Dezinformatë është se Dimitrovi nuk e ka paraqitur dorëheqjen e rrejshme në Prokurori

Nga një postim sarkastik të ministrit të jashtëm, Nikolla Dimitrov, në rrjetet sociale, është formuluar një tekst tendencioz, i njëanshëm dhe përhap dezinformata.

Në tekst thuhet se Dimitrovi nuk ka kërkuar hetim për lajmin e rremë të publikuar për të në tetor të vitit të kaluar, ku thuhet se ai ka dhënë dorëheqje, e për këtë u publikua edhe një dokument, nënshkrim dhe vulë e falsifikuar.

Linku deri te artikulli origjinal: Rasti special i Nikolla Dimitrovit

Data dhe koha e publikimit: 19.1.2020

Data e recensionit: 25.02.2020

Recenzues: Simona Atanasova

Është plotësisht e pasaktë se Dimitrovi nuk kërkoi hetim për këtë rast. E vërteta është se ai i ka kërkuar Prokurorisë Publike që ta hetojë rastin dhe të përcaktohet kush është përgjegjës për këtë. Ai e kërkoi këtë publikisht dhe përmes një kërkese zyrtare në Prokurorinë Publike.

Teksti që pretendon se Dimitrovi nuk ka kërkuar hetim është i njëanshëm, pasi mendim ose deklaratë nuk është kërkuar as nga Dimitrovi e as nga institucionet kompetente për të pretenduar një gjë të tillë. Me këtë shkelen standardet mediatike për raportim profesional që gjithmonë të kërkohet edhe mendimi i palës së dytë të storjes.

Demant për këtë publikim arriti edhe nga vetë Dimitrovi, ku ai thotë se ka dërguar kërkesë zyrtare në Prokurorinë Publike një ditë pas publikimit të falsifikatit.

“E vërteta është se jo vetëm që bëra thirrje publike që të hetohet rasti dhe të gjendet përgjegjësi, por kjo u bë edhe përmes një kërkese zyrtare në Prokurorinë Publike, që të nesërmen, menjëherë pas publikimit të falsifikatit, me datë 02.10.2018. Kjo informatë është publike dhe lehtësisht e verifikueshme, dhe me të vërtetë befason joprofesionalizmi i redaksisë, e cila nuk më ka kontaktuar as mua, e padyshim as Prokurorinë”.

Megjithëse Dimitrovi kërkoi nga media që ta publikojë demantin e tij, në portal edhe pas një jave demanti nuk u publikua.

Kjo është një shkelje tjetër e standardeve gazetareske për raportim profesional. Media duhet patjetër t’i publikojë demantet dhe të bëjë korrigjime në publikimet ku ka informacione të gabuara, në mënyrë që ta informojë publikun në kohë, me saktësi dhe në mënyrë precize dhe të mos shkaktojë huti.

Ky artikull i shkel rregullat e mëposhtme të Kodit të gazetarëve.

Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale e as nuk do të falsifikojë dokumente. Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar. Saktësia e informatës duhet të vërtetohet sa më shumë që është e mundur.

Gazetari do të insistojë që të sigurohet e drejta për korrigjim, demant dhe përgjigje, në rastet kur vërtetohet pasaktësia e informatës.