Efekti i kundërt – kur kryeneçësia mbizotëron mbi faktet

OJQ-ja britanike “Full fact” nga Londra, e cila merret me verifikimin e fakteve (fact checking) dhe dezinformatat, publikoi një analizë hulumtuese, e cila i referohet fenomenit të “efektit të kundërt”, që ndodh gjatë verifikimit të fakteve te produktet mediatike apo deklaratat e politikanëve dhe figurave të tjera publike.

“Efekti i kundërt” në këtë kontekst nënkupton, në fakt, një arritje të padëshiruar të efektit të kundërt nga ai që dëshirohet, pas verifikimit të bërë të fakteve. Më konkretisht, kjo do të thotë që lexuesi, i cili fillimisht ka qenë i ekspozuar ndaj dezinformatës fillestare, pasi ta lexojë verifikimin e fakteve, edhe më shumë të besojë në dezinformatën që e ka lexuar fillimisht. Një efekt i tillë nganjëherë interpretohet edhe si dëshmi se verifikimi i fakteve është i paefektshëm, e madje edhe kundërproduktiv.

Kjo analizë hulumtuese i analizon shtatë studime eksperimentale me ndikim, të cilat e kanë hulumtuar “efektin e kundërt” të supozuar, kryesisht në SHBA. Gjetjet e analizës tregojnë se, edhe pse “efekti i kundërt” mund të ndodhë në raste të caktuara, paraqitja e tij është shumë më e rrallë se sa që supozohej dhe përgënjeshtrimi i dezinformatave, në përgjithësi i saktëson besimet e njerëzve kur bëhet fjalë për pohime konkrete.

Në dy studime të vitit 2010 dhe 2012, janë gjetur dëshmi për ekzistimin e efektit të kundërt në rrethana të caktuara, por në asnjërin nga studimet e fundit, të cilat i shqyrtoi analiza (të vitit 2015, 2017, 2018 dhe 2019) nuk janë gjetur dëshmi për ekzistimin e këtij efekti.

Rastet kur shfaqet “efekti i kundërt” janë ato te të cilat ka mendime të fuqishme të ndara dhe kundërshtuese, ose te ato ku pohimi faktik nuk përmban dëshmi bindëse.

Sidoqoftë, ky hulumtim sugjeron se verifikimi i fakteve u ndihmon qytetarëve të informohen më mirë, si dhe se dukuria e “efektit të kundërt” është shumë e rrallë. Ai gjithashtu, konsideron se nevojiten hulumtime dhe përpjekje të mëtejshme për të kuptuar se si përmbajtjet me verifikim të fakteve do të mund të ishin sa më efektive.