Fenomeni i gazetarëve anonim që shkruajnë lajme me tituj bombastik është një trend në rritje në mediat e informimit online. Edhe pse manipulimi i opinionit publik, nxitja e emocioneve, informacionet e pa-verifikuara bien ndesh me çdo pikë të kodit etik të gazetarëve, produkte të tilla mediatike vazhdojnë të zënë vend të caktuar në botën e informimit online. Një shembull i tillë është dhe teksti që po e recensojmë.
Linku original i artikullit: Lajm i fundit/ Shkarkohet Artan Grubi
Data e publikimit: 27.02.2021
Data e recensimit: 06.03.2021
Recensuese: Shefkije Alasani
Titull që dezinformon: “Lajm i fundit/ Shkarkohet Artan Grubi”, është titulli i artikullit që do ta recensojmë.
Në paragrafin e fundit të tekstit që mban titullin e lartpërmendur thuhet:
“Ajo që mëson jozyrtarisht portali Shqipmedia është se Ali Ahmeti ka pranuar kërkesën e Izet Mexhitit për shkarkimin e Artan Grubit nga posti i zv/kryeministrit por nuk dihet se kush do të vijë në vend të tij.”
Sipas Kodit Etik gazetari ka të drejtë të publikojë informacione jo-zyrtare por në të tilla raste informacioni duhet të specifikohet dhe plotësohet e jo të përdoret si karrem për të tërhequr klikime dhe të nxisë emocione në opinion. Në paragrafin e sipër-përmendur nu ka asnjë element që gazetari me bindje të përfundojë se bëhet fjalë se një funksionar i një partie është shkarkuar nga posti i tij dhe se dilema kryesore tash është personi që do ta zëvendësojë atë. Sipas Kodit Etik, kur kemi të bëjmë me raste të tilla saktësia e informatës duhet të provohet:
- Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
Pas përfundimit të mbledhjes, në të cilën sipas lajmit në fjalë është shkarkuar Artan Grubi, kreu i BDI-së Ali Ahmeti në një prononcim për mediat mohoi që të ketë pasur shkarkime gjatë mbledhjes që zgjati disa orë, më 27 shkurt në selinë e BDI-së në Tetovë.
“Nuk është biseduar fare për tërheqje, është biseduar për parim, është biseduar për strategji, për program, për detyrat që na presin si qeveri por normalisht do të japim llogari dhe kurrën e kurrës nuk kam kërkuar që të mbyllet mendimi ndryshe, për herë kam qenë ithtarë dhe kam inkuraju që gjërat të fliten hapur, vërejtët të fliten hapur që mundësia t’i jepet çdokujt për të sqaruar dhe për tu shpjeguar për punë e vet që ai e bën”, deklaroi lideri i integristëve, Ali Ahmeti.
Në rast se vërtetohet pasaktësia e lajmit Kodi Etik i detyron gazetarët të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes. Parim ky i cili përsëri shkelet nga autori i lajmit dhe media që transmeton këtë lajm. Edhe pse është vërtetuar pasaktësia e informatës “jo-zyrtare”, lajmi vazhdon të figuroj njëjte në portal dhe nuk pasohet nga asnjë demant apo material plotësues. Ajo që bie në sy, është se menjëherë pas publikimit të lajmit që recensojmë është publikuar një tjetër lajm me titull sensacional, që nxitë emocion te lexuesi, por që nuk ka asnjë lidhshmëri me përmbajtjet e tekstit.
“Ali Ahmeti nuk e jep Artan Grubin edhe pse të gjithë në BDI nuk e duan”, është titulli i lajmit pasues me të cilin jo vetëm që nuk përmirësohet gabimi paraprak por vazhdon të përdhoset e drejta e opinionit për informim profesional.
Maqedonia e Veriut – vendi me “ndjeshmërinë” më të lartë për lajme të rreme në Evropë
Duke parë shkeljet e parimeve themelore të Kodit Etik mundet të vijmë në përfundim se përmbajtja e tekstit që po recesionojmë është dezinformatë dhe ky është një fenomen dominues në botën e informimit online. Sa i përket përket kësaj çështje, në doracakun për Arsim joformal nga Crithink, theksohet: Bota çdo ditë është e bombarduar me informacione. Një pjesë e tyre kanë përmbajtje të gabuar, pjesa tjetër kanë qëllim të dëmshëm, dhe ata që kanë përmbajtjen e gabuar dhe janë krijuar me qëllim të dëmshëm quhen lajme të rreme ose dezinformata.