Banorët vetëm ishin thirrur në bisedë informative, të mos bëhet reklamë në emër të gazetarisë

Roli i disa mediave të internetit përfundon vetëm me bërjen e PR (public relations) për individë apo përfaqësues të një partie politike të caktuar. Nuk mbajnë llogari për atë që ua servojnë lexuesve të vet, dhe në vend të teksteve me përbajtje informative, u ofrojnë tekste boshe me të cilat tentojnë të ua “shpërlajnë” trurin. Tekstet e tilla shpesh janë të paqarta dhe lexuesi pas disa minutash përfundon vetëm konfuz, nuk e ka marrë informacionin që po kërkonte.

Linku deri te artikulli: EKSKLUZIVE/ Hoxha thërret Spasovskin, garanton lirinë e banorëve të Konjares

Data e publikimit: 13.03.2021

Data e recensionit: 19.03.2021

Recensuese: Ajnur Bafqari  

Në tekstin që po recenzojmë i vetmi qëllim i autorit është të bëjë reklamë për një ministër të një partie të caktuar, duke e zgjedhur kështu rrugën e dezinformatës për të mbledhur ca poenë politik për ministrin në fjalë. Autori flet për arrestimin e disa banorëve të Konjares, por ata vetëm ishin thirrur në stacion policor për bisedë informative.

Autori e prezanton “lajmin” me pompozitet, duke e vendosur madje shprehjen “Ekskluzive” në titull, duke i dhënë kështu “peshë” më të madhe tekstit, që në fakt nuk ofron asgjë.

“Sipas burimeve zyrtare Ministri i MBPEUs nga rradhët e Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha ka biseduar nëpërmjet telefonit me Ministrin e MPB- së, Oliver Spasovski rreth lajmeve për arrestimin e banorëve të Konjares. Hoxha njofton se ka marrë garancë nga Spasovski se banorët nuk janë arrestuar por vetëm janë marrë në pyetje për shkak të bllokimit pa paralajmërim të autostradës Shkup-Shtip. Hoxha ka biseduar edhe me banorët e Konjares dhe i ka siguruar se asnjë nuk do kalojë natën në stacion policor por do kthehen në shtëpitë e tyre”- thuhet në tekst.

Paqartësi, dezinformim, “reklamë”
Edhe pse në tekst në disa rreshta e shpjegon se banorët nuk kanë qenë të arrestuar, autori vazhdon me reklamën, duke përfunduar më tej se gjoja Hoxha, u ka siguruar banorëve se asnjëri nuk do ta kalojë natën në stacion policor dhe se do të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Teksti nuk është i plotë, krijon paqartësi, me pak fjalë flet se banorët e kanë bllokuar autostradën, por nuk e shpjegon se përse. As nuk ka marrë qëndrim nga banorët, ndërsa në këtë ngjarje, vetëm në natën që i referohet autori, ishin të përfshirë 13 nga gjithësej 74 banorë që kishin marrë ftesë.

Nuk ka pyetur nëse ata e kishin paraqitur ose jo protestën e tyre. Në një prononcim për mediat tjera, banorët kanë sqaruar se policia ka qenë e njoftuar për protestën. Pra, qëllimi i tekstit shihet qartë, bërja e PR dhe jo informimi. Ky nuk është shembulli i vetëm, përmbajtje e tillë është hasur edhe në faqe të tjera të internetit, mjafton të bëhet “search” në bazë të titullit…

Koncepti i manipulimit: Thirrje në autoritetet
Kjo mënyrë  e manipulimit është një prirje për t’i atribuar vërtetësisë një deklarate nëse thuhet nga autoriteti. Në këtë rast autori thirret te “të dhënat zyrtare” të policisë, me çka dëshiron që “informacionin” ta paraqesë sa më të besueshëm.

Pompoziteti, shpesh nuk ofron asgjë!
Nëse hasni në tituj të tillë, merreni me rezerva, pasi titujt e tillë shërbejnë për karrem dhe qëllimin kryesorë e kanë të kapin sa më shumë vëmendjen e lexuesve. Pasi ta kenë kapur atë, më pas ndeshen me zhgënjimin e lexuesve, pasi paralajmërimi dhe përmbajtja e tekstit shpesh nuk kanë as një pikë të përbashkët. Kursejeni veten dhe kohën tuaj!