Gazetaria dhe marrëdhëniet me publikun kanë shumë ngjashmëri por edhe shumë dallime njëra me tjetrën. Që të dyja profesionet janë në komunikim të vazhdueshëm me publikun. Ata tregojnë storije dhe bashkëveprojnë me audiencën, që çon në ngjashmërinë tjetër, ndërtimin e besimit. Në të dyja profesionet për të qenë të suksesshëm, duhet të ndërtohet kredibiliteti dhe besimi.
Nga Ajnur Bafqari
Gazetarët ndërtojnë besim duke raportuar dhe publikuar përmbajtje të drejtë dhe të saktë, në mënyrë që të njihen si një organizatë e besueshme. Përveç besueshmërisë, marrëdhëniet me publikun ndërtojnë besim për të informuar dhe bindur audiencën e targetuar për të mbështetur një organizatë ose produkt. Mes këtyre dy profesioneve ekzistojnë edhe disa ngjashmëri të tjera, siç është edhe transmetimi i informacionit në mënyrë lehtësisht të kuptueshme.
Objektiviteti dhe subjektiviteti
Por sado të ngjashme të jenë, kanë edhe disa dallime të mëdha që duhet patjetër të respektohen për të qenë sa më profesionist në punë. Te Marrëdhëniet me Publikun, profesionistët synojnë audiencën specifike që të transmetojnë mesazh dhe të ndërtojnë mbështetje për një brend, produkt ose ide. Në anën tjetër gazetaria ka një audiencë të fituar, ata nuk kanë nevojë që të synojnë një audiencë të targetuar, pasi atë që e publikojnë, pra lajmet, janë në interes të publikut.
Gazetarët kanë më shumë liri që të tregojë storje që dëshirojnë, pasiqë ata janë vazhdimisht në kërkim dhe tërheqin ide. Por në botën e marrëdhënieve me publikun, profesionistët punojnë për klientin, ata duhet të ndryshojnë idetë dhe storjet në përputhshmëri me brendin dhe ta thonë atë që i intereson audiencës së targetuar. Por dallimi më i madh në të dyja industritë është se marrëdhëniet me publikun janë zakonisht subjektive, ndërkohë që gazetaria duhet gjithmonë të mbetet objektive.
Të humbësh rrugën brenda profesionit që e ushtron
Gazetaria vazhdon të jetë profesioni ku mbi të gjitha, kërkohet objektivitiet, me ardhjen e internetit dhe krijimin e faqeve të internetit, shpeshherë objektiviteti zbehet dhe vjen në shprehje pikërisht roli i një profesionisti të marrëdhënieve me publikun.
Në këtë shekull, partitë politike median e shohin më shumë si një mekanizëm për të bindur një grup të targetuar për të fituar sa më shumë vota dhe për të “reklamuar” punën e tyre, dhe në këtë mënyrë shumica e mediave elektronike harrojnë dallimet mes marrëdhënieve me publikun dhe gazetarisë dhe vihen në shërbim të një partie të caktuar politike.
Në vendin tonë kemi një sërë mediash elektronike, të cilat, veprimtarinë e tyre e fokusojnë në promovimin e punës së një partie të caktuar politike, ndërsa “sulmojnë” një parti tjetër, në favor të të parës. Në vazhdim ju sjellim disa shembuj.
Linqet deri te artikujt:
“Ali Ahmeti: BDI ngadhnjen sepse ngërthen në vete gjenerata të tëra sakrificash e veprimesh” shkruan Indeks.mk
“Kur Osmani udhëheq me seancën e Qeveris, miratohen vendime në dobi të shqiptarëve” shkruan Aktuale.mk
“Ju kurrë s’u dogjët për vete, por dogjët shqiptarët” shkruan Fol
“Kasami me mesazh të fuqishëm: Me 12 prill ti themi mjaft BDI-së, është koha për opozitën shqiptare” shkruan Albanews
VATRA JONË” NJËRA NDËR PROGRAMET MË TË ZËSHME DHE FUQIZUESE TEK SHQIPTARËT shkruan Rruga drejt
“Si ja “trusi” Grubi Musës për 50 euro !?” shkruan Shqipmedia
Këto janë vetëm disa nga shembujt që po ua ofrojmë, por nuk janë të vetmit. Sigurisht nëse futeni te linqet do të keni mundësi të shihni, cila prej mediave elektronike “në mullirin e kujt po e dërgon ujin”. Disa nga shembujt e ofruar shpesh sjellin laramani që ju bëjnë konfuz, megjithatë nëse lexohen disa artikuj, menjëherë krijohet një pasqyrë e pastër se profesioni i gazetarisë është përzier me profesionin e marrëdhënieve me publikun. Gazetarët që veprojnë në këtë mënyrë, shkelin parimet e kodit të gazetarëve, ku thuhet:
KODI ETIK
“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balansuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”
Termet promovuese dhe pompoziteti nuk zënë vend në gazetari!
Rreth një ngjarje konkrete apo aktivititeti të një institucioni, mediat nuk mjafton vetëm të njoftojnë. Fillimisht edhe për atë njoftim ose informacion mediat duhet ta konfirmojnë saktësinë e detajeve, duhet të heqin termet promovuese dhe pompozitetin që një lajmi i jep sektori për marëdhënie me opinionin.
Përveç kësaj, media duhet të hulumtojë edhe më thellë për të zbuluar të gjitha rrethanat dhe elementet e tjera që kanë të bëjnë me vendimin ose ngjarjen në fjalë. Mediat poashtu duhet të marrin edhe qëndrimin e palës së dytë nëse ka diçka të tillë që lidhet me lajmin, si dhe palën e tretë ku bëjnë zakonisht kategori të qytetarëve të cilët janë të tanguar me vendimin ose aktivitetin konkret.
Mediat më pas duhet të ndjekin edhe realizimin dhe zhvillimin e këtij vendimi ose projekti. Që lexuesit të mund të dallojnë nëse bëhet fjalë për produkt mediatik ose thjeshtë një informacion duhet të verifikojnë nëse materiali përdor edhe elementet e tjera të lartëpërmendura.