Autori duhet të dëshmojë me fakte atë që shkruan dhe jo të jep mendime pa dëshmi

Fotografi nga shkrimi që recensojmë

Një postim, një video, një përshkrim i rrethanave dhe shumë komente.. Këto janë elementet që ndonjëherë u duhen autorëve për të thurur një tekst që shkon në favor të një grupi të caktuar dhe në disfavor të një grupi tjetër. Së fundmi shpesh shohim se si një postim që paraprakisht e kemi hasur nëpër rrjete sociale, më vonë na paraqitet si informacion, madje me një titull intrigues që është tërësisht diçka tjetër nga ajo që e kemi parë në postimin paraprak, dhe këtu fillon i gjithë konfuzioni.

Lajmi që recensojmë

Linku deri te artikulli: ASH-AAA nën urdhrat e VMRO-DPMNE-së!? (Video)

Data e publikimit: 25.03.20221

Data e recensimit: 03.04.2021

Recensoi: Ajnur Bafqari

Në tekstin që po recensojmë, autori është thirrur në një postim të një deputeti, i cili në përshkrimin e videos që e ka publikuar, shkruan tërësisht diçka tjetër, ndërsa autori i tekstit në fjalë e ka përdorur atë për diçka pothuajse tërësisht tjetër. Te të dyja flitet për largim të deputetëve nga salla, në momentet kur duhej të votohej diçka në Kuvend, por dallimi qëndron aty se deputeti i’u referohet deputetëve të opozitës maqedonase, ndërsa autori- atyre të opozitës shqiptare.

Në tekst lexohet diçka, ndërsa në video dëgjohet diçka krejt tjetër

“Kur duhet të votohet për pakon e pestë të masave, VMRO-DPMNE e lëshon sallën”- thekson deputeti Kostadinov (dëgjohet në video)

Por autori i tekstit që po recensojmë, nuk thirret në atë që e ka thënë deputeti as në përmbajtjen e videos, e as në përshkrimin e bashkangjitur. Ai përshkruan disa rrethana të paqena, komenton, supozon, pastaj vjen në përfundim se bashkëpunimi mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase do të del në sipërfaqe në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Duket se ata tashmë kanë një bashkëveprim mes tyre , një aleancë që pritet të kenë edhe si veprim opozitarë edhe pse i mohuar nga partitë shqiptare por bashkëpunimi mes tyre pritet të jetë edhe në zgjedhjet vendore që pritet të mbahen pas disa muajsh në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në tekst.

Videoja është e paqartë, autori “dallon” nga mbrapa dhe larg deputetët që largohen!

Autori injoron faktet, respektivisht deklaratat e dhëna nga partitë shqiptare që paraprakisht kanë mohuar një bashkëpunim të mundshëm për zgjedhjet e ardhshme dhe nëpërmjet aludimeve dhe supozimeve personale pretendon të paraqesë një “të vërtetë” tjetër. Ai madje nëpërmjet titullit, që në fund i ka vendosur një pikëpyetje dhe pikëçuditëse, thekson se koalicioni ASH-AAA gjoja qenka nën urdhrat e VMRO-DPMNE-së, ndërsa të gjitha këto i bën vetëm duke përshkruar një video të shkurtër 16 sekondëshe, e cila as nuk është mjaft e qartë dhe as nuk identifikon qartë deputetët që largohen nga salla.

Koncepti i manipulimit “Analogji false” dhe “Prova selektive” 

Autori bën analogji false në momentin që bën ndërlidhje midis dy gjërave që janë të palidhura dhe pastaj, po atë analogji, e përdor për të bërë një supozim, i cili nuk ka asnjë bazë. Pra autori, duke qenë i vetëdijshëm se nuk mund të ofrojë fakte të qarta, po përdor një video, të cilën e hedh si dëshmi që ka ndodhur ajo që ai e pretendon. Ndërkohë, autori është përpjekur të japë ‘prova’ të dështuara ose prova selektive, që flasin për mbështetje të pretendimit si në rastin konkret, se janë larguar deputetët e opozitës shqiptare, kur në të vërtetë po largoheshin ata të opozitës maqedonase.

Nuk jeni ju që nuk po kuptoni, është autori ai që e ka bërë “lëmshin”!

Nëse hasni në tekste të tilla që po paraqet disa gjëra të palidhura mes tekstit dhe materialit video të paraqitur, ju nuk i keni fajet, dikush po shkruan në disfavor të dikujt dhe ka për qëllim që të poentojë ca pikë për një subjekt të caktuar. Manipulimet e ndryshme, komentimet, dhe përshkrimet e rrethanave sipas “qejfit” të dikujt, janë mënyra më e lehtë për të krijuar amulli. Pastaj një titull si ky, është ideal për ata që zgjedhin të marrin mesazhin “pa u munduar shumë”, të tjerët ofrojnë një klikim për një dezinformatë.