ka burim, pra është i konfirmuar nga ndonjë institucion përgjegjës si dhe nuk përhap panik të panevojshme te qytetarët.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.