Gazetari informon me fakte dhe argumente dhe jo me lëvdata

Shkrimet me lëvdata dhe glorifikime ndaj një personi ose një institucioni janë punë e specialistëve të marrëdhënieve me publikun. Në to ka promovim, tentim për përmirësim imazhi, tentim për të bindur lexuesit për pasqyrën më të mirë, etj. Detyra e gazetarit është tërësisht e kundërta e kësaj. Gazetari nuk lavdëron, ai informon me fakte dhe argumente.

Linku deri te artikulli origjinal: Arbër Ademi, ministri që po shënon histori në arsim

Data dhe koha e publikimit: 10.10.2019, ora 14:31

Data e recensionit: 12.10.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Teksti që recensojmë ka karakteristikat e një komunikate që do të vinte nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ose nga partia amë e ministrit të Arsimit, BDI. Pikërisht në periudhën kur ministri në fjalë dhe dikasteri që ai drejton ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave dhe kritikave për probleme të caktuara në arsim në këtë fillimvit shkollor ose akademik, dhe pikërisht kur organizatat e arsimit kanë kërkuar rritje rrogash, një tekst si ky i përpunuar nga nëpunësit e zyrave të PR-it do të ishte i kuptueshëm. Detyra e tyre është bindja me qëllim të përmirësimit të imazhit.

“Me ardhjen e Arbër Ademit në krye të ministrisë të Arsimit dhe Shkencës, nisi ritja e pagave për të punësuarit në dikasterin e arsimit.
Trendi i përmirësimit të nivelit të pagave jo vetëm që nuk u ndal me këto dy rritje, por do të vazhdoj me hap dyfish më të lartë.
Ministri Ademi në shumë paraqitje publike ka deklaruar se rritja e pagave për punonjësit në arsim nuk mbaron këtu dhe se do të angazhohet që edhe vitet në vijim të ketë rritje të pagave.
Sigurisht se nëse kjo rrumbullaksohet me sukses, do të jetë një rritje historike e pagave në arsim” – shkruan në disa nga pjesët e shkrimit që recensojmë.

Pse ky shkrim nuk është një lajm i kompletuar?

Lajmi duhet patjetër të respektojë disa kritere për të ofruar informacion të plotë dhe objektiv. E para, lajmi nuk duhet të ketë ngjyrime subjektive dhe komente të kamufluara si fakte. E dyta, lajmi duhet patjetër të përfshijë të gjitha aspektet e rëndësishme që e ndërtojnë mozaikun e ngjarjes ose temës që trajton.

“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.” – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Nëse teksti flet për vendimit e fundit të Qeverisë për rritjen e rrogave për nëpunësit në arsim, kjo nuk mund të transmetohet vetëm duke shkruar dhe duke lavdëruar figurën e ministrit që drejton këtë resor. Rol të pakontestueshëm në rritjen e rrogave, sidomos në vendimin për rritjen e fundit prej 10%, ka pasur Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Askund nuk përmendet presioni që bëri kjo organizatë mbi MASH-in dhe mbi Qeverinë, nëpërmjet të organizimit të grevës dhe paralajmërimeve për vazhdimin e saj.

SASHK-u kërkesat e tyre i bazuan në këmbënguljen e vazhdueshme të tyre dhe në premtimet e mëhershme të qeverisë për një rritje prej 25% të rrogave në arsim në këtë mandat të kësaj Qeverie.

Teknika e manipulimit

Në tekst ka vetëm dëshmi selektive dhe vëmendje selektive, është pasqyruar vetëm njërën anë, është lavdëruar vetëm një person dhe janë theksuar vetëm aspektet që i janë përshtatur autorit për arritjen e qëllimit të tij. Gjithçka tjetër që ka ndikuar në gjendjen përfundimtare, autorit i është dukur e parëndësishme që të theksohet ose sqarohet.

Këshilla për lexuesit

Gazetari nuk ngren në piedestal ministrat për realizimin e premtimeve të tyre që ua kanë dhënë qytetarëve. Ata kanë ardhur në pushtet në sajë të atyre premtimeve dhe falë dhënies së besimit nga ana e qytetarëve se ata premtime do të realizohen. Ministrat duhet të kritikohen për realizimin e vonshëm të premtimeve ose për mos-realizimin e plotë të tyre. Edhe nëse premtime realizohen, gazetari përsëri duhet të interesohet për mendimin e qytetarëve dhe se si ata i presin këto ndryshime. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të një grupi të interesave janë burim i pashmangshëm informacioni, në të tilla raste.